Neve na duhet një ndryshim i mentalitetit shoqëror

Paksa ndryshe…

Mediat tona, radiot, TV-të, gazetat dhe portalet po e promovojnë thuajse vetëm muzikën e sportin… Kurse ekonominë, shkencën, librin, punën… gati se fare jo. Për ditë emisione të mërzitshme, u lodhëm me fytyrat e njejta.

Unë vetë jam marrë me art dhe me sport (merrem akoma), por këto, në të vërtetë, janë branshe “parazite” të shoqërisë. Aty fitojnë një numër i vogël njerëzish, por këto branshe (fusha) nuk e punësojnë popullin masivisht. E në këtë kohë më së shumti na duhen vende të punës se çdo gjë tjetër.
E kuptoj që promovimi tejmase i kulturës na ka mbetur nga lufta për ruatjen e identitetit (tepër të rrezikuar) shqiptar brenda ish Jugosllavisë.
Por sot na duhet puna e milingonës shumë më tepër se këngët e gjinkallës…
Arsimi, mjekësia, bankat, telekomi, sporti, kultura, turizmi, mediat…. etj… duhet ta marrin rolin e duhur, a ai është shërbimi ndaj PUNËTORIT dhe NDËRMARRËSIT, që PRODHON.
PRODHIMI në përgjithësi, e sidomos ai INDUSTRIAL, është bazë e ekonomisë (lexo: mirëqenies) së një shteti, nga ku pastaj përfitojnë edhe arsimi, mjekësia, kultura, bujqesia, shteti… me një fjalë të gjithë të tjerët. Por mu ky (prodhimi) promovohet vetëm kalimthi ose fare pak…

A DUAM NE TË PUNOJMË?
SIGURISHT QË DUHET TË DUAM (por…)
Kosova si shtet, prioritetet shoqërore duhet t’i identifikojë sipas rradhës dhe sipas gjendjes faktike shoqërore.
Një sportist “Filani” dhe një ndërmarrës “Fisteku”, që arrin produktin ta plasojë në BE, nuk e kanë të njejtën vlerë për shoqërinë.

NUK DUHET TA KENË. Pse?
Sportisti punon tepër, e ngre flamurin e shtetit krahas flamujve të tjerë, por nuk i jep askujt punë, madje (në rastin e Kosovës) kërkon ndihmë për sportin që e zhvillon…
E ndërmarrësi i furnizon 50-200 familje me të ardhura (200-600 persona), gjithashtu mbush buxhetin e shtetit përmes pagesës së tatimit (Gjithnjë e kam fjalën për ndërmarrës të ndershëm, e kurrsesi jo për hajn, apo bashkëpunëtor në shërbim të pushtetit të korruptuar)
Për mua puna është në rend të parë, të tjerat kur ka kohë dhe para. Poashtu krahasim të njejtë do të kisha bërë mes një këngëtari dhe ndërmarrësi. Madje këngëtari fiton shumë e nuk e punëson askend.

Sado që i gëzohem sukseseve të sportit tonë, arritjeve të kulturës sonë, aq më shumë brengosem për njëfarë lloj mosinteresimi shoqëror për mirëqenie të PËRGJITHSHME. Duhet shikuar që shumica e shoqërisë sonë të ketë një standard solid. Neve na duhet një ndryshim i mentalitetit.
Në perspektivë nuk duket kjo, por si gjithmonë, shpresa vdes e fundit.

Dipl.-Ing. Faton Piraj

Rima

Ka shumë njerëz (shkrimtarë apo edhe të tjerë….) që poezinë „moderne“ e shohin pa rimë. Atëherë shtrohet pyetja, përse ajo quhet poezi? Një prozë me fjali të ndara në rreshta, në formë strofe, pa metafora, pa alegori, pa mesazh, pa emocione për recitim e pa rimë çka i thuhet kësaj? Poezi jo, ore!

Një profesor i nderuar, para ca muajsh, ndër të tjera më tha kështu: “Ata po shkruajnë me rimë sikur nxënësit e shkollës fillore”. Deri në atë çast unë mendoja se ai merr vesh nga poezia, madje shumë …. por ….

