Përpasimi ynë shpirtëror

Kur njeriu e (shpiku dhe e) zhvilloi gjuhën, nga principi i „Minimumit të energjisë së materies“ (përtacia e materies) aty ngeci zhvillimi i tij i vërtetë (e kam thënë para 30 e tepër vjetësh). Njeriu filloi të flasë nga përtacia, ngase më e lehtë ishte kjo rrugë e komunikimit, por gjithsesi jo me e mira.

Gjuha pra nuk ishte përparim (siç teoria e evolucionit e thotë) por përpasim (prapambetje, ngecje).

Ne sot nuk kuptohemi me ligjerata të tëra më shumë sesa dikur me një britmë „Aaa“. Madje shpesh gjuha është burim polemikash të qëllimta denigruese (duke e keqinterpretuar qëllimisht një mendim të shprehur), shpesh burim hidhërimesh e ngatërresash.

Ne kishim (dhe kemi) aftësi më të mëdha, shumë më të mëdha se të folurit.

Që kur filluam të flasim, ne iu nënshtruam materi(al)es dhe e harruam zhvillimin shpirtëror. Ne i bartëm studimet te materia kurse shpirtin nuk e studjuam fare, e as nuk e zhvilluam… Aftësitë, që ka shpirti ynë, që do të mund t’i zhvillonim, i bartëm te materia (radio, TV, Celularët, Antenat satelitore….)

Pra nuk është habi pse ne i nënshtrohemi parasë dhe pasurisë. Ngase jemi nënshtruar materiales (trupit tonë) duke e lënë krejt pasdore shpirtin. Kështu jemi bërë të pashpirtë.

Sa të kalojë koha, gjithnjë e më tepër ne do të futemi thellë në lajthitje, duke thelluar krizën morale gjithandej nëpër botë.

Besoj që shpirti ynë ka filluar të hakmerret, duke përhapur shumë sëmundje të çuditshme trupore, identitare dhe mentale, apo edhe sëmundje autoimunitare (vetëshkatërruese të organizmit) … etj…

Që shpirti ynë është shumë i aftë tregon edhe kjo thënie:
„Shpirti ynë është libri, ndërsa faqet e tija janë universi“ (Muhamedi a.s.)

Bëhu me shpirt, me ndërgjegje!

F.P.

Historia po përsëritet

Si absolvent i fakultetit të Makinerisë më kujtohet kur u mbajt tubimi në Fakultetin e Makinerisë në lidhje me „Diskutimin publik për ndryshimet kushtetuese të KSAK dhe RSS“. Një numër i profesorëve tanë morën fjalën dhe kritikuan ashër këto ndryshme Kushtetuese, posaçërisht amendamentin 47 që pretendonte te futej në Kushtetutën e Republikës së Serbisë, e i cili e shuante tërësisht Autonominë politiko territoriale të Kosovës. Në diskutimin që mora pjesë vetë, shpreha brengën se këto ndryshime kushtetuese po mbahen të fshehura nga opinioni dhe ne si studentë nuk ishim sakt të informuar në lidhje me to. Gjykova këtë fshehtësi, por sigurisht që amendamentin 47 e vendosa në thumb të ashpër të kritikes.

Pak kohë pas kësaj u organizua e njohura „Greva e minatorëve“ e cila ia tronditi themelet e Jugosllavisë.
Ne studentët ishim mbledhur në sallën „25 Maji“ dhe me greve urie solidarizoheshim me minatorët. Si absolvent detyra ime ishte seleksionimi i studentëve që hynin ne salle, ngaqë kishte edhe nxënës të shkollës mesme që provonim të hynin, apo edhe të tjerë, e që ne nuk mund ti lejonim.

Në sallë brenda zhvillohej greva. Vinin profesorë të ndryshëm që tentonin të na e mbushin mendjen që grevën ta ndërpresim, por ne nuk e bënim dot.
Profesorët ishin shumë të kujdesshëm kur flisnin, që të mos lëndonin emocionet tona. Por kishte edhe të tille, që na thoshin „Kosova nuk humb asgjë me këto ndryshime kushtetuese“.

