Aritmetikë

Bëhet fjalë për këtë detyrë, e cila po qarkullon në rrjetet sociale. Edhe pse është një detyrë e thjeshtë, për klasën e 3-të të shkollës fillore, ndihem i detyruar t’shpjegoj zgjidhjen e saj, sepse, për habinë time, rreth 70% e komentuesve po e zgjidhin gabim.

Shprehja 2(2+2) shkruhet pa shenjën „•“ sepse, zakonisht, kur ka kllapa, kjo shenjë nuk shkruhet.

Për shembull:

a²-b²=(a-b)(a+b).

Edhe këtu pra nuk shkruhet shenja „•“ (ose ×), megjithëse në të vërtet është kështu:

a²-b²=(a-b)•(a+b).

Po ashtu në shumë shprehje të tjera „•“ nuk shkruhet.

P.sh. te 2x+2y shenja „•“ nuk shkruhet, ndonëse në të vërtetë kjo shprehje është kështu:

2•x+2•y.

Mungesa e shenjës „•“ është edhe shkak për llogaritje të gabuara të këtij lloji të detyrave.

Detyra zgjidhet kështu:

8÷2(2+2) = … kjo detyrë është në të vërtetë kështu:

8÷2•(2+2)

sepse „•“ nuk shkruhet kur ka kllapa edhe pse nënkuptohet, që gjendet aty.

Së pari i heqim kllapat (pastaj nuk i shkruajmë më ato). Pasi llogarisim (2+2) e shkruajmë 4. Shprehja bëhet

8÷2•4

ku kllapat nuk shkruhen më, sepse ato, pasi e kryejnë detyrën e tyre në (2+2), do të shuhen.

Atëherë si më tutje?

Meqenëse pjesëtimi dhe shumëzimi janë veprime të të njëjtit rend të përparësisë, këto operacione aritmetikore kryhen nga e majta në të djathtë, sipas radhës.

Të mos harrojmë se pjesëtimi është gjithashtu shumëzim me vlerën reciproke të numrit, pra 8÷2=8•1/2, prandaj shumëzimi dhe pjesëtimi janë të rangut të njëjtë të përparësisë operacionale.

Pra së pari llogaritet 8÷2 dhe pastaj •4.

Le ta shkruajmë të tërën:

8÷2(2+2)=

=8÷2•(2+2)=

=8÷2•4=

=4•4=

=16.

Zgjidhja pra është 16.

F.P

Dija dhe e vërteta

Niveli i dijes, që e shoh në rrjetet sociale, me keqardhje e them, është shumë i ulët … madje tepër. Gjëja më e keqe është që përtojmë që ta lodhim trurin.
E kuptoj nevojën për humor, art, sport, debate rreth familjes, marrëdhënieve shoqërore, por, o njerëz, shkolla e dija, janë mbi të gjitha, sidomos shkencat ekzakte, nëse e synojmë zhvillimin dhe mirëqenien.

Një detyrë shumë të thjeshtë 90% e komentuesve e zgjidhin gabimisht 8÷2(2+2)=?

Një detyrë tjetër, shumë të lehtë, nga 650.000 veta ASKUSH nuk mund ta zgjidhë brenda 20 orësh. Kuptoni se kjo është një katastrofë për një shoqëri.

Ne kemi individë të aftë, por kjo nuk mjafton. Kam parë të ashtuquajturat punime „shkencore“ nga doktorë të shkencave nga fakultetet teknike dhe po ashtu nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, të botuara në revista „shkencore“. Më besoni se ato nuk janë punime shkencore, ato nuk i shërbejnë askujt, ato thjesht nuk janë asgjë. Më vjen keq ta deklaroj këtë gjë.

Ajo, që do të na duhej, do të ishte një popull i aftë kolektivisht.

Kujdes, le ta kuptojmë, se dinakëria është një aftësi, sigurisht, por vetëm e përkohshme dhe e padobishme. Aftësia e vërtetë është sinqeriteti, të thuash të vërtetën. Është më së vështiri ta thuash të vërtetën kur e gjithë bota është kundër teje.

Por është gjithashtu e vështirë të thuash vërtet të vërtetën. E vërteta fshihet nën shumë ambalazhe, maska, shpifje, shtrembërime… të cilat paraqesin sfida të jashtëzakonshme për t’u ndarë nga e vërteta. Sigurisht, intuita është e nevojshme, por sidomos dija, për të kuptuar të vërtetën.

Mediat tona, përmes rrjeteve sociale, nuk postojnë ASNJË artikull të pamanipuluar. Prandaj, të gjithë artikujt janë thjesht gënjeshtra deri në një përqindje të caktuar. Të gjitha mediat, pa dallim, gënjejnë ose manipulojnë, të paktën në titull dhe më së shumti në të gjithë çështjen, të cilin artikulli e shtjellon. Kjo ndodh për shkak të urisë financiare, qëllimit për t’u bërë i pasur, interesave politike, atyre të pushtetit, atyre puçiste, por edhe atyre kriminale që sjellin fitim të madh pa djersë.

Shumë njerëz po e përqafojnë këtë mënyrë jetese, domethënë fitimin me dinakëri, pa djersë ose kontribut shoqëror. Kjo nuk duket aq e rëndësishme në shikim të parë, por më besoni, kjo është me rëndësi parësore për një shoqëri. Nga ky mentalitet dalin tradhtarë, vrasës, hajdutë, fyes, njerëz moralisht të shthurur, gënjeshtarë etj… nga të cilët nuk kemi asnjë dobi si shoqëri.
Do të doja ta lodhnim më tepër trurin tonë dhe të mësohemi të flisnim ndershmërisht e sinqerisht dhe në atë rast të nxirrnim nga goja apo ta shkruanim vetëm të vërtetën e vërtetë.

F.P.

