E vërteta le të dhemb!

Sot „Llajkashat“ i kam në cev. Edhe „Llajkash“ edhe burrë i mirë veç nëse janë 2 persona, se përndryshe pikëpyetje. Shikoni, madje edhe Llajkat (Like) vërshojnë ku ka kafe hazër, ose ku ta qesin një cigaretë pa pare… 😜

Kush janë „Llajkashat“?

Llajkasha janë ata që flasin qyfyr si më poshtë, qe kështu:

  • Ngutu profesorit t’ia bëj llajk, sepse ndoshta më kalon në provim, ma fal një notë kaluese.
  • Tash mjekut t’ia bëj llajk dhe t’ia shkruaj Dr. përpara se ai ka qejf ta quaj Dr. por edhe kur t’shkoj në vizitë më këqyr më mirë dhe nuk më merr shumë para, madje hyj pa rend si Car (Latin).
  • Edhe auto shkollës duhet llajk, sepse më ndihmon ta jap provimin e vozitjes, nesër t’ia shkeli kah 200…

Kështu njësoj reshin llajkat për kryetarin e partisë, deputetin, politikanin, drejtorin etj.etj.

Mandej pikërisht „Llajkashat“ më së shumti ankohen për procese gjyqësore katastrofale, për hajna në pushtet, për arsim të keq, për rroga të vogla dhe për gratë që po ndahen (s’jetohet pa pare o shoki, me llajka nuk jetohet)

Llajkashat s’meritojnë ndryshe.

T’ia rrahë shpinën më të aftit, më të diturit ose më të mençurit… Llajkashi??? Haj Zoti na ruajttë!

Prandaj kemi shoqëri gilipterësh nëpër pozita. Kemi shtet sallamadi, vidh kush mbërrin, bëhemi lypsa e fukarenj, se fukara të bën rradakja e Llajkashit së pari, pastaj xhepi zbrazët.

Dëgjo ore Llajko (emër ma cool ky), më mirë është të vozitësh një VW „Golf“ nëpër rrugë të rrafshëta sesa një Mercedes „Benc“ nëpër rrugë me gropa. E kotë nëse ti e ke një Benc kurse rrethi yt është krejt gropa, ku shpejt Benci të bjerë në bandasha, ose truri të difuzon nga dridhjet. Ti me Benc e rrethi yt pa rrugë? Golfin as nuk po ua zë në gojë, për gjynah.

E ti mendjen bigë kur po të lusin t’i dërgosh diku me Bencin tënd? Që t’ia çosh dikujt nusen të lind, apo dikë ta çosh te dentisti, ngase e mbyti dhëmbi 😜.

Jeta vazhdon, me llajka ose pa llajka. Me rëndësi që pastërtia është gjysma e shëndetit kurse gjysma tjetër papastërtia.

Po ashtu me rëndësi është që ti t’ia shkelësh 200, që kur të ndeshesh të mos mbetesh sakat, e as atë tjetrin të mos e lësh sakat. 😜

Kjo është filozofia jote e jetës „Jam sa jam, kur s’jam, askush të mos jetë, s’më bëhet vonë. Ama veç profesorin e mjekun mos mi gjettë gjë, se kujt ia bëj pastaj Ljajk unë a?!

Si jetohet pa bërë llajka, hajt më tregoni…?“

F.P.

Dhuna

(vetëm disa aspekte)

Kuvendi i Republikës, Netflixi, Big Brother etj. janë frymëzime, por burimi është familja.

Ne e kemi vërejtur nga përvoja, që kur dikush është i dhunshëm, thuajse krejt familja është e dhunshme. Nga ana tjetër, kur dikush është paqësor, thuajse krejt familja është paqësore. Tek-tuk ka ndonjë përjashtim, por zakonisht është kështu.

Diçka, që sjell dhunë, është edhe mosrespektimi dhe nënçmimi i ndërsjellë.

Çdo njeri ka të drejtë të vendosë për veten, përderisa nuk të përfshin ty drejtpërdrejt në atë vendim. Ti nuk përpiqesh assesi të ndikosh në vendimin i tij.

Ky është RESPEKTI (pjesa më delikate e tij, ngase kemi edhe pjesën e respektit ndaj autoritetit, siç është ndaj prindit, mësuesit, drejtorit etj… si autoritet ligjor mbi ty).

4 RASTE më EKSTREME, do të mundohem ti sqaroj:

1. Çka nëse fëmija im vendos të pijë duhan? Duhet ta respektoj edhe këtu?

PO, duhet t’ia respektosh vendimin e tij, nëse autoriteti ligjor i yti si prind nuk është më i aplikueshëm (deri fëmija të bëhet 18 vjeç) dhe nëse vetë e fiton paranë për duhan, përndryshe mund t’ia ndalosh nën 18 vjeçarit (pas shumë bisedave sqaruese), ose të mos ia paguash mbi 18 vjeçarit.

Kujdes të madh këtu, ngase ndalesa mund të shkaktoje probleme tjera, si p.sh. pirja tinëz, që bëhet nëpër vende të fshehura ku mund të shkaktohet edhe ndonjë zjarr vënie.

Ndalesa e dhunshme nuk duhet bërë kurrsesi. Duhet bërë përpjekje maksimale, që fëmija të bindet për dëmet që duhani shkakton, me shembuj konkret nga rrethi (nëse ka).

2. Çka, nëse fëmija im vendos që të marrë drogë? Duhet t’ia respektoj vendimin?

PO, sikur te duhani. Meqë drogën nuk e merr një njeri normal i vetëdijshëm, këtu duhet ndërmarrë masa, duhet kërkuar ndihmën profesionale të psikologëve specialistë, që merren me raste të tilla. Sa më herët, aq më mirë. Rasti të fshihet nuk bën kurrsesi, as nga policia jo. Në fillim pasojat janë gjithsesi shumë më të vogla.

Gjithkush mund të mashtrohet ose të gabojë.

3. Çka nëse gruaja ime (burri im) vendos të ndahet, sepse nuk po i pëlqej më? Duhet ta respektoj (t’ia pranoj vendimin)?

PO, gjithesi duhet ta respektosh dhe të ndaheni miqësisht, në mënyrë që sidomos te fëmijët të mos shkaktoni trauma.

Dashuria dhe bashkëjetesa nuk shkojnë me zor.

