Reagim ndaj artikullit të psikologut Batjar Halili, „Etër e bij – dy botëra përballë njëra tjetrës“ të botuar më 03.08.2019 në portalet “Gazetaletrare” dhe “Kultplus”

Që në fillim, psikologut të nderuar, pasi ia kam lexuar disa artikuj, i sugjeroj, që të ngelet në profesionin që e ka studiuar, e jo ta marrë rolin e psikiatrit, të diagnostifikojë njerëzit si „psikopatë“, apo „sociopatë“, ngase kjo i përket fushës së psikiatrisë e jo asaj të psikologjisë.

Citoj:

„Gjeneratat 50 vjeç e sipër, shumica e tyre, kanë qenë emigrant në kërkim të sigurimit të bukës së gojës, dhe shkuarja e tyre në vende të përparuara dhe me kulturë evropiane këta i ka gjetur të papërgatitur, sepse kanë shkuar që nga bastuni (shtaga e çobanit), pra, nuk kanë patur profesion, nuk kanë patur shkollim, dmth maksimumi që mund të kenë patur është shkolla e mesme. Ata nuk kanë shkuar me familje në vendet e huaja,  kanë qëndruar të anashkaluar dhe këto aspekte kanë bërë që ata për disa vite me radhë të punojnë si punëtor krahu dhe të luftojnë me jetën. Disa prej tyre edhe janë martuar dhe i kanë lënë gratë e tyre, disa pak më me “seder familjare” nuk janë martuar, por kanë mbajtur dashnore dhe në realitetin e shoqërisë sonë janë prezantuar si “të ndershëm”. (me gabimet në drejtshkrim nuk do të merrem)

Në këtë citat vërehet se psikologu bën gabime shumëdimensionale.

Gjenerata mbi 50 vjeç (50-60 vjeçarët e sotshëm) e kanë pasur arsimimin më kualitativ nga të gjitha gjeneratat tjera, para dhe pas tyre. Këta migruan në vitet ‚90, si rezultat i represionit të Serbisë në Kosovë dhe një pjesë e madhe e tyre ishin intelektualët, që i ndoqi Serbia, por edhe të tjerë të shkolluar nëpër universitetet e shkolla të rregullta.

Të thuash „ kanë shkuar që nga bastuni (shtaga e çobanit)“ për këtë gjeneratë është më shumë se fyerje.

50-60 vjeçarët e sotëm TË GJITHË, jetojnë bashkë me familjet në perëndim.

Unë nuk e njoh asnjë që e ka lënë gruan. Ndoshta dikush të fejuarën e ka lëne (edhe për të tjera shkaqe), por gruan asnjëri nga ta.

I rralli është punëtor krahu, shumica janë të punësuar në nivele të larta, inxhinierë, mjekë, arkitektë, arsimtarë, por edhe janë ndërmarrës të suksesshëm. Mu kjo gjeneratë (50-60 vjeçarët) e avancuan imazhin e shqiptarëve te vendësit në perëndim, me sukseset e tyre të dukshme.

Kështu qe nuk e di për kënd e ka fjalën psikologu i nderuar. Thjesht këso shqiptarë, siç ai i përshkruan, nuk ka. Ndoshta kishte më herët, d.m.th. gjeneratat që tashmë shumica nga ta kanë ndërruar jetë. Por sot nuk gjen të tillë.

Citoj:

„Kam patur rastin të shoh pensionist i cili thyente televizorët në shtepinë e tij vetëm pse djemtë e tij shikonin televizorin natën vonë, e shqetësonte fakti pse të rinjtë flinin ditën, e shqetësonte fakti se pse shkonin për të bërë plazh me familjen, por këta analfabetë dhe psikopatë të pengojnë që të realizosh vetveten edhe në shtëpinë tënde si komshij“

Këtu, psikologu i nderuar merr rolin e psikiatrit pa fare të drejtë duke dhëne diagnozën „psikopatë“ (nuk është shkrimi i vetëm ky, ku psikologu në fjalë jep diagnoza pa kompetencë)

TË GJITHË mbi 50 vjeç sot shkojnë vetë me familje në plazh, se lëre më tu pengojë fëmija i tyre. Ky është një vlerësim krejtësisht i pabazë.