Gjurmoni poetët e vërtetë, por edhe modernë, p.sh. Dritëro Agollin ose Ali Podrimën, të cilit pa rimë thuajse asnjë poezi nuk e kanë. Lexojeni Migjenin, Ali Asllanin, Nolin, Naimin ose Kadarenë. Thuajse nuk kanë poezi pa rimë.

Rima është zotësi.

Rima është një pengesë mjaft e madhe për ta shfaqur mendimin tënd në poezi, ashtu siç vërtet dëshiron.

Por mu aty ndërtohet poeti.

Poeti i vërtetë arrin, që përkundër rimës, të shfaq mendimin e vet 100% ashtu siç dëshiron. Ky quhet poet. Nëse nuk je ky, lëre shkrimin e poezive, ose së paku mos lejo të quhesh poet.

E kam recituar “bisht mbas gardhin” nëpër gara recitatorësh dhe me vetdëshirë. E kam kuptuar dhe përjetuar, që poezia pa fare rimë nuk ka emocion, e thatë e e mërzitshme, ose fare pak rimë saqë nuk të jep vullnet ta recitosh. Recituesi i aftë, në të vërtetë e reciton poezinë duke ia bërë rimën të padukshme, por ka të tillë, që rimën e poezisë e fusin në shpirtin e publikut.

Do ta vendosi recitimin e Mirush Kabashit dhe të Reshat Arbanës nën llupën e kritikës.

Mirushit nuk i duket rima, përpos kur e ngulit atë si emocion në zemrën e dëgjuesit.

Reshat Arbana është fund e krye rimë dhe nuk ka emocion ngulitës gjatë recitimit, përpos zërit të tij kumbues dhe „burrash“. Kush kupton nga recitimi, sigurisht që do të pajtohet që Mirushi është recitator i jashtëzakonshëm, kurse Reshati diku mbi mesataren.

Por ama asnjëri pa rimën nuk do të ishte ai, që është sot.

Prandaj unë jam pro poezisë me rimë, madje pro asaj me rimë ciklike, së paku çdo i dyti rresht.

Kështu poezia mund të recitohet me shumë emocion. Nuk e di se përse ekzistojnë poezitë, nëse ato nuk i reciton kush. Përndryshe shkruani prozë, që thjesht lexohet, ose prozë poetike, që pak a shumë mund të recitohet, por mos e quani poezi.

1.Poezia duhet të ketë shumë emocion, shumë vrull, ndonjëherë qetësi, apo edhe protestë ose mallkim, urim etj.

2.Poezia duhet të ketë një mesazh aktual, që është i duhur dhe nevojitet.

3.Poezia duhet të ketë RIMË.

F.P.

P.S. Kritika ndaj poezisë është shumë më e lehtë sesa të shkruarit e saj. 😁😉

Çfarë ka austriaku, që nuk e ka shqiptari?

(Shumica nga ta)

(diçka nga përvoja)

1. Austriaku ka sistem jete dhe pune. Ai ka algoritëm dite, jave, muaji, viti, jete. Madje edhe amvisja e ka planin vjetor të kafjallit, të drekës e darkës, nuk ia lë rastësisë.

-Shqiptari ka spontanitet të skajshëm. Sot për sot, e sa për nesër, shëndoshë kryet!

2. Austriaku e di vërtetë, që jeta është e shkurtër dhe e shfrytëzon kohën maksimalisht. Nuk është i habitshëm tek ai pra një libër në dorë gjatë udhëtimit, apo një gazetë-mbajtës në tualet.

