Marrëveshja e Washingtonit, analizë e pikave kyçe të paktit ekonomik dhe gjeopolitik

Më 4 shtator 2020, Shtëpia e Bardhë u bë skenë e një prej ngjarjeve më të përfolura diplomatike për Ballkanin Perëndimor, ku kryeministri (ilegal e antikushtetues) i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan të ashtuquajturën „Marrëveshje e Washingtonit“.

Nën ndërmjetësimin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, ky dokument u paraqit zyrtarisht si një pakt për normalizim ekonomik, i fokusuar në projekte infrastrukturore, hapjen e pikës kufitare të Merdarës, lidhjet hekurudhore dhe rrugore Prishtinë-Beograd, si dhe njohjen reciproke të diplomave universitare.

Po ashtu, marrëveshja përfshinte zotime gjeopolitike e teknologjike, si ndalimi i pajisjeve 5G nga furnizues të pabesueshëm, shpallja e Hezbollahut si organizatë terroriste, moratoriumi njëvjeçar për kërkesat e Kosovës në organizata ndërkombëtare kundrejt ndalimit të fushatës serbe për çnjohje, si dhe njohja historike reciproke mes Kosovës dhe Izraelit.

Megjithatë, përtej diplomacisë ceremoniale, një nga pikat më kontroverse dhe më të kritikuara të këtij dokumenti lidhej me lehtësimin e qasjes së Serbisë në një port të thellë detar në Adriatik përmes rrjeteve të reja të transportit hekurudhor e tokësor.

Ky zotim i ish-kryeministrit Avdullah Hoti zgjoi reagime të ashpra politike e historike, pasi rënia dakord për t’i mundësuar Beogradit një lidhje të tillë direkte me Detin Adriatik u pa si realizim falas i një ëndrre të vjetër gjeopolitike serbe. Synimi i Serbisë për të pasur dalje me çdo kusht në Adriatik daton që nga Lufta e Parë Ballkanike e vitit 1912, kur Mbretëria e Serbisë pushtoi territoret e Shqipërisë së Veriut dhe marshoi deri në Durrës me qëllim të vetëm marrjen e një porti detar.

Kjo orvatje ekspansioniste e Serbisë atëbotë u ndalua vetëm pas ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912–1913), e cila njohu pavarësinë e Shqipërisë dhe detyroi tërheqjen e trupave serbe nga bregdeti shqiptar.

Kritikët e akuzuan Hotin se me një nënshkrim i fali Serbisë një interes shekullor strategjik, të cilin ajo nuk e kishte arritur dot as me pushtimet e përgjakshme të fillimshekullit XX.

Opozita e atëhershme në Kosovë, e udhëhequr nga Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, lëshoi një varg kritikash të pamohueshme ndaj kësaj marrëveshjeje, duke e cilësuar atë si një goditje të rëndë për sovranitetin dhe integritetin shtetëror.

Kurti e akuzoi hapur Avdullah Hotin se ishte udhëheqës i një „qeverie të paligjshme“ që po bënte kompromise të dëmshme dhe falje të resurseve kombëtare. Ai e dënoi ashpër zotimin për përfshirjen e Serbisë në studimin e fezibilitetit për Liqenin e Ujmanit, duke e quajtur cenim të drejtpërdrejtë të sovranitetit mbi pasuritë ujore e energjetike të Kosovës.

Po ashtu, Kurti e konsideroi moratoriumin njëvjeçar mbi anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si një „vetëpezullim“ të dëmshëm të shtetësisë në arenën globale. Për më tepër, Kurti deklaronte se pranimi i nismës së Mini-Schengenit dhe garantimi i daljes së Serbisë në Adriatik e shndërronin Kosovën në një urë kaluese për hegjemoninë ekonomike serbe në rajon, duke premtuar se me ardhjen e tij në pushtet ato pika nuk do të zbatoheshin.

Sot e kësaj dite, Marrëveshja e Washingtonit mbetet një kapitull i debatueshëm në historinë e diplomacisë kosovare. Ndërsa mbështetësit e saj theksojnë si arritje madhore njohjen nga Izraeli dhe rritjen e vëmendjes amerikane për rajonin, kritikët e udhëhequr nga Kurti vazhdojnë ta shohin atë si një listë lëshimesh ku Kosova komprometoi resursi natyrore, sovranitetin dhe aspiratat globale për të përmbushur synimet historike e ekonomike të Beogradit. Ky ballafaqim qëndrimesh vazhdon të mbetet një nga pikat kryesore të ndarjes në debatin politik mbi mënyrën se si duhet të ndërtohen marrëdhëniet dhe dialogu me Serbinë.

F.P.

Vërtet „Feja e Shqiptarit është Shqiptaria?“

SHQIPTARIA është komb gjaku dhe gjuhe.

​Në debatin publik të sotëm, sllogani i njohur historik shpesh po përdoret jashtë kontekstit origjinal.

Cila është baza e vërtetë e identitetit shqiptar?​

Riformulimi i një sllogani historik sikur që është ​shprehja „Feja e shqiptarit është shqiptaria“ po rikthehet shpesh në debatet e përditshme, por jo gjithmonë me kuptimin e saj të saktë. Përdorimi i saj sipërfaqësor rrezikon të mjegullojë një të vërtetë thelbësore: Shqiptaria nuk është fe, por KOMB.