(18.05.2025)

Edhe diç për Kromin

Krahas arsenit, plumbit, kadmiumit, bakrit, nikelit, merkurit, taliumit dhe zinkut, kromi është një nga metalet e rënda. Ka parametra klasikë që ekzaminohen në mostrat e ngurta si pjesë e masave të hetimit të dheut dhe analizave deklarative. Por kromi është gjithashtu një parametër i rëndësishëm gjatë analizës së ujit, ngase mund të hyjë në ujë të pijshëm nëpërmjet ujërave nëntokësore dhe sipërfaqësore.

Ku gjendet kromi?

Kromi në natyrë zakonisht shfaqet si kromit (FeCr2O4) në tokë (dhé). Në ujërat natyrorë, kromi është i pranishëm si krom III (trevalent) ose krom VI (gjashtëvalent) në sasi të ndryshme. Megjithatë, ai kryesisht futet në mjedis përmes pakujdesisë njerëzore. Si një kromat shumë i tretshëm, ai gjendej, për shembull, në betonin e përdorur në ndërtimin e rrugëve deri kah mesi i viteve ’70. Ky metal i përhimtë rezistent ndaj korrozionit përdoret gjithashtu për një mori punësh kreative si prodhimi i çelikut fisnik (inox), prodhimi i baterive, përdoret për nxirjen e lëkurës dhe si një pigment ngjyrash nëpër bojëra.

Përveç zonave industriale, ndotje më e lartë me krom mund të supozohet edhe në zonat e plehëruara me llum të ndotur të ujërave të zeza me krom.

Komponimet e kromit VI gjithashtu luajnë një rol në galvanizim dhe në procese të tjera të ndryshme industriale. Ato shpesh lirohen gjatë përpunimit të legurave të çeliqeve, për shembull gjatë saldimit dhe ratifikimit (shllajfitjes) se çelikut.

Çka e bën kromin të rrezikshëm?

Helmueshmëria i kromit varet shumë nga gjendja e oksidimit. Kromi trevalent konsiderohet një element thelbësor i natyrshëm dhe shfaq efekte helmuese vetëm në përqendrime të larta. Nga ana tjetër, kromi gjashtëvalent është 100 deri 1000 herë më i helmueshëm dhe konsiderohet kancerogjen.

Nivelet e larta të kromit gjithashtu mund të ndikojnë seriozisht në degradimin biologjik në impiantet e trajtimit të ujërave të zeza për shkak të efekteve eko-helmuese. Shembujt përfshijnë frenimin e nitrifikimit dhe ngordhjen e peshqve në lumin (liqenin) ku shkarkohen sasi sado të vogla kromi.

Shteti duhet të hetojë dhe kontrollojë

Përdorimi i kromit VI në industri rregullohet me rregullore të posaçme; Komponimet e kromit VI duhet të zëvendësohen nëse është e mundur. Në Evropë, zbatohet një standard vlerësimi i lartë me një parametër shumë të ulët për ekspozimin në vendin e punës prej 1 µg/m³. Kur përdoret kromi VI në industri dhe kur përpunohen legura çeliqesh, është i nevojshëm monitorimi i rregullt i ekspozimit në vendet e punës.

Analizat për kromin kanë të bëjnë kryesisht me furnizuesit e ujit, zyrat e inxhinierisë, komunat, impiantet industriale dhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza.

Operatorët e sistemeve private të puseve duhet gjithashtu të kryejnë teste të rregullta të ujit.

Hetimet për përdorimin bujqësor të llumit të ujërave të zeza janë gjithashtu të rëndësishme. Shtimi i kromit mund të shkaktohet, për shembull, nëpërmjet derdhësve ilegalë.

Rregullore të llumit të ujërave të zeza me vlerat kufitare dhe intervalet e përcaktuara të ekzaminimit janë veçanërisht të rëndësishme këtu.

Çfarë duhet hetuar?

Ekzaminimet e tokës, ujit, ujit mineral, ujërave të zeza, llumit të ujërave të zeza dhe ajrit për krom janë standarde në analizat mjedisore.

Për të zbuluar shkarkimet indirekte ilegale, ekzaminohen edhe mostrat e llumit të ujërave të zeza. Nëpërmjet hetimit të besueshëm, sigurohet një vlerësim dhe ky vlerësim dhe klasifikim i duhur i rrezikut mund të përdoret më tutje. Ka metoda jashtëzakonisht të ndjeshme me kufij të ulët sasior për analizën e kromit VI.

Një qendër matëse e akredituar për matjen e substancave të rrezikshme, duhet të jetë gjithashtu në dispozicion për të përcaktuar ekspozimin në vendin e punës. Me laboratorë të kualifikuar, standardi i vlerësimit për përbërjet e kromit VI prej 1 µg/m³ mund të kontrollohet gjithashtu me besueshmëri duke përdorur një metodë matëse të përshtatshme për shkak të kufijve të ulët të sasisë në analizë.

F.P.

Ferrokromi (FeCr)

Ç’ është Ferrokromi?

Ferrokromi”, FeCr i njohur gjithashtu si “Hekurkromi”, është një legurë e hekurit dhe kromit. Zakonisht prodhohet nga shkrirja e mineralit të kromit (një mineral që është i pasur me krom)

Ferrokromi ka një përdorim të gjerë, por përdorimi kryesor i tij është në prodhimin e çelikut fisnik (që nuk ndryshket). Kur ferrokromi i shtohet çelikut fisnik, ai ndihmon në përmirësimin e rezistencës së tij ndaj ndryshkut, si dhe e bën më të fortë dhe e shton qëndrueshmërinë e tij.

Përbërja dhe prodhimi

Ferrokromi zakonisht përbëhet nga 50% deri në 70% krom, ndërsa pjesa tjetër është hekur. Përbërja e saktë mund të ndryshojë në varësi nga përdorimet specifike dhe metodat e prodhimit.

