
(një shpjegim i shkurtër)
Meqë në shoqëritë e sotme flitet shpesh për këtë term, e pash të arsyeshëm një sqarim të shkurtër:
“Neoliberalizmi” është shkollë e mendimit të “Liberalizmit”. Te Neoliberalizmi fokusi përqendrohet në bindjen që një rend funksional i ekonomisë së tregut nuk zhvillohet vetvetiu. Neoliberalizmi, ashtu si Liberalizmi, mbështetet në lirinë e individit. Njëkohësisht ai kërkon që shteti të sigurojë një kornizë ligjore të besueshme duke garantuar siguri, liri të marrëveshjeve kontraktuese dhe krijimi i mundësive të barabarta, por duke mbrojtur pronën private, konkurrencën dhe duke siguruar një sistem të qëndrueshëm monetar.
Kështu që shteti nuk kuptohet as si një “motor rishpërndarës” dhe as si “roje sigurimi”, por si një garantues i kushteve kornizë, brenda të cilave biznesi mund të zhvillohet lirisht. Neoliberalizmi si i tillë, krijoi bazën për idenë e ekonomisë sociale të tregut.
Origjina e termit
Sipas ekonomistit gjerman me famë, Wilhelm Röpke, termi “Neoliberalizëm” lindi në gusht të vitit 1938 në një konferencë në Paris – „Colloque Walter Lippmann“ (Colloque Walter Lippmann – frëngjisht: kolokvium, bisedë, ishte një takim i intelektualëve dhe akademikëve që u zhvillua në Paris nga 26 deri më 30 gusht 1938).
Parashtesa „neo“ para termit “liberalizëm” u zgjodh për të kundërshtuar qëllimisht liberalizmin e “laissez-faire“ të vjetër që paraqiste një lojë të pakufizuar të forcave të tregut pa ndërhyrje rregullatore nga shteti për të siguruar funksionimin e tregjeve. (Termi “laissez-faire”- lere të bëhet, u përdorë në shekullin e 18-të nga politikani francez René Louis d’Argenson dhe ekonomisti Vincent de Gournay. Me këtë lloj “edukimi” besohej se gjërat rregullohen vetvetiu në një shoqëri, pra pa ndërhyrje).
Në thelb, bëhej fjalë për një ripërtëritje ose një rishikim të liberalizmit historik ekonomik shumë të kritikuar (laissez-faire).
Z. Röpke përshkroi lëvizjen e re liberale (neoliberale) kështu: „Kjo lëvizje është e tillë, ku shumica e riformulimeve të liberalizmit, e kanë prirjen të ndërthurin dy gjëra: besimin në lirinë e tregjeve dhe bindjen që kjo liri kërkon një politikë gjithëpërfshirëse, e cila përcakton në mënyrë të rreptë rregullat e ekonomisë së lirë, duke përcaktuar me kujdes kushtet e saj, pra rregullat e lojës dhe duke siguruar që kjo kornizë e ekonomisë së tregut (fusha e lojës, si dhe rregullat e lojës) të respektohet me ashpërsi të paanshme „
F.P.