Gjaku dhe Gjuha vlejnë si shtylla autoktone.

Përparësia e jashtëzakonshme autoktone e kombit shqiptar qëndron në faktin se themelet e tij nuk bazohen në fe, por në dy shtylla të palëkundshme: gjakun dhe gjuhën.​ Ndryshe nga disa kombe fqinje, ku përkatësia fetare përcakton automatikisht kombësinë, shqiptarët ruajnë një model të veçantë identiteti. Ndërsa te disa popuj të rajonit përkatësia konfesionale shërben si bazë përcaktuese kombëtare, kombi shqiptar e tejkalon këtë ndarje duke e vendosur bashkimin te gjuha dhe origjina e përbashkët.

Narrativa publike rreth identitetit tonë ka kaluar nëpër sfida të vazhdueshme. Pasi dështuan përpjekjet për ta paraqitur bashkësinë tonë para Evropës përmes etiketimeve radikale fetare, strategjia e qarqeve që kundërshtojnë faktorin shqiptar ka ndryshuar formë.​Strategjia e re përpiqet ta paraqesë vetë Shqiptarinë si një „fe“. Ky tjetërsim konceptual synon ta shndërrojë kombësinë nga një realitet historik dhe gjuhësor në një doktrinë fetare.​Shqiptaria nuk është fe dhe kurrë nuk do të jetë e tillë. Ajo është dhe do të mbetet përgjithmonë një komb i bazuar në gjak dhe gjuhë.

Ruajtja e Themeleve Kombëtare ​përballë këtyre debateve, mbetet e rëndësishme. Duhet që vetëdija publike të mbështetet në fakte historike. Identiteti shqiptar nuk ka nevojë të përshtatet brenda kornizave konfesionale. Forca e tij qëndron te vazhdimësia gjuhësore dhe trashëgimia autoktone që i ka bërë ballë kohës.

F.P.

Nga Diplomacia në biznes: Si u kthye Richard Grenell në aleatin më të ngushtë të Beogradit

Beograd, 25. Tetor 2023

ANALIZË / GJEOPOLITIKË

Një vështrim mbi evolucionin e marrëdhënieve mes ish-të Dërguarit të Posaçëm të SHBA-së dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, nga „Marrëveshja e Uashingtonit“ tek investimet milionëshe në ish-Shtabin e Ushtrisë Jugosllave.

Marrëdhënia mes ish-diplomatit amerikan Richard Grenell dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq përbën pa dyshim një nga zhvillimet më të diskutuara dhe më të jashtëzakonshme në politikën e Ballkanit gjatë viteve të fundit. Ajo që nisi si një mandat zyrtar diplomatik gjatë administratës së Presidentit Donald Trump, ka evoluar me kalimin e kohës në një aleancë të ngushtë politike dhe, së fundmi, në partneritete të mëdha ekonomike, duke fshirë vijat ndarëse mes diplomacisë dhe interesave private. Pika e nisjes së këtij raporti ishte emërimi i z. Grenell si i Dërguar i Posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Me një qasje jokonvencionale, Grenell vendosi të linte mënjanë çështjet thelbësore politike si njohja e ndërsjellë, për t’u përqendruar te „normalizimi ekonomik“. Kjo qasje, e cila u prit me krahë hapur nga Beogradi, kulmoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit më 4 shtator 2020. Ndonëse dokumenti kishte natyrën e zotimeve të njëanshme, ai shërbeu si një urë thelbësore komunikimi të drejtpërdrejtë mes Vuçiqit dhe rrethit të ngushtë të Uashingtonit. Ndryshe nga praktika e zakonshme e diplomatëve ndërkombëtarë, të cilët shpesh distancohen nga rajoni pas përfundimit të mandatit të tyre, Grenell bëri të kundërtën. Ai mbajti dhe thelloi lidhjet me Beogradin pas vitit 2020. Vizitat e tij të shpeshta informale, darkat me Vuçiqin dhe zyrtarë të lartë serbë, u bënë një pamje e zakonshme, e pasqyruar gjerësisht në mediat sociale. Kjo miqësi u zyrtarizua në tetor të vitit 2023, kur Presidenti Vuçiq e dekoroi Grenellin me „Urdhrin e Flamurit Serb të shkallës së parë“, për merita të jashtëzakonshme në zhvillimin e bashkëpunimit mes Serbisë dhe SHBA-së.

Në arenën publike, ish-diplomati amerikan është shndërruar në një avokat të theksuar të qëndrimeve të Beogradit, duke mos ngurruar të dalë hapur me kritika të ashpra e të vazhdueshme ndaj qeverisë së Kosovës.