Ekzistojnë dy metoda kryesore për prodhimin e ferrokromit:

1. Metoda konvencionale dhe

2. Metoda Alu-termale.

1. Metoda konvencionale (tradicionale) përfshin shkrirjen e mineralit të kromit së bashku me minerale të tjera, si silici, guri gëlqeror dhe karboni, në një furrë. Ky proces krijon legurën ferrokrom që mund të përmbajë deri në 70% krom.

2. Metoda Alu-termale, ku pluhuri i aluminit reagon me një përzierje të oksidit të kromit dhe oksidit të hekurit. Ky reagim krijon legurën ferrokrom, që përmban rreth 60% krom.

Përdorimi i Ferrokromit

Siç përmendëm më lart, përdorimi kryesor i ferrokromit është në prodhimin e çelikut fisnik (që nuk ndryshket). Çeliku fisnik është një legurë (lidhje, aliazh) e hekurit, kromit dhe metaleve të tjera, si nikeli ose molibdeni.

Thamë më lart se kur ferrokromi i shtohet çelikut fisnik, ai ndihmon në përmirësimin e rezistencës së tij ndaj ndryshkut, si dhe rrit fortësinë dhe qëndrueshmërinë e tij. Kjo për shkak se kromi është shumë rezistent ndaj ndryshkut dhe kur i shtohet çelikut formon një shtresë të hollë oksid të kromit në sipërfaqen e çelikut, duke e mbrojtur atë nga ndryshkja i mëtejshme.

Ferrokromi përdoret gjithashtu për prodhimin e legurave të tjera, të tilla si legurat rezistente ndaj nxehtësisë dhe rezistente ndaj ndryshkut. Këto legura kanë përdorim të gjërë duke përfshirë hapësirën ajrore, industrinë automobilistike dhe industrinë kimike.

Ndikimi në mjedis

Prodhimi i ferrokromit mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në mjedis. Kjo nënkupton nxjerrjen e mineralit të kromit, i cili mund të çojë në ndotjen e dheut dhe ujit.

Për më tepër, procesi i shkrirjes për të prodhuar ferrokrom mund të lëshojë sasi të mëdha të gazrave ndotëse, duke përfshirë dyoksidin e karbonit dhe dyoksidin e squfurit. Këto gazra mund të ndikojnë në ndryshimet klimatike dhe gjithashtu të kenë një ndikim negativ në cilësinë e ajrit lokal.

Ka një mori përpjekjesh për të reduktuar ndikimin mjedisor gjatë prodhimit të ferrokromit. Kjo përfshin zhvillimin e proceseve më efikase të shkrirjes dhe përdorimin e burimeve të ripërtritshme të energjisë për të vënë në funksion shkritoret e ferrokromit.

Prodhimi

Karboni i ferrokromit shkrihet në një furre elektrike reduktuese duke përdorur koksin si agjent reduktues dhe dyoksidin e silikonit ose boksitin si mjete fluide. Përbërja e zgjyrës është me përgjithësisht SiO me 0%, MgO rreth 30-34 %, Al2O3  rreth 26-30 %, Cr2O3 nën 9.0 %. Për shkak të formimit të karbidit të kromit, produkti përmban 4 deri në 9% karbon. Kapaciteti i furrës elektrike reduktuese për shkrirjen moderne të ferrokromit është 10,000-48,000 kVA, përgjithësisht e mbyllur dhe e palëvizshme, kurse konsumi i energjisë së shkrirjes është 3,000 kWh/tonë. Furra elektrike për shkrirjen e legurës së silikon-kromit është e ngjashme me furrën elektrike për reduktimin e ferrokromit. Bëhet shkrirja e përnjëhershme e kromit, silicit, koksit dhe mjetit fluid.

Procesi ka dy faza dhe përdor ferrokrom karboni, silic dhe koks si lëndë të para për shkrirjen pa zgjyrë (zgjyra=përzierje materialesh). Procesi i shkrirjes është përgjithësisht i ngjashëm me atë të prodhimit të ferrosilikonit. Konsumi i energjisë së shkrirjes është rreth 3000-4000 kWh/tonë. Ferrokromi me përbërje karboni të mesëm, të ulët dhe të paktë përdor në përgjithësi legurën silikon-krom, kromitin dhe gëlqeren si lëndë të para, dhe rafinohet dhe desilikonizohet nga furra elektrike 1500-6000 kVA duke përdorë zgjyra me baza kimike të larta (CaO/SiO2 1.6-1.8). Ferrokromi me përbërje të ulët dhe të paktë karboni ruhet gjithashtu në sipërfaqe të gjera të dheut përmes procesit të përzierjeve të nxehta. Gjatë prodhimit përdoren dy furra elektrike, njëra për shkrirjen e legurave të silikon-kromit dhe tjetra për shkrirjen e zgjyrës (përzierjes) së përbërë nga minerali i kromit dhe gëlqeres.

 Reaksioni i rafinimit ndahet në dy faza me dy enë:

1. Pasi zgjyra nga furra e zgjyrës të jetë fryrë në enën e parë, shtohet legura silikon-krom që është desilikonizuar fillimisht në enën tjetër. Sasia e tepërt e oksiduesit është shumë e pasur dhe desilikonizimi është i bollshëm. Furra nxehëse mund të krijojë ferrokrom me pak karbon me një përmbajtje silikoni prej më pak se 0,8 % dhe një përmbajtje karboni prej vetëm 0,02 %.

2. Pasi zgjyra e shkrirë (që përmban rreth 15 % Cr2O3) prej enës së parë zhvendoset në çiftin e enëve të dyta, atëherë legura silikon-krom (që përmban 45 % silikon e prodhuar nga furra elektrike) nxehet për të reaguar ndaj zgjyrës.

Pasi të arrihet desilikonizimi fillestar i legurës silikon-krom (tashmë përmban rreth 25 % silikon), ai përzihet në një tigan (tavë) për desilikonim të mëtejshëm ku zgjyra që përmban më pak se 2-3 % Cr2O3 mund të hidhet (gjuhet si e pavlerë).