Njëri nga ta ishte edhe prof. Syrja Popovci, si më i zëshmi. Atij, që nga atëherë i mbet vula e tradhtarit në ballë, pikërisht se e hodhëm jashtë me ovacionet „Tradhtar, tradhtar!,“. Ai edhe në shumë raste të tjera e pati dëshmuar epitetin e vënë nga ne.

Më pas vazhdoi tendenca që këto ndryshime kushtetuese të kontrabandoheshin.
Minatorët u mashtruan dhe e ndërprenë Grevën. Ne po ashtu.

Përkundër protestave të mëdha gjithë popullore (diku 300.000 pjesëmarrës) më 23.03.1989 ndodhi suprimimi i autonomisë.

Pra gjithë kohën na thuhej se Kosova nuk humb asgjë, por në të vërtetë e humbi autonominë e fituar në vitin 1974.

Në anën e atyre që ishin pro ndryshimeve kushtetuese ishte edhe kryetari i sotëm i LDK-se, Isa Mustafa. Për mua dhe shumë studentë apo intelektualë, që e njohin veprimtarinë e tij, ky është i njëjtë me Syrja Popovcin, madje më i keq, ngase ky pranoi pozita në institucionet pas shuarjes se autonomisë, ku merreshim vendime mbi masat e dhunshme nëpër Kosovë.

Sot i NJËJTI njeri në mënyrën e njëjtë, me njerëz të ngjashëm, vepron njësoj si asokohe.
Dallimi sot është se njerëzit e tij dalin hapur pro ndarjes së Kosovës (Lutfi Haziri), asokohe fshihej humbja.
Sot dallimi është se populli pak është i vetëdijshëm për atë që po i kanoset. Vetëm një parti politike po lufton për mbrojtjen e Kosovës „Lëvizja Vetëvendosje“.
Partitë tjera, që në të vërtetë më fort i ngjajnë familjeve të Don Vito Corleones sesa partive politike, shikojnë të shfrytëzojnë edhe COVID-19 për të përmbysur pushtetin demokratik përmes „ndryshimeve kushtetuese“ ngase Kushtetuta qart e thotë se „Askush pos partisë fituese nuk mund ta formojë qeverinë“ dhe më pas ta kryejnë detyrën e vet rreth ndarjes së Kosovës.

Çfarë duhet bërë?

Njësoj si më 1989, populli duhet gjithsesi të organizohet në mbrojtje të shtetit dhe sidomos territorit të tij, i cili është i cenuar, kjo është shumë e qartë.
Përmes protestave e demonstratave paqësore duhet të mblidhet në Prishtinë ta mbrojë qeverinë legjitime dhe legale. (Më 1989-en populli edhe prej komunave më të largëta ka arritur këmbe në Prishtinë) qindra mijëra protestues që të pengohet marrja e pushtetit PA VOTË legjitimuese. Assesi nuk bën të ketë kthim prapa.
Shkaku i mbrojtjes nga Corona, në protesta të mbahen maska dhe largësia prej 1m të respektohet, që kur ke maskë mjafton për të mos u infektuar. Duart të mos kapen gjatë përshëndetjeve.

Përfundim:

Mësimet nga ngjarjet e vitit 1989 tregojnë, që thëniet „nuk ka ndarje“ nuk duhet besuar. Aq më pak kur kjo veçse u konfirmua nga njerëz në pozita të larta të LDK-së, e cila po synon formimin e një qeverie PUÇ-iste.
Populli duhet të veprojë tash. Mbështetësit e Albinit dhe Vjosës posaçërisht.
Përndryshe shteti i Kosovës do të shuhet, ose se paku do të bëhet jofunksional.

F.P.