Grenell ka akuzuar rregullisht kryeministrin e Kosovës për tensionet në veri dhe për bllokimin e investimeve amerikane. Kjo retorikë e ka shndërruar atë në një figurë tejet të popullarizuar në peizazhin mediatik të kontrolluar nga qeveria serbe, ku ai shpesh cilësohet në tituj si „miku i dëshmuar i Serbisë“. Megjithatë, prova më e qartë e transformimit të këtij raporti u zbulua në fillim të vitit 2024. Një investigim i mediave ndërkombëtare nxori në dritë një plan masiv investimi në pasuri të paluajtshme, me ndërmjetësimin kyç të vete Grenellit. Projekti parashikon që kompania e Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, të ndërtojë një kompleks luksoz hotelesh dhe apartamentesh mbi rrënojat e ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave në qendër të Beogradit—pikërisht godina që u bombardua nga NATO në vitin 1999. Qeveria serbe ka ofruar kushte tejet të favorshme për këtë projekt, përfshirë dhënien e tokës me qira 99-vjeçare pa pagesë fillestare, duke i garantuar mbështetje shtetërore këtij investimi që përllogaritet në miliarda dollarë. Në përfundim, kjo përzierje e diplomacisë së dikurshme, lidhjeve të ngushta personale dhe interesave multi-milionëshe të biznesit, e bën raportin e Richard Grenell me lidershipin serb të pashembullt në historinë e angazhimit amerikan në Ballkan. Përtej retorikës, kjo marrëdhënie ngre pyetje thelbësore mbi vijën e hollë që ndan mandatin e dikurshëm publik nga diplomacia transaksionale dhe përfitimet private në epokën moderne.

F.P.

Kërcënimi (Kanosja) nga larg.

(edhe në rrjetet sociale)

Kur konsiderohet një deklaratë nga larg si kërcënim (kanosje)?

Për t’u kualifikuar ligjërisht si kërcënim, një deklaratë duhet të plotësojë 3 komponentë:

  1. Kërcënimi duhet të shprehet në mënyrën dëftore në kohën e tashme ose të ardhshme. (Për shembull: „të vras“, „do të të vras“, „do të të mbys“, „të ther“, „të çoj në spital“, „do të të pres krahun/gishtin“, „do të të thyej hundën“, „do të ta nxjerr gabzherrin“, „do të të verboj“, „do të t’i shkul flokët“, „do të ta kalli shtëpinë, ta djeg familjen, etj.) Nëse shprehet p.sh. në mënyrën kushtore, nuk përbën kërcënim (do ta kisha …., nëse do të më afroheshe me shtagë, unë do të theja dhëmbët…., nëse më sulmon…. po qe se do të provoje….)
    Kujdes se kërcënimet kategorizohen në të lehta, të mesme dhe të rënda. Masa e dënimit përcaktohet pikërisht nga kjo shkallë e ashpërsisë dhe nga serioziteti i kërcënimit.
  2. Deklarata duhet të përfshijë kohën apo momentin kur mendohet të realizohet ky zotim. (Për shembull: „kur të vij në Prishtinë“, „nesër në mëngjes“, ose „më 20 janar“, „në ditën e dasmës“, etj.)
  3. Duhet të tregojë, ose të paktën të nënkuptojë, mjetin me të cilin do të kryhet akti. (Për shembull: me grushta, me thonj, me ngrehje gishti).
    Komponenta e 3-të mund të jetë tepër e tërthortë, metaforë ose ironi, apo alegori, jo pra patjetër e drejtpërdrejtë (p.sh. dreqi me dhembë ka me të kafshuar,, ose „do ta njohësh Tysonin“ që nënkupton grushtat.) Në raste të kërcënimeve me jetë, komponenta e 3-të bie. (P.sh. të vras, do të të djeg, do ta vras babain tënd…etj)

Nëse mungon njëra nga këto tri komponente, deklarata nuk konsiderohet kërcënim, përveç rasteve kur ajo përsëritet dy ose më shumë herë. Në aso raste vetëm komponenta e parë mjafton.

Shpjegim: Dënimi nuk varet nga ajo nëse viktima është frikësuar. Nëse ju jeni viktimë dhe psiqikisht i fortë, aq sa të qeshni me atë deklaratë, kjo nuk e shfajëson kërcënuesin.
Denimi varet edhe nga serioziteti i kërcënimit. Nëse dikush thotë „do të të bombardoj me aeroplan“, nëse ai nuk është pilot luftarak, kjo deklaratë konsiderohet joserioze dhe nuk shqiptohet dënim për te.

F.P. (Autori është anëtar jurie në një gjykatë të Vjenës)

Problemet me Autostradën „Ibrahim Rugova“

Autostrada „Ibrahim Rugova“ është ndërtuar nga „Bechtel-Enka“, një firmë që është thuajse kampione në botë për ndërtime të tilla, dhe siç e dimë ne, kjo autostradë është ndërtuar me materiale të kualitetit të lartë (siç thuhet, me high-performance). Autostradat e tilla tek pas rreth 20 vjetësh fillojnë me probleme.

Kjo, që ka ndodhur në Autostradën „Ibrahim Rugova“ nuk bën pjesë në dëmtimet normale të autostradave me „kualitet të lartë“, ngase këto nuk do të duhej të ndodhnin para 20 vjetësh.
Por kjo ka ndodhur tashmë dhe kërkon shpjegim.

Kur tonelata të tëra dheu shkëputen nga shpati dhe bien mbi autostradë, kemi të bëjmë me forcën e natyrës dhe me një problematikë shumë specifike gjatë ndërtimit të autostradave dhe kjo është siguria e pamjaftueshme e shpateve dhe të anëve të rrugës.
Kur pjesë të shpatit shkëputen dhe bien mbi autostradë, kjo zakonisht ndodh për shkak të disa faktorëve. Më kryesorët po i përmendi këtu:

Moti ekstrem

Kosova ka pasur vitet e fundit periudha me reshje ekstremisht të dendura shiu ose shkrirje shumë të shpejtë të borës në pranverë.
Kur bie shi i rrëmbyeshëm për ditë të tëra, dheu i shpatit e thith ujin me bollëk.
Si pasojë, toka bëhet jashtëzakonisht e rëndë sepse fillon të vllagohet nga brenda. Në një çast, shpati e humb stabilitetin dhe rrëshqet teposhtë si një „ortek“ me baltë dhe gurë, që pastaj shkakton probleme vijuese, si ngushtimi i korsive, plasaritjet në asfalt… etj.