Dhe „thyerja e televizorit“ nga pensionisti, që përmend zotëriu psikolog, nuk e di në ka ndodhur diku në ndonjë vend amerikolatin, se në Kosovë nuk besoj thjesht. 50-60 vjeçarët akoma nuk janë pensionuar (prej 65 vjeç fillon pensioni) dhe pensionistë nga mërgimi ka shumë pak, që të mund të flasësh për një shumicë mërgimtaresh (?!)

50-60 vjeçarët njihen si gjenerata kryengritëse, ngase e para është që e themeloi rok-un dhe pop-in kosovar (muzikë jo e dëshirueshme në socializmin komunist), bëri demonstratat më të organizuara të shekullit (300.000 protestues në Prishtinë kundër regjimit të Millosheviqit) dhe organizoi e ndërmori hapat vendimtar në faljen e gjaqeve (tuboi diku 500.000 shqiptarë). E këtë gjeneratë ta „pikturosh“ si „thyese televizorësh“ është vërtetë naivitet i skajshëm. Mu kjo gjeneratë ishte ajo që e ngadhënjeu komunizmin përmes rebelimit qytetar dhe në fund ishte edhe bartëse e luftës për çlirim.

Citoj:

„këta lloj tipash çekiça (çekanë) kanë shkuar dhe kur janë kthyer kanë gjetur një gjeneratë të re që i kanë parë si gozhda,  e ata në rolin e prinderit kanë menduar se duhet t’i rrahin në kokë siç goditen gozhdët. Por realiteti këtu ka funksionuar ndryshe. Rinia ka përparuar ose permes të mësuarit (shkollimit), ose përmes të parit dhe përvojave ndaj nuk pranojnë të shtypen, nuk konformohen lehtë me rregullat prindërve të tyre të modelit të çekanit, ata reagojnë dhe shprehin paknaqësi.“

Autori, psikologu i nderuar, bën këtu një huqje totale logjike.

Thotë: „Shkuan dhe kur erdhën“

Por zotëriu psikolog „i pasluftës“ harron se ku shkuan këta dhe harron se këta nuk u kthyen fare, përveçse gjatë pushimeve.

Këta shkuan në perëndim mor zotëri, ku e panë me sytë e vet se cila është kultura e perëndimit, e panë se vlerat, që i ka perëndimi janë vlera të vërteta (nuk ishin vlera ato, që ne kujtonim se perëndimi i ka dhe i zhvillonim vetë, pa krye)

Psikologu niset nga ajo, se mërgimtarët ngelën në momentin kur u ndanë nga vendlindja. Harron i nderuari psikolog se kultura edhe në perëndim përparon, jo vetëm në Kosovë. Dhe e dimë ne të gjithë që në Kosovë kultura ka degraduar, e jo përparuar. Mund të thuhet se morali, muzika, tradicionalja, teatri etj. pësuan rënie drastike. Përdorimi i narkotikëve, prostitucioni, hajnia, rrena e pabesia u shtuan tepër.

E për çfarë „çekani“ e ka fjalën zotëriu psikolog? Kur i kulturuari i vërtetë e pengon degradimin e kulturës nga të rinjtë, kjo qenka „çekani“ që psikologu po e paraqet të nivelit të ultë?! Ç’të bëjë ky „psikopati“ juaj zotëri psikolog? Të lejojë drogimin e bijve të vet, prostituimin e tyre?! Shndërrimin në gënjeshtar dhe në të pabesë?!

Këtë mërgimtari nuk e bën si „çekan mbi gozhde“, kurrë hiç, o zotëria juaj. Zotëri psikolog këtë ju as vetë nuk e dini de ku e keni parë, te cili 50-60 vjeçar, ngase ai që jeton në perëndim më së paku e ka një metodë të tillë edukuese. Si çdo mal që ka një ujk, edhe ndër mërgimtarë mund të ketë ndonjë rast, por është e padrejtë të flitet në shumës për këtë problem.