Dallimi mes Ofendimit (Fyerjes) dhe Nënçmimit

Çka është OFENDIMI (fyerja) e çka është NËNÇMIMI (ndryshe nga fjalori Shqip-Shqip)

  1. OFENDIMI (fyerja) është:

a) Një veti që i mvishet dikuj, e që e tjetërson nga qenia e tij e vërtetë. P.sh. nëse i thuhet njeriut „lopë“, ky është ofendim, sepse njeriu është njeri e jo lopë. Po i tjetërsohet pra qenia. Shembuj të tjerë: gomar, bërllog, fëlliqësirë, majmun, kali, qen, etj… Fyerje konsiderohet edhe ndryshimi i qëllimshëm i emrit të dikuj, p.sh. nëse Faton-it i thua Fatjon, ose Muhamedit i thua Muhamet, serbit i thua shka, shqiptarit i thua shiftar (apo shiptar)….
b) Përmendja e anëtarëve të familjes së dikuj, shokëve apo njerëzve të tij të vlefshëm, në kontest negativ është poashtu ofendim. P.sh. nëse i thuhet dikuj „nëna (babai yt) jote ka qenë (është) …..“ diçka e keqe, ky quhet poashtu OFENDIM (fyerje).

2. NËNÇMIMI është:

a) Një veti që i mvishet dikuj, që NUK ia tjetërson qenien, por e nënvleftëson. P.sh. nëse dikuj i thuhet „budalla“, ky është NËNÇMIM e JO OFENDIM, pasi që nuk po ia tjetërson qenien atij personi, ai prapë po mbetet njeri, ama budalla, pra me inteligjencë te ulët (po nënçmohet)

b) Një veti që ia ndryshon dikuj profesionin, p.sh.nëse akademikut i thua „murator“ (gogë), ose shkrimtarit i thua „çoban“, apo „tregtar me libra“, por edhe nëse muratorit i thua „doktor“, për t’ia përkujtuar profesionin e vërtetë që e ka, prapë është nënçmim…etj..etj…

Shpresoj të kem ndihmuar në kuptimin e drejt të dallimit të këtyre dy fjalëve përmes shpjegimeve të tjera nga ato që hasen në FJALORIN SHQIP-SHQIP.

P.S
„Ti Inxhinieri nuk e di ore historinë“ e thënë nga një historian nuk është nënçmim e as ofendim.
„Ti biologu nuk e njeh bre matematikën“ e thënë nga një matematikan apo edhe inxhinier, nuk paraqet as ofendim e as nënçmim.
Edhe nëse dikujt i thuhet „pëllumb“, nuk është ofendim, por as „autoparlant i Putinit“ nuk është ofendim, ngase është përdorur figurativisht, pë të treguar „mbështetjen e pakrye të Putinit“

Posht ofendimet dhe nënçmimet!!!

F.P.

Larg ujqive të stërkequr!

Të nderuar aktivistë të L.VV!

Postoni, por mos iu përgjigjni gjithkujt nëpër komentet e tyre nën postimet tuaja.
Më dëgjoni mua.
Nuk e lëshojnë leht prenë e quajtur Kosovë ujqit e stërkequr nga dhëmbët e ngulitur mbi te që 20 vjet.
Luftojnë për t’i mbrojtur punësimet prej nënës Parti të Punës dhe zhvatjet që ajo ua mundëson.
Duhet t’i kuptoni ngase mbesin pa punë, meqenëse e kanë punën pa meritë.
*
Në një konkurencë të lirë bien si kungujt nëpër ara, duken si kallamboçi pa tallë, ngase e hanë tallën e vet.
Ata dyshojnë për zhvatje nga L.VV, sepse vetë janë të tillë. Vetë me fjalën e vet po e dëshmojnë të gjithë kundërshtarët e L.VV që janë zhvatës të shtetit e shoqërisë.
20 VJET.

F.P

Loja e fëlliqur po përsëritet

UDB-ashat po e sulmojnë Albin Kurtin dhe LVV sikur dikur, kur baballarët, mixhallarët apo dajallarët e tyre shpifnin për atdhetarët e vërtetë gjithfarë etiketash. I quanin në popull „iridentista“, „separatista“, besa edhe „proserb“, a para komisioneve disiplinore, apo para gjyqit i quanin „përkrahës të demonstratave të 1968-ës“ (apo 1981-ës)

Edhe pse kishin të drejtë në pohimet e tyre, qëllimi i tyre ishte burgosja. E qartë se nuk do të duhej ti ngarkonin në atë rast me këso deklarata akuzuese.