Siguria e shpateve

Kur një autostradë ndërtohet përmes një terreni malor, nuk mjafton vetëm shtruarja e asfaltit. Shpatet majtas dhe djathtas rrugës duhet të stabilizohen. Nëse ato shpate fillojnë të rrëshqasin tash, pas 13 vjetësh, do të thotë se gjatë ndërtimit para 13 vjetësh janë kursyer të holla në ato vende ose është nënçmuar fuqia e natyrës.

Ndoshta gërmimi ishte shumë i pjerrët, që ndonjëherë, gjatë ndërtimit, shpatet priten shumë pjerrët për t’i kursyer orët e punës, pra të holla. Nëse këndi është shumë i pjerrët, dheu herët a vonë do të mund të rrëshqasë në mënyrë të pashmangshme.

Ose ndoshta ka mungesa e përforcimeve, ngaqë shpatet jostabile, zakonisht duhet siguruar me mure masive betoni, mure bartëse, me „stuba“ të çelikut, të futur thellë në shkëmbinj, ose me rrjete të forta të çelikut.

Mundësia tjetër është që ka drenazh të dobët të shpatit, nëse vërtet ka. Gjëja më e rëndësishme në një shpat janë kanalet e drenazhit mbi autostradë. Uji duhet të largohet para se të depërtojë brenda dheut të shpatit. Nëse këto kanale bllokohen ose janë projektuar shumë të vogla, shpati ngihet me ujë edhe shembet.


Problemi nuk është vetëm dheu që rri mbi autostradë, por shtypja që dheu e shkakton. Kur tonelata të tëra dheu bien nga lart, ato bëjnë presion shumë të lartë mbi autostradë. Akoma më keq që shpeshherë, në raste të tilla, nuk lëviz vetëm dheu mbi autostradë, por edhe trualli nën autostradë fillon të lëvizë, ndonëse minimalisht, drejt anës tjetër, luginës pra. Dhe pikërisht kjo lëvizje shkakton ato plasaritjet e thella dhe të rrezikshme që ne i shohim në asfalt, që mund të duken së shpejti mbi autostradën, ndonëse ka vende ku ato tashmë janë të dukshme, ku disa edhe janë riparuar.

Dëmtimet në autostradën „Ibrahim Rugova“ nuk vijnë pra nga qarkullimi i madh i automjeteve, por nga shpati jostabil. Gjatë ndërtimit të autostradës në atë kohë, terreni nuk është studiuar mirë ose drenazhi i shpateve nuk është i mjaftueshëm në ato pjesë, nëse ai drenazh vërtet ekziston aty.
F.P.

Gasi Amerikan

GASI AMERIKAN dhe „levërdia“ nga ai

Çmimi i gasit amerikan (LNG) që vjen në Ballkan është paksa specifik. Nuk mund të flasësh për një çmim fiks, sepse ai përcaktohet nga disa faktorë, si vendi i origjinës, transporti dhe pikat tregtare të gasit në Evropë.


​​Çmimi i gasit amerikan që e blejnë shtetet e Ballkanit përmban kryesisht dy elemente:

  1. ​Çmimi Henry Hub, që është çmimi i gasit në bursën e SHBA-ve. Gasi në SHBA është i lirë për shkak të prodhimit masiv vendës (teknologjia fracking, që është një metodë e përfitimit te gasit dhe naftës përmes presionit nëntokësor).
  2. ​Elementi tjetër është, që për të ardhur në një shtet Ballkanik, gasi duhet të ftohet në -162°C, që të kthehet në lëng, të ngarkohet në anije të posaçme, të udhëtojë nëpër oqeanin Atlantik dhe të ri-gasifikohet në terminale si ai i Alexandropolit, Greqi apo Kërk, në Kroaci. Kjo shton rreth 3 deri në 6 dollarë për njësi (MMBtu) mbi çmimin bazë.

​​Shtetet e Ballkanit (Greqia, Kroacia, Bullgaria, në të ardhmen edhe Shqipëria) e blejnë gasin në dy forma:

  1. ​Me marrëveshje afatgjata (10-15 vite). Si psh vende si Greqia apo kompani të mëdha rajonale nënshkruajnë kontrata ku çmimi është i lidhur drejtpërdrejt me bursën amerikane, plus një tarifë e transportit. Këto kontrata ofrojnë çmime të qëndrueshme dhe shpesh paksa më të lira.
  2. ​Nëse një shtet i Ballkanit (p.sh. Bullgaria apo Shqipëria në të ardhmen) blen gas në moment të fundit pa kontratë afatgjate, ai shtet paguan çmimin e bursës evropiane të gasit (bursa TTF e Holandës). Ky çmim është gjithmonë më i lartë dhe pëson lëvizje të mëdha varësisht nga kërkesa, stina e dimrit dhe sidomos nga gjeopolitika. Pra çmimi i gasit nuk është stabil dhe i garantuar. Ai mund të rritet aq, saqë ta bëjë të pamundshme pagesën.

