Perandoria Osmane, Kadare dhe Islami

(shkurtimisht nga këndvështrimi im)

Çdokush i huaj, që administron trojet e një populli tjetër, është pushtues. E qartë!

Ai që thotë: „Perandoria Osmane ka qenë shumë e mirë“ e ka gabim. Por ai që thotë: „Perandoria Osmane ka qenë më e mirë se Mbretëria Serbe“, ai ka të drejtë.

Z. Ismail Kadare po flet për diçka inekzistente te shumica e kombit shqiptar. Ata që thonë „P. Osmane ka qenë shumë e mirë“, janë pakicë. Madje unë besoj që nuk ka fare të tillë, ndonëse disa e thonë.

Kjo, ngase në diskutimet e sotme, P. Osmane po identifikohet nga disa shqiptarë me Islamin. Këtu po identifikohen dy palë:

  1. Kështu disa shqiptarë islamofobë po e paraqesin Perandorinë Osmane akoma më të keqe se Mbretëria Serbe, kurse
  2. Disa shqiptarë muslimanë po e paraqesin Perandorinë Osmane shumë të mirë.

Këtu pra është e qartë, që secili e ka hallin te feja Islame.

Kadareja e ka të njëjtin hall.

Në vend se toleranca të jetë bazë e shkrimeve të tij (si intelektual i arrirë), ku thjesht e pranon realitetin, pra që shumica absolute e shqiptarëve janë muslimanë (të moderuar) dhe të ketë respekt ndaj tyre, ai çohet dhe përpiqet t’ia imponojë shumicës shqiptare tezën e tij se „krishterimi është qytetërim“. Pra një tezë idiotësie dhe irituese. Një mosrespektim i paarsyeshëm i bashkëkombësve të vet.

Ngase ne e dimë fort mirë se si kisha dogji njerëz, që e thoshin të vërtetën shkencore, në periudhën e Inkuizicionit. Ajo dogji madje gra, që vetëm hundën e patën të kërrusur, duke i klasifikuar si “shtriga”. E kjo të konsiderohet si „qytetërim“ është jashtë çdo logjike. Krishterimi pra i ka po ashtu anët e tija tepër të errëta.

Andaj, për të qenë korrekt kundrejt vlerësimeve të tij, më duhet të ceki këtu, se ka studime të huaja, tejet kredibile, që dëshmojnë se shqiptarët nuk kanë qenë vetë të interesuar për ta shkruar gjuhën e vetë, madje disa thonë që shqiptarët kurrë nuk kanë qenë të interesuar të kenë shtet me të gjitha parametrat, sidomos me ushtri të organizuar.

Gjithmonë, edhe kryengritjet e shqiptarëve kundër pushtuesve janë bërë në grupe çetash të vogla vullnetare guerile, po kurrë me një ushtri obliguese, me strukture të kompletuar dhe linjë komanduese të qartë.

Nëse përcillen ngjarjet e fundshekullit të 20, këto teza ngjajnë të jenë të drejta. Ngaqë vetëm 1% e njerëzve të aftë për lufte iu bashkëngjiten luftës kundër Serbisë. Kjo e para.
E dyta, ne edhe sot, duke e pasur gjuhën standarde shqipe të kompletuar gramatikisht, nuk e shkruajmë me pasion, ose „na vjen turp ta flasim, apo shkruajmë gjuhën standarde sepse na përqeshin“ (më tha një i ri, kur e kritikova për shkrimin me gabime).

Madje ca “intelektualë” shkojnë akoma më tej dhe kërkojnë që gjuha standarde shqipe të ndahet në Gegërishte dhe Toskërishte, ku e para do të emërtohej “gjuha kosovare” e tjetra të mbetet “gjuha shqipe”. Çfarë injorance, apo jo?!

Prandaj mendoj se duhet hulumtuar më tepër, para se fajin e mungesës se shkollave shqipe t’ia lëmë ekskluzivisht Perandorisë Osmane.

Për fund, ne gjithnjë mund t’ia lëmë fajin të tjerëve për dështimet tona, por unë mendoj se këtë e bëjmë nga papjekuria jonë si komb.
Fajin për çdo dështim e kemi vetë dhe pikë.

F.P.