4. A bën ti them dikujt „Po të isha unë ti, do të veproja ndryshe, gjithsesi më mirë se ti.“

JO, kurrsesi. Secili di më mirë për vetveten sesa që dikush tjetër di për atë. Vendimi i tij është i tij. Ai ty, me atë vendim, nuk të ka përfshirë drejtpërdrejt, nuk ty hyn pra në punë fare dhe gjithsesi veprimi yt nuk është e thënë të jetë më i mirë, ngase nuk i ke të gjitha informacionet që i kishte ai mbi rastin konkret. Andaj respektoje!

Pra këto gjëra i mungojnë SHUMË shoqërisë sonë, prandaj edhe ka dhunë.

STOP DHUNËS!!!

F.P.

Mos iu nënshtro askujt

(Një ndodhi interesante)

Meqë unë mendoja si student se titulli shkencor para emrit nuk përfaqëson ndonjë dëshmi të zotësisë, apo ndonjë dëshmi të njerëzisë, vendosa që emrave të profesorëve të mos ua shënoj titujt, por vetëm emrat (rinia çmenduria 😅).
Kur shkova ta marr nënshkrimin te Prof. Dr. Bajrush Bytyçi, i cili e ligjëronte „Saldimin“, të cilit për dreq edhe mbiemrin me “Q” ia kisha shkruar, e ai e kishte me “Ç”, atij i ra kjo menjëherë në sy dhe më pyeti me sarkazëm:
„Po sikur të të humbte ky Indeks, ata do ta gjenin, a nuk do të pyesnin se kush i ka dhënë këtij studenti ligjërata, ishin ata profesorë apo loparë? Ndërsa ky „Q“ te mbiemri më ka dërguar në Angli në burg, duke menduar se isha njëfarë krimineli me këtë emër të shkruar me Q“.
Me gjithë habinë për këtë reagim, unë iu përgjigja:
„Profesor, në fund të fundit më me rëndësi është se kush del ky student, ngase ky është qëllimi, e jo kush i ka ligjëruar, ndërsa mbiemrin e paskam ditur gabimisht“ (dhe ia përmirësova “Q” me “Ç” por edhe titullin ia vura, edhe pse mezi dukej 😊).
Ai ma mori Indeksin dhe ma hodhi nënshkrimin me një PIKË përpara dhe një PIKË prapa. Pikat e kishin pasur kuptimin „NUK KALON KURRË“ (mora vesh rastësisht nga një student më i vjetër)

Meqë gjatë studimeve isha anëtar i kolegjiumit të gazetës studentore „Bota e Re“ (në vitet e saja më të ndritura) duhej të merrja pjesë nëpër mbledhje, të cilat shumë profesorë nuk i mirëkuptonin, nuk e di përse. Njëri nga ta sërish Prof. Dr. Bajrush Bytyçi. Kur i kërkova leje nga ligjërata, sepse kisha mbledhje, ai më kishte mbajtur në mend për të keq dhe më tha: „Nuk po të lejoj, ti mund të shkosh pa më pyetur, por ti tek unë kurrë „Saldimin“ nuk do ta kalosh, lëre fakultetin që sot!“
Për mua gati se u shemb salla (viti i 4 i studimeve ishte), por barabartë me këtë i thash:
„Unë, profesor, lëre që do të kaloj, por do t’jua marr 10-të“.
Një koleg student, Mumin Bajrami, më tha duke pëshpëritur:
„Faton, mos se i humbe studimet“.
Unë ia ktheva:
„Mbaje mend se ç’thash sot!“
pastaj dola duke e injoruar moslejen e profesorit dhe shkova në mbledhje. Ishte koha e ndryshimeve të mëdha (1989).

Më duhet ta pranoj se „Saldimi“ është lënda që e kam përgatitur më se shumti në jetën time. Është një lënde e ekuacioneve diferenciale të termodinamikës, që vërtet sot në karrierë më ka ndihmuar shumë.
Kur erdhi provimi shumë shokë studentë u habitën me pamjen time, sa thanë që mezi se më njohën, por kjo pamje kishte qëllim të mos më njohë profesori. Ashtu edhe ndodhi.
Në provimin me shkrim i arrita pikët maksimale 100% ndërsa me gojë, me kërkesën e profesorit “a dëshiron dikush si vullnetar të përgjigjet”, u paraqita unë. Thënë thjesht e shtanga profesorin, e lash gojëhapur dhe syhapur me dijen që tregova.
„Kurrë në karrierën time si profesor“ tha ai „nuk kam hasur në një student kaq të përgatitur, ma jep indeksin, dhe le të dihet“ tha duke e shkruar (10) dhjetë. E hodhi edhe në fletëparaqitje dhe ma dha që ta dërgoj në sekretariat.
E kisha tash fletëparaqitjen dhe nuk kishte ai çfarë të më bënte më, andaj vendosa ti tregoj se kush jam. I thash:
„Profesor, ju nuk e shikuat nënshkrimin në indeks“
„Pse a nuk e ke marrë? Nuk i ke kryer punimet?“
„Jo“ i thash „diçka tjetër është në pyetje.”
E mori indeksin, e hapi dhe e pa…… u step.
Pas pak u çua në këmbë dhe për çudi ma zgjati dorën duke më thënë:
„BRAVO, qenke burrë i fjalës. Nga je…..”… dhe pyetje të tjera jo të rëndësishme.
„Faleminderit profesor, e vertetë që jam i fjalës“ i thash unë me mburrje, Mumin Bajramit ia bëra me sy, dhe ika për në sfidat e reja.

F.P.
Fotografia dëshmon.

Gratë muslimane e bartin shaminë

(jo vetëm një veshje)

Debati për shaminë është një çështje e gjatë dhe herë më shumë, herë më pak, në fokus të interesit publik.

Pyetja, të cilës do të mundohemi që ti përgjigjemi është:

Pse gratë muslimane e bartin shaminë?

