Zgjidhja

Jetoj, ngase mendoj dhe negacion kushtor i anasjelltë i kësaj.

Përmendet shpesh se do të ketë marrëveshje „historike“ mes serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan.

Ky është një gabim.

Duhet të thuhet qartë se nuk ekziston problemi Shqiptaro-Serb, por vetëm “Problemi Serbi”.

 “Marrëveshje historike shqiptaro-serbe” nuk (duhet të) synohet fare nga Qeveria Kurti. Në kontekst të problemit Serbi, ai edhe (duhet) do të ballafaqohet me shtetin e Serbisë (më pëlqen që deklaratat e tija janë në vazhdimësi të tilla).

Nëse do të ketë marrëveshje, ajo do të (duhet të) jetë në kuptimin „Serbia e lë Kosovën rehat“, ngase Serbia është problemi, pra as Kosova, as shqiptarët e as serbët.

Ndërsa problemin e paqenë shqiptaro-serb e dëshiron dhe e promovon Vuçiqi (Serbia). Dihet togfjalëshi tij „Razgraniçenje sa albancima“. Kjo fsheh një dredhi prapa, që sjell lëvizje kufijsh në dëm tonin. „Razgraniçenje“ nuk ka si të ketë dhe nuk mund të ketë. Kufijtë janë pranuar nga Bashkësia Ndërkombëtare ashtu, siç ishin brenda Jugosllavisë administrative (RSFJ). Ata duhet vetëm të shënohen zyrtarisht. Këtu nuk ka si të ketë kompromis.

Dhe çështja e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të zgjidhet me reciprocitet: „Çka ke ti kam edhe unë, çka më mungon mua të mungon edhe ty.“ Natyrisht se zgjidhja më e drejtë e çështjes së tyre është bashkimi me Kosovën, por për çastin kjo është e pamundshme pa dhimbje dhe humbje të mëdha. Duhet shikuar që këtij trualli shqiptar së paku ti ruhet vazhdimësia shqiptare dhe mirëqenia, deri në një rast më të volitshëm për bashkim me Kosovën.

Një gjë është më se e qartë për mua. Albin Kurti rrëzohet e nuk lëshon pe në dëm të Kosovës. E dëshmoi këtë njëherë.

„Zgjidhje kompromisi“ promovon Serbia. Një zgjidhje e tillë nuk ekziston. Ajo mund vetëm ta shtojë problemin e jo ta zgjidhë.

Nuk duhet rënë kurrsesi në kurthin e fjalorit të diplomacisë Serbe. Fjala „kompromis“ nuk duhet as të përmendet nga ne, aq më pak nga diplomacia jonë. Fjalët „barazi” dhe “reciprocitet“ duhet të fuqizohen, atë zgjidhje duhet ta kërkojë diplomacia jonë.

Barazia kombëtare dhe shtetërore është zgjidhja, e kurrsesi kompromisi.

Kompromiset janë bërë, që nga “Plani i Ahtisarit” e këndej, por zgjidhje s’ka dhe nuk mund të ketë. Strategjia e Serbisë “bën marrëveshje kompromisi dhe mos e zbato” na i ka shtuar problemet, kurse zgjidhjen e ka bërë akoma më të vështirë. Kjo, ngase Kosova zbaton çdo gjë e Serbia gati se asgjë.

Në Bruksel, qeverisë Kurti, pikërisht kompromiset e negociatave të deritashme i janë bërë problem e pengesë për zgjidhjen e problemit me Serbinë.

Sado që të bësh kompromise, aq më tepër Serbia do të kërkojë kompromise në dobi të saj, pa e pasur as në mendje zgjidhjen përfundimtare.

Zgjidhja përfundimtare vjen atë çast, kur Serbisë i shuhen shpresat për kompromise.

Jo kompromis, por barazi e reciprocitet

F.P.

Kommentar verfassen