Rafinimi i ferrokromit me përbërje të mesme dhe të ulët karboni, bëhet me anë të metodës së fryrjes me oksigjen, duke përdorur ferrokrom të lëngshëm karboni si lëndë të parë, duke shtuar një sasi të vogël gëlqereje dhe fluoriti në koritën e shkrirjes gjatë fryrjes për të prodhuar zgjyrë, dhe duke e shtuar legurën silikon-krom ose ferrosilikon përpara se të përfitohet zgjyra me krom. Fryrja në ferrokrom me pak karbon është e mundur vetëm në një shkallë të caktuar vakumi.

Rafinimi me anë të procesit të dekarbonizimit në gjendje të ngurtë me vakum, duke përdorur si lëndë të parë ferrokrom me sasi të lartë të karbonit, të bluar, një pjesë e ferrokromit të tillë oksidohet dhe piqet si agjent oksidues, përzihet me ujë-qelqi ose lidhës të tjerë, shtypet në aglomerate dhe i nënshtrohet temperaturës së ulët. Pas tharjes në furrë me vakum, me dysheme automatike, reduktohet në furrë me shkalle vakumi 0,5-10mmHg. dhe një temperaturë prej 1300-1400°C për 7 orë. Aty mund të nxirret substanca me pak karbon, me përmbajtje karboni më të vogël se 0,03% ose edhe më pak se 0,01% krom.

F.P.

Njeriu dhe Bota

Një nate të kthjellët, në errësirën qiellore, të vret syrin një numër i madh yjesh të grumbulluar rreth „Rrugës së Qumështit“ (Galaksisë sonë) në hapësirën e pafund qiellore dhe padashur të bien sytë në duart e tua aq të vogla, aq të pafuqishme, kundrejt një fuqie dhe madhështie të tillë.

Ti je dhe e din që je, por pyetjet që të mundojnë që nga fëmijëria mbesin pa përgjigje si ajo: „Nga erdhëm, si u bëmë dhe si u bë gjithë kjo materie gjigante që pezullon në hapësirë?“ Këtë përgjigje nuk e gjetën shkencëtarë të mëdhenj, edhe pas aq shumë studimeve si Galileo1, Newton2 e Einstein3 . Ty të mbetet pra të kuptosh së paku diçka nga i tërë ky lëmsh i thurur e i ndërthurur më tepër se një labirinth.

Ekzistenca është relevante, sepse ti je dhe nuk ka se si hidhet poshtë. Mirëpo nëse shikojmë më thellë do të hasim në goditje të furishme të së vërtetës, nga ajo që është reale, por aq e pakuptimtë për ty. Materia ishte fatmirë që erdhi në një nivel për tu bërë e vetëdijshme mbi ekzistencën e vet. Ty pra, si njeri, tu dha mundësia, që pikërisht ti të përcaktosh atë që është dhe atë që nuk është.

Gjithë kjo hapësirë përbëhet nga grimca jo të pandashme. Nga gjurmimet shkencore askush akoma nuk arriti të përcaktojë grimcën më të vogël, pra e gjithë materia është e përbërë nga grimca të tilla që gjithnjë përbëhen nga grimca të tjera në brendinë e tyre, që gjithashtu përbëhen nga grimca të tjera përbërëse e kështu me radhë. Shikuar në këtë aspekt gjithësia është e zbrazët (apo e plotë). E ty, si njeri, tu dha e drejta që ta definosh këtë ekzistencë.

Ne në hapësirë shoqërohemi nga valë të ndryshme dhe grimca të ndryshme materiale, por dallimin mes tyre e përcakton ti, si qenie njerëzore. Ti si njeri e definon se ç’është e ç’nuk është materie. Një valë, që frekuencën e ka më të madhe se 108Hz (Herz), atëherë ajo është grimcë dhe e prekshme për ty. Pra e tërë ajo që është e prekshme për ty si qenie njerëzore është ajo ekzistuesja që quhet materie. E gjithë ajo, që nuk mund të preket nga ti (shqisat tua) është valë, fushë apo diç tjetër. Mirëpo kjo është pra një e vërtetë relative e njeriut, sepse hipotetikisht po ta pyesje valën Gama, asgjë nuk do të ekzistonte, pasi se ajo nuk prek asgjë, ose më thjesht, depërton gjithkund. Ajo që ekziston, e që ne e quajmë Botë, pra është një botë e jona, por jo e rrezeve Gama. Meqë definimi vjen nga ti, si njeri, atëherë ky definim është i pranueshëm për njerëzit e tjerë në lidhje me atë që ekziston. Por sa arrite ti që të kuptosh këtë gabim fatal të kuptimit të asaj që është.

Shkojmë më tej.

Edhe kur e definojmë jetën, ne e kuptojmë në mënyrën siç e kuptojmë edhe ekzistencën. Pra për ne është e gjallë ajo, që është si ne dhe e pranueshme për ne, pra ajo që bën shkëmbimin e materies së brendshme me jashtë, që rritet, zhvillohet, plaket dhe në fund vdes (apo zhduket).

Por nëse shikojmë më thellë, jeta është shumë më e gjerë sesa që ne e pranojmë si të tillë. Jeta fillon që në materien e parë, gjallon nëpër transformimet e materieve dhe energjive dhe arrin kulminacionin e zhvillimit të saj tek qenia njerëzore. A do të kishte njeri po të mos kishte diell? Përgjigjja është e qartë dhe e vetëkuptueshme. A do të kishte njeri po të mos kishte Tokë, oksigjen, ujë dhe në fund bimë dhe çdo gjë që e “vesh” planetin tonë, Tokën? Jeta pra është gjithkund, ndonëse kulminacionin e zhvillimit te saj e kurorëzoi me krijesën njeri.