Edhe pse gasi në SHBA është i lirë, procesi i gjatë i transportit detar dhe rigasifikimit në terminalet e Greqisë, Kroacisë apo gjetkë, e bën gasin amerikan pak më të shtrenjtë në faturën përfundimtare për shtetet e Ballkanit sesa që ishte gasi rus më parë. Megjithatë, shtetet po e pranojnë këtë kosto shtesë si një siguri për të mos mbetur në terr, apo për t’mos u varë nga vendimet e Moskës.


Kosova, për ta pranuar gasin amerikan, e ka të vështirë, ngase Kosovës i mungon tërësisht infrastruktura (gypat e gasit) për ta sjellë këtë gas përbrenda kufijve.
​Kosova është një nga vendet e rralla në Evropë që nuk ka kurrfarë rrjeti funksional të gasit natyror dhe furnizimi me rrymë varet pothuajse 100% nga thëngjilli (Termocentralet Kosova A dhe Kosova B).
Gasi amerikan mund të mbërrijë në Kosovë në këto rrugë:
​1. Përmes interkonektorit me Greqinë përmes Maqedonisë së Veriut. ​Si bëhet kjo? Gasi amerikan vjen si lëng me anije në terminalin e Alexandropolit në Greqi, ku kthehet sërish në gas. Që ky gas të vijë në Kosovë, duhet të ndërtohet një gassjellës që lidh Greqinë me Maqedoninë e Veriut, dhe më pas një linjë e re nga Shkupi drejt Prishtinës (Interkonektori Kosovë – Maqedoni e Veriut).
​2. ​Një opsion tjetër është lidhja me Shqipërinë. Meqenëse Shqipëria po planifikon të ndërtojë terminalin e gasit amerikan në Vlorë dhe është e lidhur me gassjellësin trans-Adriatik (TAP), ekziston projekti ALKOGAP (Gassjellësi Shqipëri-Kosovë). Ky tub do të sillte gasin nga Shqipëria drejtpërdrejt në Kosovë, por ky kërkon investime qindra miliona eurosh.


Pra për zgjidhjen e problemit të energjisë duhen shumë vite punë dhe investime të mëdha, përkundër faktit se çmimet e gasit janë jo fikse dhe të pallogaritshme. Proklamimi e kesaj alternative si zgjidhje e shpejtë është farse dhe tërësisht për nevoja elektorale.

F.P.

Aritmetikë

Bëhet fjalë për këtë detyrë, e cila po qarkullon në rrjetet sociale. Edhe pse është një detyrë e thjeshtë, për klasën e 3-të të shkollës fillore, ndihem i detyruar t’shpjegoj zgjidhjen e saj, sepse, për habinë time, rreth 70% e komentuesve po e zgjidhin gabim.

Shprehja 2(2+2) shkruhet pa shenjën „•“ sepse, zakonisht, kur ka kllapa, kjo shenjë nuk shkruhet.

Për shembull:

a²-b²=(a-b)(a+b).

Edhe këtu pra nuk shkruhet shenja „•“ (ose ×), megjithëse në të vërtet është kështu:

a²-b²=(a-b)•(a+b).

Po ashtu në shumë shprehje të tjera „•“ nuk shkruhet.

P.sh. te 2x+2y shenja „•“ nuk shkruhet, ndonëse në të vërtetë kjo shprehje është kështu:

2•x+2•y.

Mungesa e shenjës „•“ është edhe shkak për llogaritje të gabuara të këtij lloji të detyrave.

Detyra zgjidhet kështu:

8÷2(2+2) = … kjo detyrë është në të vërtetë kështu:

8÷2•(2+2)

sepse „•“ nuk shkruhet kur ka kllapa edhe pse nënkuptohet, që gjendet aty.

Së pari i heqim kllapat (pastaj nuk i shkruajmë më ato). Pasi llogarisim (2+2) e shkruajmë 4. Shprehja bëhet

8÷2•4

ku kllapat nuk shkruhen më, sepse ato, pasi e kryejnë detyrën e tyre në (2+2), do të shuhen.

Atëherë si më tutje?

Meqenëse pjesëtimi dhe shumëzimi janë veprime të të njëjtit rend të përparësisë, këto operacione aritmetikore kryhen nga e majta në të djathtë, sipas radhës.

Të mos harrojmë se pjesëtimi është gjithashtu shumëzim me vlerën reciproke të numrit, pra 8÷2=8•1/2, prandaj shumëzimi dhe pjesëtimi janë të rangut të njëjtë të përparësisë operacionale.

Pra së pari llogaritet 8÷2 dhe pastaj •4.

Le ta shkruajmë të tërën:

8÷2(2+2)=

=8÷2•(2+2)=

=8÷2•4=

=4•4=

=16.

Zgjidhja pra është 16.

F.P

Dija dhe e vërteta

Niveli i dijes, që e shoh në rrjetet sociale, me keqardhje e them, është shumë i ulët … madje tepër. Gjëja më e keqe është që përtojmë që ta lodhim trurin.
E kuptoj nevojën për humor, art, sport, debate rreth familjes, marrëdhënieve shoqërore, por, o njerëz, shkolla e dija, janë mbi të gjitha, sidomos shkencat ekzakte, nëse e synojmë zhvillimin dhe mirëqenien.

Një detyrë shumë të thjeshtë 90% e komentuesve e zgjidhin gabimisht 8÷2(2+2)=?