Obligimi islam për shaminë për gratë gjendet në dy vende në Kuran:

Së pari në suren Nûr, ku Allahu thotë:

“Dhe thuaju besimtareve të ulin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre dhe të mos e shfaqin atraktivitetin (bukurinë trupore) përveç asaj që është e dukshme, dhe që ato duhet të hedhin mbulesën e tyre mbi kraharorin e tyre dhe t’i tregojnë hijeshitë e tyre vetëm bashkëshorteve të tyre (…) Dhe ato nuk duhet të tundin këmbët e tyre në atë mënyrë që të tërheqin vëmendjen ndaj stolive të tyre të fshehura. Dhe drejtohuni përfundimisht tek Allahu, o besimtarë, që të kaloni (t’ju shkojë jeta) mirë.”[1]

Në Ajetin tjetër Allahu thotë: “O Pejgamber! Thuaju grave tuaja, vajzave tuaja dhe grave të besimtarëve që t’i hedhin mbulesat e tyre mbi trupat e tyre. Në këtë mënyrë ato kanë më shumë gjasa të njihen dhe (për rrjedhojë) të mos shqetësohen (ngacmohen). Allahu është Falës, Mëshirëplotë.”[2]

Kodi i veshjes gjithashtu mund të rrjedh nga një Hadith i cili është transmetuar në koleksionin e Ebu Davudit:

„Aishja transmeton: Asma bint Ebi Bekri u shfaq para Pejgamberit me rroba të zbuluara. Ai u largua prej saj dhe tha: ‚O Asma (Esma)! Kur gruaja të ketë arritur pubertetin, asaj nuk duhet t’i duket asgjë përveç kësaj!” Dhe ai tregoi me gisht fytyrën dhe duart e tij.”[3]

Sfondi i ajeteve Kuranore

Sipas shumicës së dijetarëve, Ajeti në suren Nûr ka zbritur në lidhje me të ashtuquajturën „Çështja e gjerdanit“. Ja historia e shkurtër e saj:

Gjersa pushonte në pushimore, Aishja, gruaja e Pejgamberit, largohet nga karvani pak para se ai të nisej. Gjatë rrugës së kthimit për te karvani, ajo vëren se e kishte humbur gjerdanin dhe kthehet prapa. Ndërkohë, karvani niset, pasiqë mendohej se Aishja ishte në karrigen (në karrocen) e deveve. Duke shpresuar se do ta marrin së shpejti, Aishja pret në fushën ku ishin ndalur për pushim. Aty ajo e takoi (e vërejti) Safvan ibn Muattalin, i cili i përkiste rojeve të prapme të ushtrisë. Kur e pa, Ai e mori Aishen mbi deven e tij dhe, më në fund, në agim ia dolën të dy ta arrijnë ushtrinë, e cila ishte ndalur e po pushonte sërish.

Shpejt u përhapën thashethemet që e akuzonin Aishen për tradhti bashkëshortore. Situata ishte e rëndë, të gjithë të përfshirët ishin nën presion. Më në fund, vetë Pejgamberi i kërkon Aishes të deklarohet apo të marrë një qëndrim lidhur me akuzat….

Në shtëpinë e babait të Aishes, i cili më vonë u bë kalifi i parë, Ebu Bekri, Pejgamberit iu shpallën Ajetet e shumëpritura, të cilat vërtetonin pafajësinë e Aishes: Surja Nûr, ajeti 15-17.[4]

Kjo shpallje është e përfshirë në një sërë Ajetesh të tjera të sures Nûr që kanë të bëjnë me temën e tradhtisë bashkëshortore dhe shpifjes kundrejt grave të pafajshme, gjegjësisht mbrojtjes së grave.

Një prej tyre është obligimi për shami.[5] Prandaj, ky obligim (për shami) mund t’i dedikohet fazës së dytë të shpalljes (në Medine).

Megjithatë, në bazë të thënieve të Pejgamberit, disa udhëzime të veshjes mund të lidhen me periudhën e hershme islame në Mekë.

Sipas një transmetimi nga shoku i Pejgamberit, Harsi al-Gamidi, Pejgamberi një herë u sulmua dhe u lëndua nga një turmë, të cilën ai po e ftonte në Islam. Pasi turma u shpërnda, një grua nxitoi drejt tij me një enë me ujë. Ajo qau aq shumë sa qafa e saj u zhvesh (zbulua). Pasi Pejgamberi kishte pirë ujë dhe kishte pastruar veten, e këshilloi atë grua që më së miri është që të mbulojë qafën me shaminë e saj. Sipas njohurive dhe hulumtimeve, kjo grua ishte Zejnebja, e bija e Pejgamberit.[6]

Diskutimet e brendshme islame

Është një debat në botën islame nëse termat „himar“ dhe „xhilbab“, që shfaqen në dy Ajetet e përmendura më sipër, i referohen një pëlhure që mbulon kokën, apo thjesht një mbulese që mbulon qafën dhe gjoksin.

Kundërshtarët e shamisë argumentojnë se fjala „kokë“ nuk figuron në asnjë ajet dhe se pjesa e trupit që duhet mbuluar nuk nënkupton as në terma shaminë.

Ka dy rryma kundërshtuese për këtë:

1.Fjalët si: këpucë, kapele, unazë etj., nuk tregojnë në vetvete pjesët e trupit për të cilat janë të destinuara. Megjithatë, ekziston një kuptim përgjithësisht i detyrueshëm për përdorimin e këtyre objekteve. Udhëzimet specifike në Kuran nuk duhen veçuar nga mjedisi gjuhësor dhe shoqëror i Gadishullit Arabik në shekullin e VII. Nëse supozohet se dy Ajetet në Kuran e bënë të detyrueshme vetëm mbajtjen e një mbulese të qafës ose gjoksit, kjo nuk do të thotë asgjë tjetër përveç se këto pjesë të trupit ishin të zbuluara në kohët para islamike.

2.Megjithatë, ky supozim nuk mbështetet nga burimet historike. Për shembull, dijetari i njohur i Hadithit Buhari thotë: “Para shpalljes së këtyre Ajeteve, gratë në Arabi mbulonin kokat e tyre, por linin disa zona të qafës ose gjoksit të hapura”.[7] Në kohën e Pejgamberit, gratë e bartnin shaminë, fundin e së cilës e lëshonin mbi shpinë, si një lloj stolie.[8]

Pra, Kurani nuk kishte përse të përcaktonte një kod veshjeje krejtësisht të ri. Përkundrazi, format ekzistuese të veshjeve u rafinuan dhe u përshtatën me kërkesat e rendit fetar Islam. Aishja citohet të ketë thënë: “Allahu duhet t’i mëshirojë gratë e mërgimtarëve, sepse ato menjëherë pas urdhrit “të hedhin shamitë e tyre mbi gjoks…” prenë pjesë të fustaneve të tyre dhe i bënë shamitë.”[9]

Më shumë se vetëm rroba

Meqenëse Allahu e krijoi njeriun dhe, sipas pikëpamjes islame, e njeh atë dhe anët e forta dhe të dobëta të tij më mirë se vetë njeriu, muslimanët besojnë me bindje të plotë se vetëm Ai ka të drejtën dhe autorizimin për të bërë një përkufizime të tilla.