-Shqiptari, pasi ti kalojë të 60-tat (nëse i kalon) e kupton që jeta është e shkurtër dhe u bëhet saç mbi krye (prapë gabim) pasardhësve të vet, të cilët sillen mu sikur ai dikur (e humbin kohën kot)

3. Austriaku është respektues. Pra ai nuk tenton t’ia imponojë tjetrit vendimet. Ai kurrë nuk thotë „Të kisha qenë në vend tëndin, do të veproja më mirë se ti“. Ai e pranon çdo vendim tëndin pa asnjë rezervë, por vendimet e veta i merr absolutisht vet, pa ndikim nga jashtë (nuk e lejon assesi tjetrin ti përzihet)

-Ndër shqiptarë gati askush askënd nuk e respekton. Shqiptari përzihet rregullisht në vendimet e tjetrit. Shqiptari di për ty më mirë, sesa që ti di për veten tënde😜. Shqiptarët janë më të mençurit. Edhe bariu shqiptar është më i ditur se një akademik anglez 😜.

4. Austriaku nuk e njeh nocionin e Besës, por fjalën e mban, fanatikisht do të kisha thënë.

-Shqiptari ka Besë kurse zotimin nuk e mban, se lëre më fjalën.

5. Austriaku është ndër të parët në botë (i 4-ti në Evropë e i 10-ti në botë)

-Shqiptari është ndër të fundit në botë (i fundit në Evropë e diku i 150-ti në botë)

A duam të ecim përpara?!

Atëherë ti ndryshojmë gjërat e vogla, për ti ndryshuar ato të mëdhatë.

F.P.

Zgjidhja

Jetoj, ngase mendoj dhe negacion kushtor i anasjelltë i kësaj.

Përmendet shpesh se do të ketë marrëveshje „historike“ mes serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan.

Ky është një gabim.

Duhet të thuhet qartë se nuk ekziston problemi Shqiptaro-Serb, por vetëm “Problemi Serbi”.

 “Marrëveshje historike shqiptaro-serbe” nuk (duhet të) synohet fare nga Qeveria Kurti. Në kontekst të problemit Serbi, ai edhe (duhet) do të ballafaqohet me shtetin e Serbisë (më pëlqen që deklaratat e tija janë në vazhdimësi të tilla).

Nëse do të ketë marrëveshje, ajo do të (duhet të) jetë në kuptimin „Serbia e lë Kosovën rehat“, ngase Serbia është problemi, pra as Kosova, as shqiptarët e as serbët.

Ndërsa problemin e paqenë shqiptaro-serb e dëshiron dhe e promovon Vuçiqi (Serbia). Dihet togfjalëshi tij „Razgraniçenje sa albancima“. Kjo fsheh një dredhi prapa, që sjell lëvizje kufijsh në dëm tonin. „Razgraniçenje“ nuk ka si të ketë dhe nuk mund të ketë. Kufijtë janë pranuar nga Bashkësia Ndërkombëtare ashtu, siç ishin brenda Jugosllavisë administrative (RSFJ). Ata duhet vetëm të shënohen zyrtarisht. Këtu nuk ka si të ketë kompromis.

Dhe çështja e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të zgjidhet me reciprocitet: „Çka ke ti kam edhe unë, çka më mungon mua të mungon edhe ty.“ Natyrisht se zgjidhja më e drejtë e çështjes së tyre është bashkimi me Kosovën, por për çastin kjo është e pamundshme pa dhimbje dhe humbje të mëdha. Duhet shikuar që këtij trualli shqiptar së paku ti ruhet vazhdimësia shqiptare dhe mirëqenia, deri në një rast më të volitshëm për bashkim me Kosovën.

Një gjë është më se e qartë për mua. Albin Kurti rrëzohet e nuk lëshon pe në dëm të Kosovës. E dëshmoi këtë njëherë.

„Zgjidhje kompromisi“ promovon Serbia. Një zgjidhje e tillë nuk ekziston. Ajo mund vetëm ta shtojë problemin e jo ta zgjidhë.

Nuk duhet rënë kurrsesi në kurthin e fjalorit të diplomacisë Serbe. Fjala „kompromis“ nuk duhet as të përmendet nga ne, aq më pak nga diplomacia jonë. Fjalët „barazi” dhe “reciprocitet“ duhet të fuqizohen, atë zgjidhje duhet ta kërkojë diplomacia jonë.