Një detyrë tjetër, shumë të lehtë, nga 650.000 veta ASKUSH nuk mund ta zgjidhë brenda 20 orësh. Kuptoni se kjo është një katastrofë për një shoqëri.

Ne kemi individë të aftë, por kjo nuk mjafton. Kam parë të ashtuquajturat punime „shkencore“ nga doktorë të shkencave nga fakultetet teknike dhe po ashtu nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, të botuara në revista „shkencore“. Më besoni se ato nuk janë punime shkencore, ato nuk i shërbejnë askujt, ato thjesht nuk janë asgjë. Më vjen keq ta deklaroj këtë gjë.

Ajo, që do të na duhej, do të ishte një popull i aftë kolektivisht.

Kujdes, le ta kuptojmë, se dinakëria është një aftësi, sigurisht, por vetëm e përkohshme dhe e padobishme. Aftësia e vërtetë është sinqeriteti, të thuash të vërtetën. Është më së vështiri ta thuash të vërtetën kur e gjithë bota është kundër teje.

Por është gjithashtu e vështirë të thuash vërtet të vërtetën. E vërteta fshihet nën shumë ambalazhe, maska, shpifje, shtrembërime… të cilat paraqesin sfida të jashtëzakonshme për t’u ndarë nga e vërteta. Sigurisht, intuita është e nevojshme, por sidomos dija, për të kuptuar të vërtetën.

Mediat tona, përmes rrjeteve sociale, nuk postojnë ASNJË artikull të pamanipuluar. Prandaj, të gjithë artikujt janë thjesht gënjeshtra deri në një përqindje të caktuar. Të gjitha mediat, pa dallim, gënjejnë ose manipulojnë, të paktën në titull dhe më së shumti në të gjithë çështjen, të cilin artikulli e shtjellon. Kjo ndodh për shkak të urisë financiare, qëllimit për t’u bërë i pasur, interesave politike, atyre të pushtetit, atyre puçiste, por edhe atyre kriminale që sjellin fitim të madh pa djersë.

Shumë njerëz po e përqafojnë këtë mënyrë jetese, domethënë fitimin me dinakëri, pa djersë ose kontribut shoqëror. Kjo nuk duket aq e rëndësishme në shikim të parë, por më besoni, kjo është me rëndësi parësore për një shoqëri. Nga ky mentalitet dalin tradhtarë, vrasës, hajdutë, fyes, njerëz moralisht të shthurur, gënjeshtarë etj… nga të cilët nuk kemi asnjë dobi si shoqëri.
Do të doja ta lodhnim më tepër trurin tonë dhe të mësohemi të flisnim ndershmërisht e sinqerisht dhe në atë rast të nxirrnim nga goja apo ta shkruanim vetëm të vërtetën e vërtetë.

F.P.

(18.05.2025)

Edhe diç për Kromin

Krahas arsenit, plumbit, kadmiumit, bakrit, nikelit, merkurit, taliumit dhe zinkut, kromi është një nga metalet e rënda. Ka parametra klasikë që ekzaminohen në mostrat e ngurta si pjesë e masave të hetimit të dheut dhe analizave deklarative. Por kromi është gjithashtu një parametër i rëndësishëm gjatë analizës së ujit, ngase mund të hyjë në ujë të pijshëm nëpërmjet ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore.

Ku gjendet kromi?

Kromi në natyrë zakonisht shfaqet si kromit (FeCr2O4) në tokë (dhé). Në ujërat natyrorë, kromi është i pranishëm si krom III (trevalent) ose krom VI (gjashtëvalent) në sasi të ndryshme. Megjithatë, ai kryesisht futet në mjedis përmes pakujdesisë njerëzore. Si një kromat shumë i tretshëm, ai gjendej, për shembull, në betonin e përdorur në ndërtimin e rrugëve deri kah mesi i viteve ’70. Ky metal i përhimtë rezistent ndaj korrozionit përdoret gjithashtu për një mori punësh kreative si prodhimi i çelikut fisnik (inox), prodhimi i baterive, përdoret për nxirjen e lëkurës dhe si një pigment ngjyrash nëpër bojëra.

Përveç zonave industriale, ndotje më e lartë me krom mund të supozohet edhe në zonat e plehëruara me llum të ndotur të ujërave të zeza me krom.

Komponimet e kromit VI gjithashtu luajnë një rol në galvanizim dhe në procese të tjera të ndryshme industriale. Ato shpesh lirohen gjatë përpunimit të legurave të çeliqeve, për shembull gjatë saldimit dhe ratifikimit (shllajfitjes) se çelikut.

Çka e bën kromin të rrezikshëm?

Helmueshmëria i kromit varet shumë nga gjendja e oksidimit. Kromi trevalent konsiderohet një element thelbësor i natyrshëm dhe shfaq efekte helmuese vetëm në përqendrime të larta. Nga ana tjetër, kromi gjashtëvalent është 100 deri 1000 herë më i helmueshëm dhe konsiderohet kancerogjen.

Nivelet e larta të kromit gjithashtu mund të ndikojnë seriozisht në degradimin biologjik në impiantet e trajtimit të ujërave të zeza për shkak të efekteve eko-helmuese. Shembujt përfshijnë frenimin e nitrifikimit dhe ngordhjen e peshqve në lumin (liqenin) ku shkarkohen sasi sado të vogla kromi.