Jam vetë dëshmitar i proceseve të tilla të manipuluara, akuzuese pa asnjë fakt, jam poashtu vetë dëshmitarë i kërcënimeve me vrasje nga oficerë legalë të UDB-ës. Pikërisht autorit të këtyre rreshtave iu bë një kercënim i hapur, shkaku se është anëtar i kolegjiumit të gazetës studentore „Bota e Re“ e cila ishte në atë kohë kokë e këmbë atdhetare. Kërcënimi ndodhi më 1989 para „Menzës se studentëve“ në Prishtinë nga UDB-ashi L.N. të cilin të gjithë sulmuesit e Albinit e kanë ndër kontaktet e tyre, qoftë në FcB apo gjetiu.

Për fat të keq atëherë dhe sot këta pisa jugonostalgjikë, shërbëtorë të Beogradit, ose dikur me sharrë e lopatë, ose më vonë si UDB-ash pa shkollë, janë shumicë.

Sot së paku ka mundësi informimi dhe zbulimi të rrenave të tyre idioteske.
Atëherë fare nuk kishte informim dhe populli manipulohej fëlliqësisht.

Dhe shumica UDB-ashe e përbërë nga shkarta xhelozë, analfabetë funksionalë, servilë të pushtetit, njerëz pa shkollë, shumë intelektualë i shpallnin me dredhi edhe pro serb, pa asnjë fakt apo dëshmi.
Të njëjtit sot Albin Kurtin po e shpallin monist, antiamerikan, dhëndërr i Sokoloviqit, e gjithfarë poshtërsishë.

Llumi i tillë, me libreza të LKJ akoma në xhep, ka marrë hov. Vetingu do ti sqarojë gjërat dhe sinqerisht nuk ka pse të mos i gëzohem, kur këta të vetëshpallur „patriotë“ të dalin faqezi, siç kanë qenë gjithmonë.
Gënjeshtra e tyre kinse ishin të burgosur për çështje politike, e në të vërtetë për hajni, do të dalë në dritë. Por ama që mbi 20 vjet u besohet rrenave të tyre.

Maskat po ju bien o ju UDB-ashë të vërtetë, etiketues të pafytyrë, që 70 vjet s’u ndalet e akoma po vazhdoni edhe sot.

Albin jemi me ty!!!

F.P.

Mocioni pasojë Gjendjes së Jashtëzakonshme të synuar nga Presidenti

Pse e ka shkarkuar kryeministri Albin Kurti ish ministrin Agim Veliu?

Isa Mustafa dhe Agim Veliu ishin të parët që shkuan te presidenti Hashim Thaçi, kur i thirri për Gjendjen e Jashtëzakonshme, por pa biseduar me Albinin fare. E përkrahën atë gjendje, që me fjalë tjera i bie se e përkrahën rrëzimin e qeverisë.

Gjendja e Jashtëzakonshme e ka këtë kuptim, pra rrëzimin e qeverisë dhe dhënien e pushtetit absolut presidentit Thaçi.

Kjo disi u përbi nga Albini edhe pse ishte pra një thikë pas shpine.

Por pasi mbajtën mbledhjen e qeverisë dhe Agim Veliu doli në mbledhje kundër Gjendjes së Jashtëzakonshme, por kur doli në media tha që sigurisht që janë për vendosjen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, kjo i bie „Albin, unë ta bëra qefin në mbledhje, se po e rrëzoj me dëshirë qeverinë tonë“.

Kjo deklaratë kulmuese injorante u bë shkas për shkarkim. Por shkaqet ishin më të thella.

Agim Veliu në RTK deklaroi vetë se, me Albinin ka kohë që nuk ka muhabet e as kontakt, sepse Albini zëvendës ia paska emëruar Xhelal Sfeçlën.