Ju nuk do të keni çati, nëse nuk keni mure, por as mure nuk do të keni nëse nuk keni themel. Këtu është fshehtësia e kuptimit të asaj që quhet marrëdhënie e njeriut me Botën, meqenëse edhe ne vetë jemi Botë.

Udhëtimi yt nuk përfundon këtu, ai vazhdon më tej, deshe apo nuk deshe, drejt përgjigjeve të tjera në pyetjet e reja që me kohën vazhdimisht grumbullohen në unin tënd.

Duke qëndruar lart, si kulm i zhvillimit të jetës, ti shpesh harron kush të mban lart, harron „muret“, por më së shumti harron bazën mbi të cilën qëndron.

Kompleksiteti i zhvillimit shoqëror të njeriut solli nevojën e organizimit gjithnjë e më të mirë shoqëror, për të ngadhënjyer nga njëra anë shtimin enorm të popullsisë në Tokë, për ta furnizuar atë me të mirat e përditshme që i duhen për të gjallëruar, e nga ana tjetër për të ruajtur „muret“ apo edhe bazën e asaj që na bën që të jemi kështu siç jemi.

Mirëpo shpesh, në këtë luftë me kohën, njeriu humb durimin dhe fillon të shikojë përcipërisht interesat e ngushta, duke injoruar çdo arsye të shëndoshë, duke gjuajtur në harresë mësimin që do të duhej ta dinte mbi atë, që shpjeguam më lart.

Kështu ndodhën luftëra të shumta shkatërruese për fuqi e pushtet mbi njerëzit e tjerë. Këto luftëra ishin të qarta dhe të dukshme, përkundër shumë luftërave të padukshme, që ndodhin pa u vërejtur gjithaq nga opinioni i gjerë shoqëror. Këtu, ndër të tjera, hyjnë edhe luftërat mbi zotërimin (dhe shpesh pushtimin) e botës shtazore dhe bimore, e cila luftë solli gjer te zhdukja e shumë llojeve ose gjer te rrezikimi i shumë llojeve të tjera gjallesash që bashkëjetuan me njeriun.

Të kuptuarit e jetës si një organizëm i madh dhe i pandashëm, pranimi i kuptimit të zgjeruar mbi jetën, do të ndihmonte që energjitë të orientohen në kahje të tjera, më të arsyeshme dhe më efikase, duke ditur, që një organizëm funksionon kur të gjithë organet e tij funksionojnë.

Ti harron se edhe organizmi yt përbëhet nga një mori botërash, që jetojnë në harmoni me njëra tjetrën, duke shkëmbyer përvojat dhe duke bashkëpunuar mes veti. Sapo dikush nga jashtë (viruset apo bakteret) tenton të prishë këtë harmoni, të gjitha botërat e organizmit tënd bëhen bashkë dhe luftojnë për ta ruajtur baraspeshën e harmonisë mes tyre. Për një kohë organizmi yt do të jetë i sëmurë, sepse në brendinë e tij bëhet një luftë e pakompromis për ruajtjen e harmonisë së botërave të organizmit tënd. Nëse kjo luftë fitohet, ti do të jesh përsëri i shëndoshë, por nëse humbet, atëherë destabilizohet aq shumë baraspesha harmonike, saqë botërat e organizmit tënd nuk do të mund të jetojnë më bashkë, prandaj shpërndahen dhe organizmi yt vdes. Ky krahasim mund të bëhet edhe me organizmin e madh, që ne e quajmë Jetë.

Andaj puna jote është sot më e rëndësishme se asnjëherë më parë në ruajtjen e këtij organizmi të madh, Jetës. Duke pasur kujdes ndaj „organeve“ të saja në veçanti ne do të mund ta ruajmë shëndetin e saj në tërësi.

Sistemi i fundit i organizimit shoqëror, Demokracia, mundëson hapjen e horizonteve të reja të shprehjes së mendimit, të formulimit të ideve të reja, që do të gjejnë zbatim në këtë drejtim. Në aspektin afatgjatë, gjeneratave që vijnë do t’u duhet për të përmirësuar shumë gabime, që paraardhësit ua kanë lënë trashëgim, përderisa kjo është e mundshme.

Zhvillimi industrial duhet të shkojë drejt orientimit të energjive për ruajtjen nga ndotja e ambientit. Shkencëtarëve do t’u duhet shumë punë për zbulimin dhe shpikjen e ekoenergjive gjegjësisht ekosistemeve të reja dhe poashtu shfrytëzimin e atyre që janë më pak ndotëse. Kjo para së gjithash për të ruajtur baraspeshën e organizmit Jetë. Këtë përgjegjësi e ke ti, si kulm i zhvillimit të jetës. Ajo nuk të bëri për ta humbur vetveten. Ajo të lindi nga nevoja e ruajtjes së llojit dhe si i tillë ti patjetër që do të ngarkohesh me përgjegjësi të jashtëzakonshme për baraspeshën e saj. Po që se kjo baraspeshë do të destabilizohej, ekziston rreziku i destabilizimit të mëtutjeshëm të asaj që ekziston e që ne e quajmë materie, e i cili destabilitet do të ishte fundi yt dhe i botës sate, e që dikush do ta quante Katastrofë apo Kiamet. Shpresojmë që gjithnjë të këtë në botë koka të ftohta, që do të marrin vendime të rëndësishme në këtë drejtim, që do ta shohin çështjen më thellë, më gjithanshëm dhe me më shumë përgjegjësi. Unë dhe ti urojmë që të punojmë ashtu, që të krenohemi me atë që kjo botë pret nga ne, e ajo është dashuria për të, për jetën dhe dashuria për çdo gjë të kësaj Bote, që bashkëjeton me ne.

JETA ËSHTË E BUKUR, RUAJE!

F.P.