Shteti duhet të hetojë dhe kontrollojë

Përdorimi i kromit VI në industri rregullohet me rregullore të posaçme; Komponimet e kromit VI duhet të zëvendësohen nëse është e mundur. Në Evropë, zbatohet një standard vlerësimi i lartë me një parametër shumë të ulët për ekspozimin në vendin e punës prej 1 µg/m³. Kur përdoret kromi VI në industri dhe kur përpunohen legura çeliqesh, është i nevojshëm monitorimi i rregullt i ekspozimit në vendet e punës.

Analizat për kromin kanë të bëjnë kryesisht me furnizuesit e ujit, zyrat e inxhinierisë, komunat, impiantet industriale dhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza.

Operatorët e sistemeve private të puseve duhet gjithashtu të kryejnë teste të rregullta të ujit.

Hetimet për përdorimin bujqësor të llumit të ujërave të zeza janë gjithashtu të rëndësishme. Shtimi i kromit mund të shkaktohet, për shembull, nëpërmjet derdhësve ilegalë.

Rregullore të llumit të ujërave të zeza me vlerat kufitare dhe intervalet e përcaktuara të ekzaminimit janë veçanërisht të rëndësishme këtu.

Çfarë duhet hetuar?

Ekzaminimet e tokës, ujit, ujit mineral, ujërave të zeza, llumit të ujërave të zeza dhe ajrit për krom janë standarde në analizat mjedisore.

Për të zbuluar shkarkimet indirekte ilegale, ekzaminohen edhe mostrat e llumit të ujërave të zeza. Nëpërmjet hetimit të besueshëm, sigurohet një vlerësim dhe ky vlerësim dhe klasifikim i duhur i rrezikut mund të përdoret më tutje. Ka metoda jashtëzakonisht të ndjeshme me kufij të ulët sasior për analizën e kromit VI.

Një qendër matëse e akredituar për matjen e substancave të rrezikshme, duhet të jetë gjithashtu në dispozicion për të përcaktuar ekspozimin në vendin e punës. Me laboratorë të kualifikuar, standardi i vlerësimit për përbërjet e kromit VI prej 1 µg/m³ mund të kontrollohet gjithashtu me besueshmëri duke përdorur një metodë matëse të përshtatshme për shkak të kufijve të ulët të sasisë në analizë.

F.P.

Ferrokromi (FeCr)

Ç’ është Ferrokromi?

“Ferrokromi”, FeCr i njohur gjithashtu si “Hekurkromi”, është një legurë e hekurit dhe kromit. Zakonisht prodhohet nga shkrirja e mineralit të kromit (një mineral që është i pasur me krom)

Ferrokromi ka një përdorim të gjerë, por përdorimi kryesor i tij është në prodhimin e çelikut fisnik (që nuk ndryshket). Kur ferrokromi i shtohet çelikut fisnik, ai ndihmon në përmirësimin e rezistencës së tij ndaj ndryshkut, si dhe e bën më të fortë dhe e shton qëndrueshmërinë e tij.

Përbërja dhe prodhimi

Ferrokromi zakonisht përbëhet nga 50% deri në 70% krom, ndërsa pjesa tjetër është hekur. Përbërja e saktë mund të ndryshojë në varësi nga përdorimet specifike dhe metodat e prodhimit.

Ekzistojnë dy metoda kryesore për prodhimin e ferrokromit:

1. Metoda konvencionale dhe

2. Metoda Alu-termale.

1. Metoda konvencionale (tradicionale) përfshin shkrirjen e mineralit të kromit së bashku me minerale të tjera, si silici, guri gëlqeror dhe karboni, në një furrë. Ky proces krijon legurën ferrokrom që mund të përmbajë deri në 70% krom.

2. Metoda Alu-termale, ku pluhuri i aluminit reagon me një përzierje të oksidit të kromit dhe oksidit të hekurit. Ky reagim krijon legurën ferrokrom, që përmban rreth 60% krom.

Përdorimi i Ferrokromit

Siç përmendëm më lart, përdorimi kryesor i ferrokromit është në prodhimin e çelikut fisnik (që nuk ndryshket). Çeliku fisnik është një legurë (lidhje, aliazh) e hekurit, kromit dhe metaleve të tjera, si nikeli ose molibdeni.

Thamë më lart se kur ferrokromi i shtohet çelikut fisnik, ai ndihmon në përmirësimin e rezistencës së tij ndaj ndryshkut, si dhe rrit fortësinë dhe qëndrueshmërinë e tij. Kjo për shkak se kromi është shumë rezistent ndaj ndryshkut dhe kur i shtohet çelikut formon një shtresë të hollë oksid të kromit në sipërfaqen e çelikut, duke e mbrojtur atë nga ndryshkja i mëtejshme.

Ferrokromi përdoret gjithashtu për prodhimin e legurave të tjera, të tilla si legurat rezistente ndaj nxehtësisë dhe rezistente ndaj ndryshkut. Këto legura kanë përdorim të gjërë duke përfshirë hapësirën ajrore, industrinë automobilistike dhe industrinë kimike.

Ndikimi në mjedis

Prodhimi i ferrokromit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në mjedis. Kjo nënkupton nxjerrjen e mineralit të kromit, i cili mund të çojë në ndotjen e dheut dhe ujit.