Barazia kombëtare dhe shtetërore është zgjidhja, e kurrsesi kompromisi.

Kompromiset janë bërë, që nga “Plani i Ahtisarit” e këndej, por zgjidhje s’ka dhe nuk mund të ketë. Strategjia e Serbisë “bën marrëveshje kompromisi dhe mos e zbato” na i ka shtuar problemet, kurse zgjidhjen e ka bërë akoma më të vështirë. Kjo, ngase Kosova zbaton çdo gjë e Serbia gati se asgjë.

Në Bruksel, qeverisë Kurti, pikërisht kompromiset e negociatave të deritashme i janë bërë problem e pengesë për zgjidhjen e problemit me Serbinë.

Sado që të bësh kompromise, aq më tepër Serbia do të kërkojë kompromise në dobi të saj, pa e pasur as në mendje zgjidhjen përfundimtare.

Zgjidhja përfundimtare vjen atë çast, kur Serbisë i shuhen shpresat për kompromise.

Jo kompromis, por barazi e reciprocitet

F.P.

Çka është Neoliberalizmi

(një shpjegim i shkurtër)

Meqë në shoqëritë e sotme flitet shpesh për këtë term, e pash të arsyeshëm një sqarim të shkurtër:

Neoliberalizmi” është shkollë e mendimit të “Liberalizmit”. Te Neoliberalizmi fokusi përqendrohet në bindjen që një rend funksional i ekonomisë së tregut nuk zhvillohet vetvetiu. Neoliberalizmi, ashtu si Liberalizmi, mbështetet në lirinë e individit. Njëkohësisht ai kërkon që shteti të sigurojë një kornizë ligjore të besueshme duke garantuar siguri, liri të marrëveshjeve kontraktuese dhe krijimi i mundësive të barabarta, por duke mbrojtur pronën private, konkurrencën dhe duke siguruar një sistem të qëndrueshëm monetar.

Kështu që shteti nuk kuptohet as si një “motor rishpërndarës” dhe as si “roje sigurimi”, por si një garantues i kushteve kornizë, brenda të cilave biznesi mund të zhvillohet lirisht. Neoliberalizmi si i tillë, krijoi bazën për idenë e ekonomisë sociale të tregut.

Origjina e termit

Sipas ekonomistit gjerman me famë, Wilhelm Röpke, termi “Neoliberalizëm” lindi në gusht të vitit 1938 në një konferencë në Paris – „Colloque Walter Lippmann“ (Colloque Walter Lippmann – frëngjisht: kolokvium, bisedë, ishte një takim i intelektualëve dhe akademikëve që u zhvillua në Paris nga 26 deri më 30 gusht 1938).

Parashtesa „neo“ para termit “liberalizëm” u zgjodh për të kundërshtuar qëllimisht liberalizmin e “laissez-faire“ të vjetër që paraqiste një lojë të pakufizuar të forcave të tregut pa ndërhyrje rregullatore nga shteti për të siguruar funksionimin e tregjeve. (Termi “laissez-faire”- lere të bëhet, u përdorë në shekullin e 18-të nga politikani francez René Louis d’Argenson dhe ekonomisti Vincent de Gournay. Me këtë lloj “edukimi” besohej se gjërat rregullohen vetvetiu në një shoqëri, pra pa ndërhyrje).
Në thelb, bëhej fjalë për një ripërtëritje ose një rishikim të liberalizmit historik ekonomik shumë të kritikuar (laissez-faire).

Z. Röpke përshkroi lëvizjen e re liberale (neoliberale) kështu: „Kjo lëvizje është e tillë, ku shumica e riformulimeve të liberalizmit, e kanë prirjen të ndërthurin dy gjëra: besimin në lirinë e tregjeve dhe bindjen që kjo liri kërkon një politikë gjithëpërfshirëse, e cila përcakton në mënyrë të rreptë rregullat e ekonomisë së lirë, duke përcaktuar me kujdes kushtet e saj, pra rregullat e lojës dhe duke siguruar që kjo kornizë e ekonomisë së tregut (fusha e lojës, si dhe rregullat e lojës) të respektohet me ashpërsi të paanshme „

F.P.