Sipas Kuranit, sfera intime e burrave dhe grave është e përcaktuar veçanërisht për tu mbrojtur.[10] Marrëdhënia mes gjinive duhet të bazohet në respektin e ndërsjellë. Ky respekt shprehet edhe në veshje, por veç nga kjo respekti nuk mund të garantohet. Për këtë arsye, rregullat e veshjeve të Kuranit janë të përfshira në një kontekst udhëzimesh etike[11], të cilat theksohen veçanërisht fuqishëm në fazën mekase të shpalljes. Kjo përfshin, ndër të tjera, zhvillimin e një karakteri të mirë, qëndrimi i përgjegjshëm ndaj botës dhe adhurimi për Allahun si kërkesë bazë për veprim të përgjegjshëm.

Ajetet e shpallura në Mekë përmbajnë kryesisht shembuj, përshkrime të parajsës dhe ferrit në formë pikturimi, pra e ahiretit në përgjithësi dhe parime themelore etike që duhen respektuar në kuadër të ruajtjes së nderit dhe dinjitetit të qenieve njerëzore, ngritjes së standardit moral në shoqëri dhe cilësisë së marrëdhënieve ndërnjerëzore.

Surja e 23-të e Kuranit, Mu’minûn, për shembull, përshkruan karakteristikat e besimtarëve duke trajtuar gjithashtu marrëdhëniet midis burrit dhe gruas: „Kalojnë mirë besimtarët që përulen në namazin e tyre, që largohen nga të folurit e pamenduar dhe paguajnë Zekatin dhe ruajnë pjesët e turpshme te tyre.”[12]

Ruajtja e pjesëve të turpshme përbën bazën e përgjithshme etike mbi të cilën janë ndërtuar rregulloret e veshjeve në vijim. Kjo do të thotë: Rregullat në Islam në përgjithësi dhe rregullat e veshjes në veçanti janë bazë për një proces zhvillimi të pjekurisë individuale dhe shoqërore.

Në çdo rast, është e rëndësishme të ceket, që nderi i një personi nuk përcaktohet vetëm nga veshja e tij. Sipas kuptimit islam, faktori vendimtar është shkalla e Takva-së (droja ndaj Allahut), e cila nga ana tjetër mund të matet dhe gjykohet vetëm nga Allahu.

Allahu është i vetmi, që e ka të drejtën dhe autorizimin, që të përcaktojë ndershmërinë (devotshmërinë) e çdokujt dhe gjithçkahit.

F.P.

[1] Surja Nûr, 24:31

[2] Sure Ahzâb, 33:59

[3] Ebu Davud, Sunen, Libâs, 34

[4] Ibn Hisham, Sîra, II, fq 298

[5] Lings, Martin, Muhamed – Jeta e tij sipas burimeve më të hershme, f. 337

[6] Izzaddîn ibn el-Asîr, Usd el-Gaba, I, fq 203

[7] Buhârî, Istizan, 2; „Interpretimi i sures Nûr“, 12

[8] Kurtubî, Tefsîr, XII/230

[9] Buhâri, Sahih, interpretimi i ajetit të 31-të të sures Nûr

[10] Shih suren Arâf, 7:25

[11] Shih p.sh. B. Sure Arâf, 7:26; Surja Nahl, 16:81

[12] Sure Mu’minûn, 23:1-5

Vetëasimilimi i qetë naiv

Nga emrat e fëmijëve, nipave e mbesave të shqiptarëve po lexoj shumë emra të huaj, që ua kanë vendosur fëmijëve të ndikuar nga seritë televizive (edhe ti i nderuar lexues), apo filma të ndryshëm.

Të mos keqkuptohemi, nuk jam kundër emrave me bazë fetare, megjithëse i preferoj emrat shqip.

Por jam tepër shumë kundër emrave të kombeve të huaja.

Ky është një asimilim i qetë i kombit tonë, o vëllezër.

Gjithë ata emra shqip, ku po shkoni ore, e po i gjeni ata emra të huaj pa kurrfarë vlere?!

“Dashuria për kombin fillon te emërimi shqip i fëmijës tim. Emëroni shqip fëmijët!”

Gjethi, Guri, Shkëmbi, Trungu, Elbi, Thekra, Gruri, Kumbulla, Molla, Dardha, Bardha, Flladi, Jeta, Rrënja, Qarri, Besa, Dija, Lumturia, Bukuria, Vjollca, Vjosa, Shkumbini, Albini, Teuta, Agroni, Sharri, Tomori, Bjeshka, Jehona, Elba, Era, Puhia, Nektari e shumë të tjerë…

Madje edhe “Balta” është emër më i mirë se “Xhemile, “Xhylfidane”, „Eduarda“ apo „Edmond“.

Më i mirë është emri “Përroi” sesa “Hashim” ose “Begjet”. Emri „Gardhi“ është më i mirë se „Edmond“ ose „Paul“.

Emri nuk ka të bëjë asgjë me karakterin e njeriut, të mirëkuptohemi. Ata që i kanë këta emra nuk d.m.th., që nuk janë njerëz të mirë, por emri e dëshmon autoktonësinë, përkatësinë kombëtare për shekuj të tërë.

Nuk është e rastësishme që çdo pushtues së pari i ndryshon emrat e vendbanimeve, dhe më pas të  njerëzve. Ngase ai synon të thotë këtu nuk është pushtues, sepse këtu jetojnë bashkëkombësit e tij, toponimet janë në gjuhën e tij. Pra edhe toponimet e vendbanimet duhet të shqipërohen (për këtë një herë tjetër)

Pas 50 ose 100 vjetësh nuk dihet se si do të jenë forcat botërore. Nuk dihet se kush, ku do të jetojë, a do të ketë sundues. Andaj mendoj që një ditë, për të mos na mallkuar gjeneratat e ardhshme, të veprojmë me mend, ta sigurojmë që sot një dëshmi për ardhmërinë.