Edhe pse marrëveshja e bashkëqeverisjes thotë që secili subjekt politik vetë i cakton zyrtaret që i takojnë, Agimi i LDK-së i tregon Albinit të LVV-së, se kënd ta vendosë aty.

LDK-ja pra i bëri 3 shkelje të marrëveshjes.

1.Kur u përzie për Sfeçlën.

2.Kur shkoi te Thaçi për Gjendjen e Jashtëzakonshme pa u marrë vesh me Albinin dhe LVV.

3.Kur doli në media me deklaratë të kundërt, çfarë thoshte në mbledhjen e qeverisë, pra pro Gjendjes së Jashtëzakonshme d.m.th. pro rrëzimit të qeverisë.

T’ia japësh pushtetin absolut Hashim Thaçit që po e synon ndarjen e Kosovës, është një gabim fatal. Në këtë rast Kosova do të shndërrohej në diktaturë, ku FSK do ta kontrollonte territorin nën urdhëra të presidentit, e jo qeveria, pasi se Hashim Thaçi është komandant suprem i FSK-së dhe në atë gjendje të jashtëzakonshme ka pushtet absolut (që ndryshe i bie diktatorial). FSK nuk do të mund të shkonte në veri, Serbia veriun do të mund ta merrte me ushtri.
E për këto shkaqe Albini u detyrua ta shkarkojë Agim Veliun.

Pasojat e Gjendjes së jashtëzakonshme do të ishin:
– 7 milion Euro harxhime në ditë (zgjedhjet na kushtojnë sa vetëm një ditë e tillë)
– Infektimi i ushtarëve të FSK me Corona virus, shkaku i kontaktit të pashmangshëm me njerëz të infektuar dhe shtrirja e madhe e infeksionit.
– Gjasa e madhe e humbjes së 30% të territorit të Kosovës, të cilin FSK nuk do të mund ta mbronte, as shkaku i marrëveshjes së Thaçit me KFOR-in, as shkaku i ushtarëve të sëmurë nga Corona virusi.


Çështja e Blerim Rekës, që është përmendur me ka mllefosur tepër edhe mua. Kam dalë me reagim të fort kundër tij.

Por me vonë, pas disa hulumtimeve, e kuptova që një korridor të tillë e kishte Serbia tashmë, prej vitit 2014, nga Hashim Thaçi dhuratë.

Kjo më habiti edhe mua, mirëpo duke ditur që Hashimi i mban marrëveshjet fshehur, u binda.

Përfundim:
Mocioni për rrëzimin e qeverisë së zgjedhur demokratike duket qart se është i planifikuar nga ideatori Isa Mustafa me Agim Veliun dhe Hashim Thaçin.

Gjendja e Jashtëzakonshme, e cila nuk ka përse shpallet për 20 te infektuar me Covid-19, është e rrezikshme dhe shumë e kushtueshme. Çdo ditë nga përafërsisht 7 Milion Euro (çdo ditë harxhime, sikur të mbaheshin zgjedhje).

Ta lësh Kosovën pa institucione ne kohën e virusit Covid-19, ti detyrosh qytetarët të dalin në zgjedhje mu tani dhe kështu ta përhapësh infektimin në popull dhe në ushtri është më tepër se injorancë.

Ambasadori amerikan z. Kosnett dhe bashkëshortja e tij dolën kundër Mocionit dhe pro qeverisë Kurti. Kjo d.m.th. mjaft!

Apeloj te deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të mos e procedojnë Mocionin në Kuvend, ose së paku ta lënë për më vonë, pasi virusi Corona të bëhet i kontrollueshëm.

Ju lutem mos e braktisni këtë popull, të cilit kurrë nuk ia nda gazepi!

F.P.

Pak për qeverisjen lokale

Sot është shumë e qartë se:

LDK-në ta votosh sot është humbje e votës, kurse PDK-në ta votosh është shkatërrim i shtetit. (Të tjerët edhe ashtu nuk janë faktorë. AAK, AKR apo Nisma asnjëherë nuk do ta fitojnë pushtetin vet.)