Nacionalizmi modern

USA e ka bërë anglishten gjuhën më të detyrueshme (pëlqyeshme) në botë.

Deshe apo nuk deshe, pa anglishten në botën e biznesit, politikës e shkencës je një hiç. Besoj se me këtë pajtohen të gjithë.

Këtë e arriti USA me muzikë, film, sport dhe shkencë. Kombi amerikan në të gjitha sportet është avangardë (edhe futbollin evropian do ta ngadhënjejnë një ditë), në muzikë, film e shkencë po ashtu…

Politikën shumë pak e ka përdorur për avancimin e kombit. Luftërat i ka bërë për naftë, ndikim ekonomik të drejtpërdrejt dhe pasuri të tjera.

Nëse vetëm do të kishte luftuar, askush nuk do t’ua fliste gjuhën amerikanëve, por do t’ua urrente.

Por pikërisht muzika, filmi, sporti e shkenca e dalluan dhe e bënë të simpatizueshëm si komb.

Kur i riu e sheh një vajzë të bukur duke ngarë një veturë të bukur, që dashurohet në një djalë të bukur, por që të dy flasin anglisht, drejtpërdrejt një i ri, pjesëtar i një kombi tjetër, ua sheh me simpati gjuhën, rrjedhimisht kombin e tyre.

Të gjitha shtetet e perëndimit përpiqen të shtrijnë ndikimin përmes këtyre branshave, në mënyrë të tërthortë.

Edhe Spanja…

Ju e keni vërejtur se sa lirë janë seritë në gjuhën spanjolle. Ju e keni vërejtur sa miliardat i investon Spanja në futboll. Qëllimi nuk është tjetër pos lufta pushtuese me mjete tjera.

Keni të drejtë kur thoni se SPORTI NUK ËSHTË POLITIKË. Po, e vërtetë që nuk është, por është shumë më shumë, është AVANCIM MODERN I KOMBIT dhe nganjëherë PUSHTIMI MODERN I POPUJVE TJERË.

Shpëtimi ynë është NACIONALIZMI. Pra dashuria për tënden dhe mos lëshimi i zemrës për të huajën.

Popujt e vegjël kanë mbetur të vegjël mu pse nuk kane qenë nacionalistë sa duhet.

Mos e ngatërroni nacionalizmin me shovinizmin apo racizmin, që në thelb e kanë urrejtjen e tjetrit. NACIONALIZMI ËSHTË DASHURI E FUQISHME PËR TËNDEN (kombin, prodhimin, shkencën, muzikën, sportin, në përgjithësi kulturën … etj.)

DUAJE TËNDEN, DUAJE ATDHEUN TËND!!!

F.P.

Fjalor shqip-shqip, kurrfarë

Me shkas nga fjala e një gjykatësi (që ia paska huqur keq)

Ata, që e kanë përpiluar fjalorin shqip – shqip, ose nuk janë konsultuar me ekspertë të fushave të caktuara, ose nuk kanë gjetur të tillë.

Të shikojmë se si sqarohet fjala “Fakt“ në fjalorin online shqip – shqip. (Ngjashëm edhe fjalët „dëshmi“ dhe „provë“)

Vetëm paragrafi 1. është i saktë, 2. dhe 3. janë krejt gabimisht, ngase shpjegimi i njërës fjalë bëhet përmes tjetrës.

Termet juridike „fakt„, „dëshmi“ dhe „provë“ janë fjalë të ndryshme.

Fakt„-i nuk mund të jetë „dëshmi„, as „dëshmi„-a „fakt„. „Provë“ hiç se hiç dhe anasjelltas (Me fakt nuk provohet asgjë)

Ne pra, fjalëve “fakt”, “dëshmi” dhe “provë” shpesh (për të mos thënë gjithnjë) ua ngatërrojmë kuptimin. Neve, që nuk jemi juristë, kjo na falet, por avokatëve, gjykatësve(?!) kjo nuk u falet assesi.