TA EMËROJMË SHQIP FËMIJËN, NIPIN OSE MBESËN.

F.P.

Për futboll-dashësit

Në „stadiumin“ e Pllavës

Pse topi merr rrugën harkore të fluturimit kur shutohet me efé?!

Sqarim i thjeshtë (me shumë pak matematikë).

Kur topi rrotullohet në një fluid, në rastin tonë në ajër, pjesë të ndryshme të topit kanë shpejtësi të ndryshme ndaj ajrit që i rrethon. Në shikim të parë duket sikur pjesa e jashtme e topit gjatë rrugës harkore (banane) e ka shpejtësinë më të madhe, por nuk është ashtu. Turbulencat, që krijohen në atë anë shkaku i fërkimit më të madh të topit me ajrin, e ndihmojnë ajrin të ndahet më herët nga topi. Shih figurën:

Kur ndahet më herët nga topi, atëherë pra kalon rrugë më të shkurtër nga kjo anë. E nga ana tjetër kalon rrugë më të gjatë. Krejt kjo ndodh për kohën e njëjtë, që rrjedhimisht rruga më a gjatë kërkon shpejtësi më të madhe për tu kaluar për kohën e njëjtë. Në figurë kjo është ana me vija të shpeshta të rrjedhës së ajrit.

Ligji i Bernulit (Daniel Bernoulli) thotë që energjia në çdo pikë të fluidit mbetet konstante. Meqë në fluide kemi 3 energji fizike, atëherë shuma e energjisë së presionit (shtypjes), energjisë kinetike (të lëvizjes ose shpejtësisë) dhe Energjisë potenciale (të pozitës ose lartësisë) është konstante. Matematikisht:

Ep + Ek + Epo = const.

Ne rastin tonë (figura e dytë lartë)  kemi anën A dhe anën B

Në të dy anët shuma e energjive duhet të jetë e njëjtë

EpA + EkA + EpoA = EpB + EkB + EpoB

Energjia potenciale (e pozitës, e lartësisë) është e njëjtë në të dy anët, ngase niveli është i njëjtë.

Meqë në anën B Energjia kinetike (e lëvizjes ose shpejtësisë) është më e madhe, siç e sqaruam më lart (VB > VA) për tu barazuar energjia e tërë, në anën A rritet Energjia e presionit (shtypjes) dhe e shtyn topin kah ana B, kështu krijohet rruga „banane“ apo „parabola“ siç komentatorët e quajnë në zhargonin ditor.

F.P. (02.07.2022)

Poezia, përkufizimi, 5 karakteristikat dhe recitimi

Vepra lirike dhe poezia janë tekste të shkurtra në formë vargjesh. Ato shpesh rimojnë dhe ndërtohen me subjektivitetin dhe imazhet gjuhësore (metafora, alegori, sarkazëm,…).

Unë do të përpiqem ta sqaroj këtu përkufizimin e poezisë dhe karakteristikat më të rëndësishme të saj.

Poezia është një zhanër i shumanshëm me një sërë nënzhanrash dhe veçori të veçanta për nga forma dhe përmbajtja gjatë analizës së saj.

Kemi karakteristika të rëndësishme dhe gjëra që ia vlen ti dimë për skemën e rimës dhe unin lirik.

1. Përkufizimi i poezisë

Poezia është një nga tri gjinitë kryesore të letërsisë. Krahas poezisë dallohen epika (letërsia rrëfimtare) dhe drama (tekste me role të ndara). Dallimi kryesor midis poezisë lirike dhe dy gjinive të tjera është forma e vargjeve.

Në veprat lirike bëjnë pjesë poezitë. Në poezi përfshihen odetë, sonetat dhe baladat.

Termi „lirik“ rrjedh nga termi grek „lyra“. Dikur çdo poezi që shoqërohej me luajtjen e lyrës hynte nën konceptin e poezisë lirike. Sot ndarja e poezive në vargje dhe strofa është përcaktuese dhe vendimtare.

Ndonëse rima dhe ritmi janë të zakonshme në veprat lirike, siç janë poezitë, ato nuk janë pjesë e domosdoshme e tyre e në veçanti të poezisë. Këtë e dëshmojnë, për shembull, zhanret lirike të poezisë së pakuptimtë ose të Rap-it, ku jo çdo gjë duhet të rimojë.

2. Karakteristikat dhe dallimet

Termi „lirik“ si një term i rëndësishëm klasifikues për poezinë lirike është përdorur vetëm që nga shekulli i 18-të. Që nga shekulli i 19-të, sinonimet “vjershë”, “poezi” ose “poemë”  janë përdorur shpesh.

Para kësaj, gjithçka që shkruhej konsiderohej „vjershë”.

E sot, këta terma u referohen teksteve poetike.

Edhepse poezi mund të konsiderohen edhe efekte te tjera fizike. P. sh. ka filma, fotografi dhe momente, që për sytë konsiderohen si poezi ose p.sh. muzikë, që mund të konsiderohet si poezi për veshin.

Në kohën e sotme poetikë quhet shkolla e poezisë.

Këto janë pesë karakteristikat thelbësore të poezisë si vepër lirike:

  1. Tekstet e poezive lirike zakonisht përcjellin ndjenjat ose përshtypjet subjektive të një uni lirik (subjekti lirik).
  2. Poezitë, krahasuar me format e tjera të letërsisë, janë të shkurtra.
  3. Poezitë lirike e kanë karakterin e një kënge dhe mund të këndohen madje.
  4. Poezia lirike përbëhet nga strofa dhe vargje zakonisht të rimuara.
  5. Megjithatë, rima nuk është parakusht për poezi (edhe pse unë personalisht e pëlqej poezinë me rimë)

3. Nëngjinitë e poezisë

Në këtë pjesë do të flasim për disa nëngjini të zhanrit “Poezi”. Ato përcaktohen ose për nga tema ose stili. Një vepër lirike mund t’i përkasë madje disa zhanreve. Për shembull, poezia për fëmijë mund të jetë poezi e natyrës dhe anasjelltas, ose poezia politike mund të jetë njëkohësisht poezi e rastësishme po ashtu.

Përveç nënzhanreve, ka edhe gjini lirike që lidhen me formën dhe gjatësinë e veprës. Këtu përfshihen, për shembull, haiku (Japoni), elegjia, balada, odeta, hymni ose soneti.