  1. Shkencëtar qe studioi rrotullimin e planetëve dhe zbuloi se Planetët sillen rreth Diellit ↩︎
  2. Fizikan Anglez. Ligji i Inercionit, Ligji i raportit Forcës nxitimit dhe masës, Ligji i Aksionit dhe Reaksionit, Ligji i Gravitacionit. ↩︎
  3. Fizikan Gjermano-Amerikan. Teoria e Relativitetit dhe E=mc² ↩︎

Vrasja e Franz Ferdinandit (1863-1914)

(Ç’është me rëndësi për shqiptarët)

Bazuar në arkivat austriake, rezulton se Franz Ferdinandi është vrarë më 28 qershor të vitit 1914 nga organizata „Bosna e Re„, përkatësisht nga anëtari i saj Gavrilo Princip, sepse Austro-Hungaria (Austria në fakt, ngase Hungaria ishte vetëm një vasal i Austrisë) synonte të krijonte një trialitet „Austri-Hungari-Bosnjë dhe Hercegovinë“ për të dobësuar Serbinë (ai nuk e dëshironte luftën kundër Serbisë), por arsyeja tjetër e rëndësishme për ne është se Austria ka luajtur rolin kyç në krijimin e Shqipërisë shtet. Këto janë arsyet pse Franz Ferdinand u vra si Perandori pasardhës i Franz Joseph-it. Shkaku i Luftës së Parë Botërore ishte eliminimi i ndikimit rus përmes Serbisë në Mesdhe duke zgjeruar Perandorinë. Si rezultat i kësaj, Shqipëria u pranua (krijua) si shtet në vitin 1913. Të mos harrojmë se anëtarë të organizatës “Bosna e Re” ishin edhe Ivo Andriq e Vasa Çubrilloviq, të dy autorë të memorandumeve gjegjesisht elaborateve për shfarosjen e shqiptarëve. Kjo dëshmon edhe më shumë arsyet e vrasjes së Franz Ferdinandit. Preferoj këtë libër në anglisht. Sigurisht që duhet kuptuar anglishtja.

Në këtë libër janë 2 harta, që datojnë nga ajo kohë, ku shihet që shqiptarët kanë jetuar deri në Nish, Sanxhak dhe në veri të Malit të Zi dhe shihet se kanë qenë muslimanë, madje edhe ata në Nish, përveç atyre rreth Nishit, që duket se kanë qenë orthodoksë (grekë siç është shkruar aty).

F.P.

Reagim ndaj artikullit të psikologut Batjar Halili, „Etër e bij – dy botëra përballë njëra tjetrës“ të botuar më 03.08.2019 në portalet “Gazetaletrare” dhe “Kultplus”

Që në fillim, psikologut të nderuar, pasi ia kam lexuar disa artikuj, i sugjeroj, që të ngelet në profesionin që e ka studiuar, e jo ta marrë rolin e psikiatrit, të diagnostifikojë njerëzit si „psikopatë“, apo „sociopatë“, ngase kjo i përket fushës së psikiatrisë e jo asaj të psikologjisë.

Citoj:

„Gjeneratat 50 vjeç e sipër, shumica e tyre, kanë qenë emigrant në kërkim të sigurimit të bukës së gojës, dhe shkuarja e tyre në vende të përparuara dhe me kulturë evropiane këta i ka gjetur të papërgatitur, sepse kanë shkuar që nga bastuni (shtaga e çobanit), pra, nuk kanë patur profesion, nuk kanë patur shkollim, dmth maksimumi që mund të kenë patur është shkolla e mesme. Ata nuk kanë shkuar me familje në vendet e huaja,  kanë qëndruar të anashkaluar dhe këto aspekte kanë bërë që ata për disa vite me radhë të punojnë si punëtor krahu dhe të luftojnë me jetën. Disa prej tyre edhe janë martuar dhe i kanë lënë gratë e tyre, disa pak më me “seder familjare” nuk janë martuar, por kanë mbajtur dashnore dhe në realitetin e shoqërisë sonë janë prezantuar si “të ndershëm”. (me gabimet në drejtshkrim nuk do të merrem)

Në këtë citat vërehet se psikologu bën gabime shumëdimensionale.

Gjenerata mbi 50 vjeç (50-60 vjeçarët e sotshëm) e kanë pasur arsimimin më kualitativ nga të gjitha gjeneratat tjera, para dhe pas tyre. Këta migruan në vitet ‚90, si rezultat i represionit të Serbisë në Kosovë dhe një pjesë e madhe e tyre ishin intelektualët, që i ndoqi Serbia, por edhe të tjerë të shkolluar nëpër universitetet e shkolla të rregullta.

Të thuash „ kanë shkuar që nga bastuni (shtaga e çobanit)“ për këtë gjeneratë është më shumë se fyerje.

50-60 vjeçarët e sotëm TË GJITHË, jetojnë bashkë me familjet në perëndim.

Unë nuk e njoh asnjë që e ka lënë gruan. Ndoshta dikush të fejuarën e ka lëne (edhe për të tjera shkaqe), por gruan asnjëri nga ta.

I rralli është punëtor krahu, shumica janë të punësuar në nivele të larta, inxhinierë, mjekë, arkitektë, arsimtarë, por edhe janë ndërmarrës të suksesshëm. Mu kjo gjeneratë (50-60 vjeçarët) e avancuan imazhin e shqiptarëve te vendësit në perëndim, me sukseset e tyre të dukshme.

Kështu qe nuk e di për kënd e ka fjalën psikologu i nderuar. Thjesht këso shqiptarë, siç ai i përshkruan, nuk ka. Ndoshta kishte më herët, d.m.th. gjeneratat që tashmë shumica nga ta kanë ndërruar jetë. Por sot nuk gjen të tillë.