Shkurtimisht:

Fakti është diçka që ka ndodhur dhe që nuk mund të kontestohet (p.sh një ndeshje komunikacioni, apo një vrasje)

Dëshmia është fjala e një dëshmitari (e një njeriu që e ka parë ndeshjen ose vrasjen, ose mund të jetë edhe vetë pjesëmarrës), por mund të jetë edhe ndonjë dokument (p.sh. leja për ngasje automjetesh, leja për armëmbajtje ose ndonjë fotografi nga kamerat e sigurisë.

Prova është ajo që nxirret materialisht nga ekspertët (shpejtësia e ngasjes në bazë të forcës së goditjes, apo frenimit të rrotave, alkoolizimi i vozitësit përmes testit, lëndimet. Ose këndi i gjuajtjes me armë, largësia nga viktima në rastin e gjuajtjes, shenjat e gishtërinjve, etj.)

Kur gjuha e juristit nuk është në rregull, si do të jetë procesi gjyqësor në rregull?!

Ja pra pse pushteti gjyqësor te ne është i dështuar. Ja pse prokurorët janë të paaftë. Ja pse gjykatësit janë të paaftë. Ngase gjërat fillestare themelore nuk i dallojnë mirë.

Madje këta as të flasin nuk dinë, se lëre më të vendosin mbi drejtësinë e të gjykojnë drejt.

F.P.

P.S.

Autori ka qenë pjesë e Gjyqësorit Austriak në cilësinë e „Schöffe“-s (porotës).

Fjalori politik naiv

Nëpër media, intervista, debate, statuse nëpër rrjetet sociale, diskutime në kuvendin e Kosovës etj. na paraqiten shumë terme të imponuara nga diplomacia (pro)serbe.

Disa më kryesore:

1. U imponua: „Dialogu Prishtinë – Beograd

Duhet gjithmonë dhe asnjë të vetmen herë ndryshe: „Dialogu mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë“.

Pse? Sepse ”Dialogu Prishtinë-Beograd” e eliminon ekzistencën e shtetit të Kosovës, nga historia, diplomacia dhe nga kujtesa emocionale kolektive.

2. U imponua: „Regjimi i Millosheviqit bëri gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës„.

Duhet gjithmonë dhe asnjë të vetmen herë ndryshe: „Shteti i Serbisë bëri gjenocid mbi shqiptarët“.

Pse? Sepse ”Regjimi i Millosheviqit” nuk ekziston më, kështu që Serbia po shfajësohet dhe po i hiqet përgjegjësia për gjenocidin.

3. U imponua: „Njëherë e përgjithmonë duhet të zgjidhet çështja shqiptaro–serbe„.

Duhet gjithmonë dhe asnjë të vetmen herë ndryshe: „Njëherë e përgjithmonë duhet të zgjidhet çështja mes R. së Kosovës dhe R. të Serbisë„.

Pse? Sepse ”çështja shqiptaro-serbe” nuk ekziston. Çështja e tillë shpik konfliktin lokal me serbët e Kosovës, me të cilët shqiptarët në të vërtetë nuk kanë probleme. Kështu shfaqet rreziku i ndarjeve territoriale në baza etnike. Shteti i Kosovës ka problem me shtetin e Serbisë.

4. U imponua: “Regjimi i Millosheviqit ia hoqi autonominë e 1974-es Kosovës”.

Duhet gjithmonë dhe asnjë të vetmen herë ndryshe: “Shteti i Serbisë i hoqi Kosovës autonominë”.

Pse? Sepse duhet të thuhet: “Shteti i Serbisë ia ka hequr autonominë e 1974 Kosovës”. Nuk bën të lidhet kjo çështje vetëm me një regjim, sepse amnistohet Serbia si shtet nga dhuna e shkaktuar me shekuj.

