Kapërceva lumin….. ?

(2 fjalë për LVV)

„Qeverisë Kurti“ suksese!
„Qeverisë Kurti“ kujdes!
„Qeverisë Kurti“ jo bukëpërmbysje!
„Qeverisë Kurti“ vlerësim ndaj mbështetjes, mbështetësve në popull.

Të nderuar miq,
Brenda LVV unë i besoj vetëm z. Albin Kurtit dhe askujt tjetër. Vërtet askujt tjetër.

Ka shumë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, ose njerëz të sapo anëtarësuar në LVV, që rrahin gjoks për fitoren dhe suksesin e tyre të “madh” në këto zgjedhje me rëndësi historike (?!)
Këtu pra kemi të bëjmë me një rast klasik servilizmi.
Këtyre sjelljeve duhet dhënë fund.

LVV dhe Albin Kurti janë këtu, ku janë, në radhë të parë falë votës së popullit. Por edhe falë shumë intelektualëve të „padukshëm“, që me dekada nuk bënë gjumë të rehatshëm, teksa po e shihnin degradimin total të shoqërisë kosovare, shkatërrimin gjithnjë e më të furishëm të shtetit të Kosovës nga pushtetarë interesxhinj dhe ta pa kurrfarë njerëzie e ndjenjë kombëtare apo përgjegjësie shtetërore. Këta intelektualë, ashtu siç e ngritën dikë, e kanë aftësinë edhe ta rrëzojnë.
L.VV këtë duhet ta ketë parasysh.

Në kontakte me aktivistë të LVV e kam vërejtur se, te një pjesë e mirë e tyre shoqëria me dikë (ndonëse kundërshtar i rrept politik) është më e rëndësishme sasa përkrahja politike e dikujt.
Këta aktivistë, me keqardhje e them, janë nepotistë. Edhe shoqëria e privilegjuar është nepotizëm. Është shkatërrim. Është krim ndaj Kosovës dhe demokracisë. Unë shumë shpejt kthehem kundër këtij tipi të njerëzve, që participojnë në jetën politike dhe çdo sjellje e mirë e tyre shndërrohet në dinakëri, në kujtim të keq, apo jo?

Ajo që pritet nga LVV nuk mund ti ngarkohet vetëm një personi (Albin Kurtit), por të gjithëve, deri tek aktivisti i fundit.
Nëse rastësisht në qeverisjen qendrore na përsëritet fenomeni „Myta“, unë do të jem kritikuesi më arrogant kundrejt „Qeverisë Kurti“. Kjo, ngase askush askënd nuk e zgjodhi për „sy te zi“, por për avancim të mirëqenies së përgjithshme.

Për fund. Lërini urimet, lavdërimet e sukseset! Punoni dhe heshtni. Puna e tregon veten.
Nëse gjykoni se e kaluat lumin, vjen lumi tjetër, kur nuk do të mund të kaloni dot, ngase “ati i shalës” nuk do të lejojë që t’ju bartë më mbi samar.

F.P.

Kommentar verfassen