Citoj:

„Kam patur rastin të shoh pensionist i cili thyente televizorët në shtepinë e tij vetëm pse djemtë e tij shikonin televizorin natën vonë, e shqetësonte fakti pse të rinjtë flinin ditën, e shqetësonte fakti se pse shkonin për të bërë plazh me familjen, por këta analfabetë dhe psikopatë të pengojnë që të realizosh vetveten edhe në shtëpinë tënde si komshij“

Këtu, psikologu i nderuar merr rolin e psikiatrit pa fare të drejtë duke dhëne diagnozën „psikopatë“ (nuk është shkrimi i vetëm ky, ku psikologu në fjalë jep diagnoza pa kompetencë)

TË GJITHË mbi 50 vjeç sot shkojnë vetë me familje në plazh, se lëre më tu pengojë fëmija i tyre. Ky është një vlerësim krejtësisht i pabazë.

Dhe „thyerja e televizorit“ nga pensionisti, që përmend zotëriu psikolog, nuk e di në ka ndodhur diku në ndonjë vend amerikolatin, se në Kosovë nuk besoj thjesht. 50-60 vjeçarët akoma nuk janë pensionuar (prej 65 vjeç fillon pensioni) dhe pensionistë nga mërgimi ka shumë pak, që të mund të flasësh për një shumicë mërgimtaresh (?!)

50-60 vjeçarët njihen si gjenerata kryengritëse, ngase e para është që e themeloi rok-un dhe pop-in kosovar (muzikë jo e dëshirueshme në socializmin komunist), bëri demonstratat më të organizuara të shekullit (300.000 protestues në Prishtinë kundër regjimit të Millosheviqit) dhe organizoi e ndërmori hapat vendimtar në faljen e gjaqeve (tuboi diku 500.000 shqiptarë). E këtë gjeneratë ta „pikturosh“ si „thyese televizorësh“ është vërtetë naivitet i skajshëm. Mu kjo gjeneratë ishte ajo që e ngadhënjeu komunizmin përmes rebelimit qytetar dhe në fund ishte edhe bartëse e luftës për çlirim.

Citoj:

„këta lloj tipash çekiça (çekanë) kanë shkuar dhe kur janë kthyer kanë gjetur një gjeneratë të re që i kanë parë si gozhda,  e ata në rolin e prinderit kanë menduar se duhet t’i rrahin në kokë siç goditen gozhdët. Por realiteti këtu ka funksionuar ndryshe. Rinia ka përparuar ose permes të mësuarit (shkollimit), ose përmes të parit dhe përvojave ndaj nuk pranojnë të shtypen, nuk konformohen lehtë me rregullat prindërve të tyre të modelit të çekanit, ata reagojnë dhe shprehin paknaqësi.“

Autori, psikologu i nderuar, bën këtu një huqje totale logjike.

Thotë: „Shkuan dhe kur erdhën“

Por zotëriu psikolog „i pasluftës“ harron se ku shkuan këta dhe harron se këta nuk u kthyen fare, përveçse gjatë pushimeve.

Këta shkuan në perëndim mor zotëri, ku e panë me sytë e vet se cila është kultura e perëndimit, e panë se vlerat, që i ka perëndimi janë vlera të vërteta (nuk ishin vlera ato, që ne kujtonim se perëndimi i ka dhe i zhvillonim vetë, pa krye)

Psikologu niset nga ajo, se mërgimtarët ngelën në momentin kur u ndanë nga vendlindja. Harron i nderuari psikolog se kultura edhe në perëndim përparon, jo vetëm në Kosovë. Dhe e dimë ne të gjithë që në Kosovë kultura ka degraduar, e jo përparuar. Mund të thuhet se morali, muzika, tradicionalja, teatri etj. pësuan rënie drastike. Përdorimi i narkotikëve, prostitucioni, hajnia, rrena e pabesia u shtuan tepër.

E për çfarë „çekani“ e ka fjalën zotëriu psikolog? Kur i kulturuari i vërtetë e pengon degradimin e kulturës nga të rinjtë, kjo qenka „çekani“ që psikologu po e paraqet të nivelit të ultë?! Ç’të bëjë ky „psikopati“ juaj zotëri psikolog? Të lejojë drogimin e bijve të vet, prostituimin e tyre?! Shndërrimin në gënjeshtar dhe në të pabesë?!

Këtë mërgimtari nuk e bën si „çekan mbi gozhde“, kurrë hiç, o zotëria juaj. Zotëri psikolog këtë ju as vetë nuk e dini de ku e keni parë, te cili 50-60 vjeçar, ngase ai që jeton në perëndim më së paku e ka një metodë të tillë edukuese. Si çdo mal që ka një ujk, edhe ndër mërgimtarë mund të ketë ndonjë rast, por është e padrejtë të flitet në shumës për këtë problem.

Në fund i sugjeroj psikologut të nderuar të kursehet nga fyerjet që u bën mërgimtarëve, ndonëse është ndoshta i frustruar me jetën e vet në raport me prindin… ngase 50-60 vjeçarët e sotëm, si në perëndim ashtu edhe në vendlindje, janë promotorët më të mëdhenj të zhvillimeve pozitive.

Dipl.-Ing. Faton Piraj

(Njëri nga „mbi 50 vjeçarët“)

Matematika praktike

Detyra

E ngjitur në krua zorra me diameter „d“ po e hedh ujin deri në një cak të nivelit të njejtë.
Me çfarë diametri duhet të marr një zorrë tjetër, njësoj të gjatë, që ta hedh ujin 2 fish më larg?!.
(Supozohet që uji është ideal, kroi nuk e ndryshon shtypjen dhe as zorra pozitën. Neglizhohet rezistenca e ajrit)

Zgjidhja

Largësia e hedhjes së ujit, kur gypi hedhës dhe caku i arritjes së ujit janë në të njëjtin nivel, llogaritet sipas formulës:

ku

v – shpejtësia fillestare

g = 9,81m/s² – konstanta e gravitetit në sipërfaqe të tokës dhe

alfa – këndi i hedhjes së ujit.