3.1. Poezia rrëfimtare (narrative)

Poezia konfesionale si poezi rrëfimtare përfshin vepra poetike që trajtojnë detaje intime të autorit; për shembull përvojat erotike ose vuajtjet mendore e shpirtërore.

3.2. Poezitë e objekteve

Këto tregojnë një histori nga brenda një objekti të gjallë ose të pajetë. Objektet e artit, situatat ose ngjarjet shfaqen si një “uni” lirik kryesisht i nënkuptuar. Përshkrimet nuk janë të subjektivizuara, megjithëse pretendohet se gjësendi flet.

3.3. Poezia për fëmijë

Poezia për fëmijë përfshin të gjitha veprat lirike të shkruara për fëmijë dhe nga fëmijë (këngë për fëmijë, vjersha për fëmijë dhe poezi për fëmijë).

3.4. Poezia për natyrën

Këtu natyra është subjekti qendror i poezisë.

3.5. Poezia politike

Këto vepra lirike trajtojnë mosmarrëveshjet politike nga një pozicion i veçantë apartiak ose partiak dhe i drejtohen publikut.

3.6. Poezia e pakuptimtë

Poezia e pakuptimtë nuk ka asnjë kuptim të dallueshëm përveç argëtimit të lojës, poezisë, shakasë ose vetë marrëzive.

3.7. Poezia e rastit

Poezia e rastit është shkruar për një rast të veçantë, si përvjetor, ditëlindje ose festë.

3.8. Teksti poetik

Teksti i këngës p.sh. është pjesa gjuhësore e një vepre muzikore. Mund të shihet së bashku me përbërjen ose i veçuar prej saj. Në këtë zhanër bëjnë pjesë p.sh. tekstet e Rap-it. Në artin skenik, fjala e folur është një vepër lirike ose një histori që shfaqet para një publiku. Këso shfaqje shoqërohen shpesh me muzikë.

4. Analiza e poezisë lirike për recitim

Ashtu si analizat e romanit, analizat e tregimeve të shkurtra, analizat e teksteve faktike, analizat e fabulave apo legjendave, edhe analiza e poezisë përbëhet nga një përgatitje e mirë, një pararecitim dhe në fund një recitim.

Nën çdo pikë këtu kemi një shpjegim se çfarë duhet të bëjmë. Struktura është mjaft e përgjithshme saqë vlen për të gjitha veprat lirike.

4.1. Përgatitja

Duke qenë se veprat lirike janë zakonisht të shkurtra dhe gjatë analizës së tyre do të hasim kryesisht në poezi, detyrimisht duhet ta lexojmë tekstin disa herë. Shënojmë skemën e rimës dhe gjithashtu nënvizojmë me ngjyra motivet e rëndësishme dhe mjetet retorike dhe përcaktojmë domethënien e ngjyrës së caktuar. Natyrisht që përpiqemi të identifikojmë mendërisht kuptimin dhe temën kryesore të poezisë në mënyrë që të mund ta përdorim gjatë recitimit.

4.2. Pararecitimi

Pararecitimi përfshin gjithmonë ushtrimet kryesore më të rëndësishme të poezisë. Për të bërë këtë sa më suksesshëm nevojitet një studim i llojit të tekstit, tezës që shtrohet madje edhe të vetë autorit. Përveç kësaj, mund të përmbledhim shkurtimisht ushtrimet kryesore në një letër. Nëse e njohim epokën për të cilën flet poezia, kjo na ndihmon akoma më shumë për recitim. Pjesët e shënuara me ngjyra i theksojmë sipas asaj që kemi vendosur në poezi. P.sh. kuq d.m.th. ngritje e intonacionit, gjelbër d.m.th. shprehje të buta etj.

4.3. Recitimi pa publik

Pjesa kryesore është recitimi pa publik.

Një mundësi është ajo ku recitimi mund të ndjekë një ose më shumë teza ose çështje, në varësi të fushëveprimit të poezisë. P.sh. ne mund të theksojmë më fortë një pjesë të tematikës së poezisë, ose një tjetër, varësisht nga efekti që dëshirojmë të arrijmë te publiku.

Kurse mundësia tjetër është të skicojmë unin (subjektin) lirik, të shqyrtojmë paralelet biografike me autorin dhe kështu pra thjesht të recitojmë të gjithë poezinë me të gjitha aspektet e saj.

Për recitim mund të studiojmë edhe formën e tekstit, strukturën, gjuhën, mjetet stilistike dhe imazhet gjuhësore të cilave pastaj gjatë recitimit u japim konsideratën e duhur.

Në një poezi nuk duhet të mungojë asnjëherë gjatë recitimit kujdesi për skemën e rimës ose ritmin e poezisë.

Përfundim

Në fund mund të përmbledhim shkurtimisht rezultatet e përgatitjes sonë për recitim dhe ta ushtrojmë poezinë në bazë të këtyre studimeve deri në momentin kur dalim në skenë para publikut.

F.P.

Përjetimi i 2021-ës, që nuk desha ta rrëfej

Një studente më 2021-ën e hodhën nga konvikti (Hajmi) i studentëve jashtë, pasi së nuk kishte të holla për ta paguar konviktin (Hajmin). Mi kërkoi, ia dhashë të hollat dhe e pagoi, përndryshe do t’i ndërpriste ndoshta edhe studimet.

Kur e bënë një restaurim të konviktit, ku banonte, ajo mbet jashtë. U paraqit sërish. E morëm me gruan, edhe pse rrezikuam infektimin me Corona, me virus akoma të panjohur deri atë çast sa duhet, dhe ia siguruam fjetjen në banesën tonë.

Kur qeveria austriake urdhëroi që të pa vaksinuarit të mbyllën, unë reagova publikisht kundër. Ajo e shfaqi gëzimin që po na mbyllin, ngase lobonte pro vaksinimit. Ia tërhoqa vërejtjen së jemi në hall, nëse na mbyllin, por përkundër kësaj ajo e shfaqi bublikisht gëzimin që qeveria na mbylli. Kur i reagova privat dhe e pyeta se përse po e bën një gjë të tillë, ajo ma bllokoi Facebookun.

Tash bëri pak para zonjusha, duke punuar në firmën e vaksinave dhe e çvleftësoi veten për pak lekë.