Për më tepër, procesi i shkrirjes për të prodhuar ferrokrom mund të lëshojë sasi të mëdha të gazrave ndotëse, duke përfshirë dyoksidin e karbonit dhe dyoksidin e squfurit. Këto gazra mund të ndikojnë në ndryshimet klimatike dhe gjithashtu të kenë një ndikim negativ në cilësinë e ajrit lokal.

Ka një mori përpjekjesh për të reduktuar ndikimin mjedisor gjatë prodhimit të ferrokromit. Kjo përfshin zhvillimin e proceseve më efikase të shkrirjes dhe përdorimin e burimeve të ripërtritshme të energjisë për të vënë në funksion shkritoret e ferrokromit.

Prodhimi

Karboni i ferrokromit shkrihet në një furre elektrike reduktuese duke përdorur koksin si agjent reduktues dhe dyoksidin e silikonit ose boksitin si mjete fluide. Përbërja e zgjyrës është me përgjithësisht SiO me 0%, MgO rreth 30-34 %, Al2O3  rreth 26-30 %, Cr2O3 nën 9.0 %. Për shkak të formimit të karbidit të kromit, produkti përmban 4 deri në 9% karbon. Kapaciteti i furrës elektrike reduktuese për shkrirjen moderne të ferrokromit është 10,000-48,000 kVA, përgjithësisht e mbyllur dhe e palëvizshme, kurse konsumi i energjisë së shkrirjes është 3,000 kWh/tonë. Furra elektrike për shkrirjen e legurës së silikon-kromit është e ngjashme me furrën elektrike për reduktimin e ferrokromit. Bëhet shkrirja e përnjëhershme e kromit, silicit, koksit dhe mjetit fluid.

Procesi ka dy faza dhe përdor ferrokrom karboni, silic dhe koks si lëndë të para për shkrirjen pa zgjyrë (zgjyra=përzierje materialesh). Procesi i shkrirjes është përgjithësisht i ngjashëm me atë të prodhimit të ferrosilikonit. Konsumi i energjisë së shkrirjes është rreth 3000-4000 kWh/tonë. Ferrokromi me përbërje karboni të mesëm, të ulët dhe të paktë përdor në përgjithësi legurën silikon-krom, kromitin dhe gëlqeren si lëndë të para, dhe rafinohet dhe desilikonizohet nga furra elektrike 1500-6000 kVA duke përdorë zgjyra me baza kimike të larta (CaO/SiO2 1.6-1.8). Ferrokromi me përbërje të ulët dhe të paktë karboni ruhet gjithashtu në sipërfaqe të gjera të dheut përmes procesit të përzierjeve të nxehta. Gjatë prodhimit përdoren dy furra elektrike, njëra për shkrirjen e legurave të silikon-kromit dhe tjetra për shkrirjen e zgjyrës (përzierjes) së përbërë nga minerali i kromit dhe gëlqeres.

 Reaksioni i rafinimit ndahet në dy faza me dy enë:

1. Pasi zgjyra nga furra e zgjyrës të jetë fryrë në enën e parë, shtohet legura silikon-krom që është desilikonizuar fillimisht në enën tjetër. Sasia e tepërt e oksiduesit është shumë e pasur dhe desilikonizimi është i bollshëm. Furra nxehëse mund të krijojë ferrokrom me pak karbon me një përmbajtje silikoni prej më pak se 0,8 % dhe një përmbajtje karboni prej vetëm 0,02 %.

2. Pasi zgjyra e shkrirë (që përmban rreth 15 % Cr2O3) prej enës së parë zhvendoset në çiftin e enëve të dyta, atëherë legura silikon-krom (që përmban 45 % silikon e prodhuar nga furra elektrike) nxehet për të reaguar ndaj zgjyrës.

Pasi të arrihet desilikonizimi fillestar i legurës silikon-krom (tashmë përmban rreth 25 % silikon), ai përzihet në një tigan (tavë) për desilikonim të mëtejshëm ku zgjyra që përmban më pak se 2-3 % Cr2O3 mund të hidhet (gjuhet si e pavlerë).

Rafinimi i ferrokromit me përbërje të mesme dhe të ulët karboni, bëhet me anë të metodës së fryrjes me oksigjen, duke përdorur ferrokrom të lëngshëm karboni si lëndë të parë, duke shtuar një sasi të vogël gëlqereje dhe fluoriti në koritën e shkrirjes gjatë fryrjes për të prodhuar zgjyrë, dhe duke e shtuar legurën silikon-krom ose ferrosilikon përpara se të përfitohet zgjyra me krom. Fryrja në ferrokrom me pak karbon është e mundur vetëm në një shkallë të caktuar vakumi.

Rafinimi me anë të procesit të dekarbonizimit në gjendje të ngurtë me vakum, duke përdorur si lëndë të parë ferrokrom me sasi të lartë të karbonit, të bluar, një pjesë e ferrokromit të tillë oksidohet dhe piqet si agjent oksidues, përzihet me ujë-qelqi ose lidhës të tjerë, shtypet në aglomerate dhe i nënshtrohet temperaturës së ulët. Pas tharjes në furrë me vakum, me dysheme automatike, reduktohet në furrë me shkalle vakumi 0,5-10mmHg. dhe një temperaturë prej 1300-1400°C për 7 orë. Aty mund të nxirret substanca me pak karbon, me përmbajtje karboni më të vogël se 0,03% ose edhe më pak se 0,01% krom.

F.P.