5. U imponua: “Kosovë dhe Metohi – tha Vuçiq

Duhet gjithmonë (asnjë të vetmen herë ndryshe): “Kosovë – tha Vuçiq

Pse? Sepse pa marrë parasysh çfarë thotë Vuçiq, apo kushdo qoftë, ne duhet ti përmbahemi termit Kushtetues “Kosovë”.

Konkluzion:

Këto fjalë dhe të tjera të ngjashme duhet urgjentisht të përdoren siç duhet.

F.P.

Recitimi, shkurt e qart

Arsimtarë të „Gjuhë dhe letërsi Shqipe“, ju lutem ushtroni nxënësit mirë, para se publikisht të recitojnë! Ju lutem, shumë ju lutem!

Të recitosh nuk do të thotë të bërtasësh sa më shumë, e as të „këndosh“ me rimë.

I ndjeri, aktori Kristë Berisha, gjatë përzgjedhjes, nuk thoshte „Recito!“, por:

Më trego! Më shiko dhe më trego„.

Çfarë këshille e mirë, që s’harrohet, 3-4 sekonda fjalë dhe e kupton ç’është në të vërtetë recitimi.

Këtu është sekreti i RECITIMIT TË MIRË, pra T’I TREGOSH PUBLIKUT atë që thotë poezia (e që publiku as idenë nuk e ka për atë poezi e as për domethënien e saj).

Pra vërtetë të bisedosh me publikun, të komunikosh përmes recitimit, që ai ta ketë të qartë dhe ta kuptojë drejt çështjen, që shtron poezia.

Për këtë duhet ushtrime e ushtrime, e çdo fjalie veç e veç, se si ta thuash, që të jetë e kuptueshme dhe që të jetë vërtetë komunikuese dhe treguese, sikur ajo fjali të dilte nga një situatë e vërtetë, ta ndiesh sikur të ishte përjetimi yt dhe ashtu ta transmetosh.

Edhe një dua t’ju them, që lëvizja me duar mundësisht të eliminohet krejt, ose shumë rrallë të përdoret. Në garat e recitatorëve kjo na ishte ndaluar.

F.P.

Haga

Nuk ka bërë kurrfarë krimesh

Nuk e kuptoj se përse të akuzuarit tanë në Hagë po mbrohen me deklarata politike ose shprehje emocionale…

Nuk i jep gjykatësi ose prokurori i Hagës pesë pare për politikë, nuk u intereson hiç se kush kënd e përfaqëson, por as në „gjynah“ s’mund t’i shtiesh. Prokurori e ka detyrë dhe e konsideron si sukses, nëse arrin të të burgosë, andaj për këtë punon „si i sëmurë“.

Të akuzuarit tanë duhet t’i lënë deklaratat elektorale për qytetarët në Kosovë dhe duhet t’i ofrojnë provat e dëshmitë e besueshme, juridikisht e profesionalisht, në mënyrë, që të mbrohet lufta çlirimtare dhe UÇK-ja!

Shembull e mora këtë dialog, që tregon moskuptimin e mjaftueshëm të GJUHËS (fjalive) GJYKUESE nga i akuzuari:

Gjykatësi: Z. Selimi a jeni fajtor?

R. Selimi: Unë nuk ndihem fajtor.

Gjykatësi: Unë nuk ju pyeta a ndiheni, por a jeni?

Të mos ndihesh dhe të mos jesh, ka dallim. Ti nuk ndihesh, por gjykata „ndihet“ ndoshta ndryshe.

Përgjigjja do të duhej të ishte:

R. Selimi: Unë nuk jam fajtor! (jo nuk ndihem)

Disa herë kam shkruar se ne, shumë shpesh, i përdorim fjalët ku nuk e kanë vendin.

Të akuzuarit tanë në Hagë po duket që nuk kanë fare njohuri se si funksionon një gjykim profesional dhe po flasin kot. Po emocionohen pa kurrfarë nevoje. Mjaft keq. Emocionet, politika, mirësjellja, besa e njerëzia nuk kane vend në gjykatë. Aty vetëm dëshmitë dhe provat vlejnë.

F. Piraj 25.03.2021