Thash, sa shpejt e shesin shqiptarët shpirtin, për pak perfitim.

Kështu pra falënderohen shqiptarët. Fytyra fort ua bartë!

***

16 familje i kanë „letrat“ nga unë. Asnjëra asnjë falënderim së paku gojor nuk ma ka thënë.

3 familje nga Opoja, pasi e kanë marrë urdhrin për ta lëshuar Austrinë, UNË me ankesë ndaj vendimit të Zyrës Federale per Azil (Bundesazylamt) ua kam fituar lëndën dhe pra ua kam bërë të mundur qëndrimin e përhershëm më letra e me krejt.

Njëra nga këto tri familje (tash zotëria, të cilit ia fitova azilin, e ka sjellë të gjithë familjen këtu) më ka fyer moralisht shumë thellë, ka përhapur fjalë gjithkah, natyrisht të gjitha shpifje të paskrupullta, që nuk i thotë as shkau. Nuk e prisja këtë nga ta, ngase e kemi një lidhje familjare.

Një familje tjetër nuk dëshiron të më njohë. Meqë jemi paksa të afërt, jemi vizituar një kohë. Ata mi ndërprenë vizitat. Më vonë bënë synet, martuan vajzë e djalë, as që më treguam bile, që t’ia bëj për hair.

Kur mu dashtë mua zotëria për një punë në vitin 2021, lëre që nuk erdhi vetë, por nuk më tha së paku JO, që ta gjej dikë tjetër. E prita, nuk erdhi dhe puna u prish, ama sot bëhet së është njëfarë burri.

etj.etj.etj. Të mos ju lodhi.

Kjo është historia e humanitetit tim veç për vitin 2021.

E ju ndoshta thoni „Ndihmoni bashkatdhetarëve“.

KUJT ?!

F.P. (03.03.2022)

Ëndrra e madhe

Është me të vërtet shumë keq, që shumë njerëz ende besojnë që gjithçka do të kthehet së shpejti si më parë, nëse të gjithë i përmbahemi masave të qeverive. Dhe derisa po bëhet thirrje për kufizime të mëtejshme, ne gradualisht po mësohemi me masa gjithnjë e më të rrepta.

Nuk do të ketë më kthim. Në vend të kësaj vjen Normaliteti i Ri, „Great Reset“, „Transformimi Digjital“ dhe „Revolucioni i Katërt Industrial“. Ose me fjalë të tjera: Bota, ekonomitë dhe shoqëritë e saj po ristrukturohen, të mbështjella me një iluzion gjigant, realitet virtual global.

Nuk kemi të bëjmë me një komplot të qarqeve të errëta, JO, por me vazhdimin e një politike radikale tregu, që ka ekzistuar prej dekadash dhe që, me ndihmën e politikanëve, lobistëve, OJQ-ve, fondacioneve, mediave dhe korporatave, tani po vazhdon të realizohet më tutje.

“Hundët” e tyre pothuajse kudo nëpër botë janë futur. Kurse e gjithë kjo bëhet nën kujdesin e “Forumit Ekonomik Botëror”.

Më tutje, synimet e kësaj ideologjie po i përmbledhi shkurt:

Kolapsi i qëllimshëm i vonuar i ekonomisë reale dhe financiare duhet të ndodhë në mënyrë të kontrolluar. Faji i vihet virusit Sars-CoV-2 dhe efekteve të tij.

Të gjithë kritikat e kësaj politike janë shndërruar me dinakëri në arsye, se pse masat duhet të shtrëngohen herë pas here. Kjo pra e ndan shoqërinë dhe ngjall urrejtje.

Mediat po e përmbushin rolin e tyre si propagandues, frikë-bërës dhe opinion-bërës. Përmes psikologjisë së masës mediatike, po krijojnë një narrativë që është e pa alternativë. Kritikët shfaqen si “budallenj” nëpër media dhe portretizohen si armiq të ligjit, rendit, demokracisë, shëndetit dhe madje edhe të jetës.

Bankat qendrore po punojnë pa probleme për të krijuar monedhat digjitale. Pasi të krijohen këto lloj monedhash dhe paraja të hiqet tërësisht, bankat mund të rrisin dhe ulin normat e interesit si të duan, dhe njerëzit thjesht mund të „fiken“ sipas dëshirës, ​​siç po ndodh tashmë në Kinë.

Për më tepër, ekzistojnë mekanizma dhe struktura monitorimi si ai me dronët fluturues, me njohje të fytyrës, me sistemet e kreditimeve shoqërore, me futjen e çipave RFID në trup, me grumbullimin komplet të të dhënave biometrike ose me dosjet elektronike shëndetësore, me instalimin e teknologjisë 5G… Pjesa më e madhe e asaj, që u konsiderua kohëve të fundit si “teori e konspiracionit” në këtë fushë, tani po del vërtet reale dhe evidente.

Kapitalizmi neoliberal po zëvendësohet nga i ashtuquajturi kapitalizëm aksionar. Ajo që në dukje të parë duket si një zhvillim në drejtim të së mirës së përbashkët, në të vërtetë nuk është asgjë më shumë se shpronësimi gradual i shtresës së mesme dhe atyre që tashmë janë varfëruar tepër.

“Great Reset” do të jetë fokusi i takimit të këtij viti të “Forumit Ekonomik Botëror”. Korporatat e mëdha (Firmat e mëdha ndërkombëtare) janë gati të marrin përsipër pozicionet e industrisë që janë bërë vakante përmes shkatërrimit të strukturave të vogla ekonomike. Tregtari vendas, dyqani i vogël i pajisjeve dhe agjencia e vogël e udhëtimeve nuk do të ekzistojnë më, në të ardhmen. Në vend të kësaj, korporatat e mëdha, do të marrin përsipër sektorë të tërë ekonomikë në formë monopoli. Kjo, gjithashtu, është vetëm një kontinuitet i një tendence të kahershme.

Si masat, ashtu edhe digjitalizimi, si dhe teknologjizimi i përgjithshëm do të shkaktojnë një shkallë të pabesueshme varfërie dhe papunësie në mbarë botën. Kjo është krejt me plan.