Përjashto një numër të vogël, udhëheqësitë e PDK-së janë të ngopura me analfabetë funksionalë, kurse të LDK-së me servilë e po ashtu me analfabetë funksionalë.
L.VV është akoma e re në qeverisjen lokale. Si e papërvojë edhe pse më e sinqerta është duke punuar për popull. Sigurisht që edhe aty ka analfabetë funksionalë.

Ama vetëm sinqeriteti nuk mjafton. Dikush dihet të fillojë e ti studiojë sistemet e njohura të qeverisjes dhe të fillojë të mendojë për qeverisjen lokale, që i përgjigjet komunës.
Këtu ka mungese të njohurive të bërjes së punëve përmes lidhjeve online në internet. Shumë konkurrencë online ka për punë të ndryshme, që mund të kryhen, por duhet dije. Duhet investim.

Dije nuk kanë profesorët, se lere më studentët, e thuajse hiç nxënësit.
Sistemi shkollor është katastrofal. Jo pse nuk duan, por pse nuk dinë, edhe po deshën. PA FAJ po kuptohet.

Është trashëguar diplomimi pa dije të vërtetë. Askush nuk di vërtet. Ndodhin improvizime kinse dikush po di diçka.
Madje profesorët e shesin lenden sa më të vështirë, sepse i frikohen “marrjes se fytyrës” kur nxënësit pyesin mençur, ngase i zënë.
“Më mirë të mos dinë nxënësit se t’ia marrin fytyrën.” motoja e tyre.
Kështu janë një numër i madh i arsimtarëve e profesorëve.

E si të zhvillohet Kosova? Me bujqësi? Po kush u zhvillua me bujqësi, që vazhdimisht duhet subvencionuar?! Mos Afrika, që Allahu e ka furnizuar me pemë të shumëllojshme….?

Po analiza nuk ka kufi. Keq jemi.
Punë për mësim, punë për studim, punë për hulumtim, punë, punë, punë.

F.P.

Ne s’jemi n’tô që 20 vjet

Populli ynë më së lehti mashtrohet sesa bindet që është mashtruar“.

Që 15 vjet kahmos online thuhet që po mashtrohemi, që jemi mashtruar, madje që 30 vjet dihet kjo. Por ne si popull kuptojmë me vonesë. Tepër vonë.

Më e keqja është, që shumica akoma nuk e kemi kuptuar. Vetëm një numër i vogël po.

Shikoni se si dalim në zgjedhje diku 40% dhe lavdërohemi „Unë nuk merrem me politikë“.

Kjo është idiotësi.

Tash e kemi të qartë se politika qenka në fakt mjeku, qenka ndaluesi i rritjes së çmimeve në rast krize, por edhe harxhuesi i rezervave të shtetit, mu në kohën kur për to kemi më së shumti nevojë.

Qenka ilaçi, shtrati në spital, infuzioni, mielli që e bëjmë bukë përditë, uji që e pimë.

Dhe faji është jetim. Askush nuk e merr si pjellë të veten. Askush nuk e birëson së paku.

Hajde tash, livrit ti, që „me politikë nuk merresh“. Kërko miell nëpër Kosovë, nëse gjen. Kërko ndihmë nga mjeku, që vetë është i rrezikuar, që së paku një palë dorëza do të donte ti kishte.

Kërko maska ti „infermier“, ama nga ata, që i mbështete, që i pate në pushtet deri dje, që shkretuan buxhetin deri në centin e fundit rezervë, e jo nga ata, që e morën buxhetin me 350 milion euro në minus.

Ti „infermier“ i ashtuquajturi „mjek“ je shembull i pastër i IDIOTIT POLITIK, je përfaqësues i idiotëve politikë që na kanë mbushur portalet, rrjetet sociale dhe jetën reale.

„Ra Korona, i pamë punët tona (që s’jemi n’tô)”

Zoti bëftë mirë!

F.P.