Ne kemi 2 raste krahasuese (shih Fig.1):

Detyra kërkon që:

S2 = 2S1 ………………… (2)

Kemi:

v2² = 2v1² /rrënjëzojmë me 2 =>

=> v2 = SQRT(2) • v1 =>

 => v2 = 1,412 • v1 ………..(3)

Analizojmë kalimin e ujit nga kroi me diametër d0 e sipërfaqe tërthore A0 në zorrën me diametër d1 dhe sipërfaqe tërthore A1 dhe në atë me diametër d2 dhe sipërfaqe tërthore A2 :

Fig.1.

Vëllimi i ujit ideal nuk ndryshon, andaj:

Vëllimi0 = Vëllimi1 = Vëllimi2

Pra A0•x0 = A1•x1 = A2•x2

A1/A2 = x2/x1

A1/A2 = (v2•t)/(v1•t)

Vijmë kështu tek barazimi i Bernulit (Daniel Bernoulli 1700/1782) pra

A1/A2 = v2/v1 ……….. (4)

Sipas detyrës dhe siç e nxorëm me lart nga formula (3) kemi

v2/v1 =1,412

kështu duke e zëvendësuar në formulën (4) kemi:

A1/A2 = 1,412

A1=1,412• A2 ……… (5)

A2 = 0.71 A1

sipërfaqja tërthore po na u dashka sa rreth 71% të asaj të mëparshmes (pra me e vogël rreth 29%)

Që ta kemi këtë sipërfaqe duhet ta llogarisim diametrin se sa do të jetë.

Pasi që

A = pi•r² (pi=3,14159….)

Ku r është rrezja e rrethit të sipërfaqes tërthore (diametri d=2•r).

Kemi:

A1 = pi • r1²

A2 = pi • r2²

Nga (5) nxjerrim:

pi • r1² = 1,412 pi • r2²

r1² = 1,412 • r2²

r1 = SQRT(1,412) • r2

r1= 1,19 • r2 / •2

2 • r1= 1,19 • 2 • r2

d1 = 1,19 • d2  (nga vlera reciproke)

d2 = 1/1,19 • d1

d2 = 0,84 • d1 ……. (6)

d2 është sa 84% e d1

Përafërsisht 16% me i vogël.

Përfundim:

Sa herë të doni ta merrni një zorrë apo gyp që e gjuan ujin për 2 fish më larg se gypi që e keni në përdorim, thjesht diametrin e zorrë shumëzojeni me 0.84 ose pjesëtojeni me 1,19.

 P.sh. nëse gypi është 5cm

5cm • 0.84 = 4,2cm

Nëse gypi me diametër 5cm e gjuan ujin 1m ai me diametër 4,2cm e gjuan 2m (për shtypje të njëjtë, kënd të njëjtë dhe nivel të njëjtë duke neglizhuar rezistencën e ajrit).

F.P.

Matematikë praktike

DI Faton Piraj

Cila duhet të jetë marrëdhënia „k“ mes lartësisë „H“ dhe diametrit „D“ të konservës (k=H/D) në mënyrë që të harxhohet sa më pak llamarinë për konservën e që të arrihet sa më shumë vend (vëllim) për mishin në konservë?!

Konserva

Zgjidhja

Supozojmë që konserva është një cilindër i drejtë rrethor.

“r” është rrezja e bazës rrethore të cilindrit dhe

hështë lartësia e cilindrit (në foto e kam shënuar me „H„)

Atëherë vëllimi është:

Syprina e sipërfaqes së cilindrit llogaritet kështu (mbështjellësi + 2 bazat)

Nëse e nxjerrim nga këtu h, kemi:

E zëvendësojmë ne formulën (1) kemi:

Ekstremumet e funksioneve gjenden përmes zerove të derivatit të parë dhe dallohen përmes derivatit të dytë.

Derivati i parë është:

Për t’i gjetur ekstremumet duhet që derivatin e parë ta barazojmë me zero, pra V'(r) = 0

nga ku nxjerrim:

A = 6 π r² pra:

Neve nuk na interesojnë zgjedhjet e mundshme negative, sepse rrezja është pozitive.

Gjejmë derivatin e dytë:

pasi që r > 0 del derivati i dytë negativ, pra do të thotë kemi maksimum të funksionit.

Prej (3) nxjerrim h:

Kjo është zgjidhja. Për të qenë në gjendje të interpretojmë më mirë rezultatin, më tej nga V’(r) = 0, pasi zëvendësojmë nga shprehja (2) sipërfaqen A, gjejmë:

1/2A – 3 π r² = ½ (2 π rh + 2 πr²) – 3 πr² = 0

π r h + π r² – 3 πr² = 0

π r h – 2 πr² = 0 /: π r

h – 2r = 0

h = 2r pasi se 2r=D kemi

H = D

e cila është ajo që po e kërkojmë.

Pra konserva duhet ta ketë diametrin aq sa është lartësia e saj që të harxhohet minimum llamarinë e të fitohet maksimum vëllim për mish (lëng, parfum, … .)

D = H

H/D = 1

F.P.

Llogaritja e vëllimit të vesë

VEJA

Për t’a llogaritur vëllimin e vesë sa më saktë, duhet ta ndajmë atë në dy gjysmësferoidë (gjysmëelipsoidë) me rreze a dhe me lartësi h1 dhe h2.

(Kur a = h1 = h2 i kemi 2 gjysmësfera, pra 1 sferë).

h1 + h2 = h (lartësia e vesë)

Vëllimi i sferoidit llogaritet:

V = 4/3 • π • a² • h, pra

V = 4/3 Ao • h (Ku Ao është sipërfaqja tërthore e mesit të vesë).

Gjysma e vëllimit të sferoidit është:

V/2 = 4/6 • π • a² • h = 2/3π• a² • h

Këtu i kemi 2 gjysmësferoida me vëllime V1 dhe V2:

V1 = 2/3 • π • a² • h1

V2 = 2/3 • π • a² • h2

Vëllimi i tërë:

V = V1 + V2 = 2/3 • π a² (h1 + h2)

Kemi formulën përfundimtare për vëllimin:

F.P.