Në përputhje me teorinë materialiste darviniane, njerëzit dhe natyra tashmë maten vetëm sipas vlerës së tyre të tregut. Ata do të jenë vetëm konsumatorë, zbatues dhe përdorues. Potenciali krijues do të jetë i rezervuar për elitat. Shtresa e të varfërve ndoshta do të furnizohet me një lloj të ardhurash bazike, me të cilat njeriu vështirë se do të mund të jetojë normalisht.

Sipas planeve të “Forumit Ekonomik Botëror”, në të ardhmen të gjithë njerëzit në botë duhet të lidhen me një lloj Interneti të gjësendeve dhe të trupit. Askush nuk do të mund ti shmanget modifikimeve gjenetike te njerëzit dhe te kafshët, por edhe „teknologjizimit“ të gjithçkaje” në një mënyrë deri tash të panjohur. Kjo përfshin gjithashtu aspekte si „pilula inteligjente“, „chipa në tru”, „teknologji-cyborg“ dhe përmbajtjen e ndyrë të ideve trans-humaniste.

Krijuesit e kësaj “Bote të Re” të shëmtuar i shohin gjithashtu familjet dhe karakteristikat kulturore si jo më aktuale, në përputhje me integrimin gjinor.

Kështu po formohet një e ardhme kundrejt dëmeve të së cilës pandemia aktuale është e papërfillshme.

Dhe po dyshoni se ka gjë për të fshehur, nuk ka, ngase ekzistojnë strukturat e sipërpërmendura monitoruese. Ndoshta ka diçka për të fshehur në fund të fundit, për shembull, kur vjen në pushtet një qeveri që nuk e pëlqen populli.

Pra do të krijohet shteti autoritar botëror. Klaus Schwab, për shembull, flet për domosdoshmërinë e një qeverie botërore ku masat e saj totalitare të mbikëqyrjes pasi të vendosen si realitet i ri, nuk do të kthehen më prapë.

Çështjet që përshkrova më lartë do të duhet të sillen në fokusin e të gjitha diskutimeve aktuale dhe të dominojnë çdo diskurs aktual, por jo diskutimet e pafundme për përfitimet dhe rreziqet e maskave dhe vaksinave, të cilat diskutime zakonisht janë të kota. Sigurisht, edhe këto duhet diskutuar, por gjithnjë duke marrë parasysh problemin e „Ëndrrës së madhe“.

Sa i përket vaksinimit tim, për atë as nuk bëhet fjalë, po edhe në qoftë se konsiderohet si dorëzim.

Ama unë kurrë nuk do ta pranoj këtë tekno-dystopi, këtë eko-fashizëm.

Sigurisht që ne, populli i thjeshtë, do të kemi nevojë për vizione dhe ide për të ardhmen. Sepse një gjë është e qartë: realisht nuk mund të ketë më kthim në kohën e vjetër.

Personalisht, për të mos e përjetuar këtë reset rëndë, parashikoj (uroj, e deshiroj) një të ardhme në të cilën do të ruheshin sa më shumë vlerat e vjetra, traditat dhe jeta natyrale. Ekonomia duhet të bazohet në konceptet e ringritjes. Baza politike duhet të jetë një demokraci e hapur ose e drejtpërdrejtë. Për më tepër bashkëjetesës dhe etikës duhet t’i jepet më shumë vlerë. Ne nuk kemi nevojë për rritje të përhershme ekonomike, konkurrencë dhe një ekonomi fitimprurëse, ama armiqësore.

Ne kemi nevojë për një jetë, që meriton plotësisht të quhet jetë.

F.P.

Vendimi skandaloz i Qeverisë Kurti

Të dashur lexues,

Nga ky vendim (shiko poshtë) i qeverisë së Kosovës lexohet qartë se diasporës i kërkohet vaksinim i 100% për tu kthyer në vendlindje.

Në situatën, kur në Kosovë vetëm 41% të banorëve janë të vaksinuar, të kërkosh nga diaspora të jenë 100% të vaksinuar, kjo është më shumë se skandaloze.

Kjo është tradhtia e radhës ndaj diasporës.

1. Na premtoi votim nëpër ambasada, na tradhtoi!

2. Tha: “Ejani diasporë votoni, ani se nuk keni vaksina, paguani bileta aeroplani sa s’bën, veç ejani ta votoni L.VV”, e tash na e ndaloi të vijmë në VENDLINDJE, se nuk po i duhemi më.

3. As sigurimin nuk do të na paguajë më, edhe kjo tradhti i doli sheshit.

Në zgjedhjet lokale ia tërhoqëm vërejtjen, ky tash po na hakmerret, po na ndalon kthimin nëpër shtëpitë tona. Merreni me mend deri ku arrin mendjemadhësia, mendja bigë e shqiptarit.

Këtë vetëm Serbia na e pat bërë në vitin 1999 dhe prandaj po dhemb. Serbisë iu kthyem si ushtarë të UÇK-së. A mos po dëshiron Albin Kurti një kthim të tillë në Kosovë?!

Ku e ka zotëria premtimin për lehtësimet e investimeve të diasporës? Me çka na e lehtësoi, përveç që na mori ca Euro në atë fondin, që askush nuk e di se ku përfundon. A mos e hoqi taksën e dyfishtë me BE-në? A mos na siguroi 100% rrymë pandërprerë?….

“Kalova lumin, ta pshurrsha kalin” i bie kjo.

Por, kush ia bën, ia bën vetit.

Vota për Albin Kurtin doli e kotë. Angazhimi 15 vjeçar për L.VV më shkoi huq. Kam dashur një herë ta provojmë. Ta shohim fytyrën e tij të vërtetë.

“Nëse dëshiron ta njohësh karakterin e dikujt, atëherë jepi atij pushtet” (Abraham Linkoln)

Nëpër pozita inspektorësh dhe nëpër ambasada e konsullate, ata që i njoh, të gjithë janë ose kriminelë ose Ish PDK apo LDK. ASNJË AKTIVIST i L.VV.

Mitrovicën dhe Prizrenin e humbi me mend në kokë, duke e ditur saktë se humb.

Çka është kjo, pos tradhti?!

Turpi të mbuloftë Albin!!!

P.S.

Ky është teksti nga vendimi i qeverisë së Kosovës:

1. Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë  një nga dëshmitë e mëposhtme

1.1 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19;

1.2 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër  (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë;

1.3 Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë).

2. Nga data 3 janar 2022 për të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës do të vlejë vetëm dëshmia sipas pikës 2.1 të këtij Vendimi.

F.P.