Kur e humb toruan

Opozitë e dashur, tarifa i është vendosur Serbisë.

Hashim i dashur, tarifa i është vendosur Vuçiqit.

Jo SHBA-ve JO, JO, o z. Grenell!!!

Tarifa nuk të është vendosur as ty o “RTK”, as ty o “Gazeta Express”.

Z. President, siç duket ti e ke involvuar Grenellin, ama për ta shpëtuar Serbinë.
Ti, a e përfaqëson Kosovën apo Serbinë ore?!

Lëri ndërkamcat kundër kryeministrit Kurti!

Krejt ato deklarata „amerikane“ andej-këndej duket se janë të paguara nga xhepi i taksapaguesit të Kosovës, ose nga fondet e dikurshme të diasporës.

E dimë ne, nuk na mashtron dot, kot e ke.

Ama për këtë zhvatje të parasë publike do të japësh përgjegjësi një ditë. Ngase po e shëtit botën pa asnjë dobi për Kosovën.

President, që hedh deklarata kundër shtetit të vet, kudo që shkruan e flet.

As pesimistët më të mëdhenj nuk e kanë pritur, që ti futesh kaq thellë në aventura.

STOP!

F.P.

Gjërat e vogëla i bëjnë të mëdhatë

(E marrë nga „Kujtimet e mia“)

I nderuar mik!

„Dëgjomë që të më kuptosh dhe hesht që të më dëgjosh më mirë“.

Pasi përfundova shkëlqyeshëm studimet, punova si arsimtar i matematikës në një gjimnaz. Ditarin ma mori policia serbe si edhe shumë të tjerëve dhe nuk më mbeti tjetër mbijetesë pos kurbetit.
Në Vjenë erdha me shumë frikë, sepse asgjë nuk dija për te, përpos si kryeqytet austriak. Dija e mjaftueshme nga shkollimi më bënte të qëndrueshëm, kisha besim se ia dal, përkundër frikës.
Kështu në fillim punova gjithçka falë gjuhës frënge dhe asaj angleze që sadopak i njihja, ngase nga gjermanishtja, përpos ca fjalëve nga filmat „partizanë“, nuk dija asgjë.

Më qëlloi fati të punoj si konstruktor stufash nëpër shtëpitë private. Vetëm tejet të pasurit e këtushëm vendosnin stufa të tilla luksoze nëpër shtëpitë e tyre.

Këtu pash një dallim: Të pasurit qenkëshin këtu edhe të mençur.

Gjuhën gjermane e zotërova më shpejt sesa mendova.

Ku dua të dal?

Një familje austriake, e pasur, tri anëtarëshe, babë, nënë e bir, ishte nikoqir yni një kohë të gjatë. Disi sikur u familjarizuam. Një ditë me veshët e mi dëgjova një diskutim, që zhvillohej aty para syve të mi:
Djali kishte vendosur të braktiste shkollën dhe dëshironte të punonte. Nëna e tij, si çdo nënë, e brengosur për ardhmërinë e djalit të saj, megjithëse në dukje e qetë, bombardonte djalin me pyetjet „pse“ „si“ „kur“, por më në fund i tha atij: „Mirë bir, pasi që ti ke VENDOSUR, unë duhet të pajtohem.“
Mua kjo më habiti, sepse në mendjen time prindi nuk bënte assesi që të lejonte një „katandisje“ të tillë të të birit. Nuk mu durua, iu afrova zonjës dhe e pyeta:
„Përse e lejuat një gjë të tillë më intereson, djali juaj si duket nuk paska respekt për ju, apo ku qëndron çështja?“
„Jo“ më tha, „Në këtë rast ai vetëm se mund të më NDERONTE mua, ndërsa, po të mos pajtohesha, unë nuk do ta RESPEKTOJA atë“

Këtë fjali nuk munda ta shporr nga mendja kurrë.

Për herë të parë dëgjova fjalët „NDERIM“ dhe „RESPEKT“ në kontekste të ndryshme, kundërshtuese, e që për mua ishin të njëjta.

„Zonjë“ vazhdova „ku qenka dallimi mes nderimit dhe respektit, se unë këtë dallim nuk e ditkam, për mua këto janë dy sinonime me të njëjtin kuptim.“
Ajo qeshi dhe mi tha dy fjali, që ishin themeli i komunikimit ndërnjerëzor, e që unë deri në atë çast nuk e kisha idenë.

Kështu ma tha ajo fjalinë e parë:
„NDERIMI është diçka e këndshme, një sjellje apo vepër e mirë, që për të nuk ka askush patjetër nevojë, ndërsa RESPEKTI është diçka që mund të jetë i këndshëm ose edhe jo, por që është detyrim dhe është i pa alternativë“

Kështu ma tha fjalinë e dytë:
„Ju e NDERONI një mik tuajin me një „mirëmëngjesi“, „gëzuar ditëlindja“ apo „urime për lindjen e djalit“ dhe ia dërgoni një dhuratë, por kjo nuk ia bën atij as mëngjesin më të mirë seç është në të vërtetë, as nuk e rinon, pastaj djali i tij kishte lindur edhe pa urimin tuaj ose dhuratën tuaj. Për këto pra nuk ka ai patjetër nevojë.
Por nëse miku juaj VENDOS që të kërcejë nga dritarja, nëse ju vërtet e RESPEKTONI, do të pranoni vendimin e tij që ai të kërcejë nga dritarja.“ dhe, pasi buzëqeshi, shkoi.

Dallimi pra qenka: „RESPEKTI qenka të mos mi ndryshosh vendimet e mia, mos mi kundërshtosh ndjenjat e mia, dëshirat e mia, kurse NDERIMI qenka kur unë ta bëj një gjest të mirë, ose të ta them një fjalë të mirë, për të cilën ti nuk ke patjetër nevojë.“

Nëna austriake pyeti shumë, por nuk ia ndryshoi VENDIMIN e djalit të saj, e RESPEKTOI atë, ndërsa djali do të mund ta NDERONTE nënën duke ia bërë qejfin asaj. Por, pasi se për këtë nëna nuk kishte patjetër nevojë, vendimi i djalit gjeti zbatim.

Ky ishte çelësi i lumturisë së asaj familjeje dhe i komunikimit aq të frytshëm mes tyre dhe ishte një veti e të gjithë austriakëve.

Në çast, nëpër kokën time, fluturuan fjalitë e prindërve tanë:
„Ec more, pse po shkon të bësh muzikë me shokët, në vend se të më dëgjosh mua e të sjellësh ca dru nga mali“, ose:
„Bir bën si të them unë, se krejt njerëzia po thonë, ja ky nuk po ka respekt për babën“ e të tjera, e të tjera fjali, që janë vërtet të dhimbshme dhe shkatërruese të shume lumturive familjare.

Përfundova se te disa nga ne shqiptarët paska një ngecje. Te ne gati se askush askënd nuk e respektuaka.
As babai djalin, kur ai VENDOS të bëjë muzikë, as babai vajzën, kur ajo VENDOS të fejohet apo martohet me atë që ajo e do, as burri gruan, kur ajo VENDOS të shkurorëzohet, as prindi fëmijën, kur ai VENDOS të studiojë artin e jo medicinën sipas dëshirës së babait, as vjehrri nusen, kur ajo VENDOS ta dërgojë në shtëpi të pleqve për të mos u detyruar ta braktis punën për ti shërbyer atij jo profesionalisht, etj. etj.

Ti i ke me siguri shembujt tu.

I kisha bërë gjithë ato vite jete, i kisha përmendur këto dy fjalë qindra herë, por kuptimin nuk ua kisha ditur, as gjuhësor, as jetësor.

Eh…..thash, NE SHQIPTARËT KEMI NEVOJË PËR DIJE MË SHUMË SE PËR UJË E PËR BUKË. Ne as gjerat më të thjeshta nuk i kemi qartësuar.

Edhe unë kam nevojë për dije, tepër, por edhe ti miku im.

Mëso!

F.P.