Në fund i sugjeroj psikologut të nderuar të kursehet nga fyerjet që u bën mërgimtarëve, ndonëse është ndoshta i frustruar me jetën e vet në raport me prindin… ngase 50-60 vjeçarët e sotëm, si në perëndim ashtu edhe në vendlindje, janë promotorët më të mëdhenj të zhvillimeve pozitive.

Dipl.-Ing. Faton Piraj

(Njëri nga „mbi 50 vjeçarët“)

Matematika praktike

Detyra

E ngjitur në krua zorra me diameter „d“ po e hedh ujin deri në një cak të nivelit të njejtë.
Me çfarë diametri duhet të marr një zorrë tjetër, njësoj të gjatë, që ta hedh ujin 2 fish më larg?!.
(Supozohet që uji është ideal, kroi nuk e ndryshon shtypjen dhe as zorra pozitën. Neglizhohet rezistenca e ajrit)

Zgjidhja

Largësia e hedhjes së ujit, kur gypi hedhës dhe caku i arritjes së ujit janë në të njëjtin nivel, llogaritet sipas formulës:

ku

v – shpejtësia fillestare

g = 9,81m/s² – konstanta e gravitetit në sipërfaqe të tokës dhe

alfa – këndi i hedhjes së ujit.

Ne kemi 2 raste krahasuese (shih Fig.1):

Detyra kërkon që:

S2 = 2S1 ………………… (2)

Kemi:

v2² = 2v1² /rrënjëzojmë me 2 =>

=> v2 = SQRT(2) • v1 =>

 => v2 = 1,412 • v1 ………..(3)

Analizojmë kalimin e ujit nga kroi me diametër d0 e sipërfaqe tërthore A0 në zorrën me diametër d1 dhe sipërfaqe tërthore A1 dhe në atë me diametër d2 dhe sipërfaqe tërthore A2 :

Fig.1.

Vëllimi i ujit ideal nuk ndryshon, andaj:

Vëllimi0 = Vëllimi1 = Vëllimi2

Pra A0•x0 = A1•x1 = A2•x2

A1/A2 = x2/x1

A1/A2 = (v2•t)/(v1•t)

Vijmë kështu tek barazimi i Bernulit (Daniel Bernoulli 1700/1782) pra

A1/A2 = v2/v1 ……….. (4)

Sipas detyrës dhe siç e nxorëm me lart nga formula (3) kemi

v2/v1 =1,412

kështu duke e zëvendësuar në formulën (4) kemi:

A1/A2 = 1,412

A1=1,412• A2 ……… (5)

A2 = 0.71 A1

sipërfaqja tërthore po na u dashka sa rreth 71% të asaj të mëparshmes (pra me e vogël rreth 29%)

Që ta kemi këtë sipërfaqe duhet ta llogarisim diametrin se sa do të jetë.

Pasi që

A = pi•r² (pi=3,14159….)

Ku r është rrezja e rrethit të sipërfaqes tërthore (diametri d=2•r).

Kemi:

A1 = pi • r1²

A2 = pi • r2²

Nga (5) nxjerrim:

pi • r1² = 1,412 pi • r2²

r1² = 1,412 • r2²

r1 = SQRT(1,412) • r2

r1= 1,19 • r2 / •2

2 • r1= 1,19 • 2 • r2

d1 = 1,19 • d2  (nga vlera reciproke)

d2 = 1/1,19 • d1

d2 = 0,84 • d1 ……. (6)

d2 është sa 84% e d1

Përafërsisht 16% me i vogël.

Përfundim:

Sa herë të doni ta merrni një zorrë apo gyp që e gjuan ujin për 2 fish më larg se gypi që e keni në përdorim, thjesht diametrin e zorrë shumëzojeni me 0.84 ose pjesëtojeni me 1,19.

 P.sh. nëse gypi është 5cm

5cm • 0.84 = 4,2cm

Nëse gypi me diametër 5cm e gjuan ujin 1m ai me diametër 4,2cm e gjuan 2m (për shtypje të njëjtë, kënd të njëjtë dhe nivel të njëjtë duke neglizhuar rezistencën e ajrit).

F.P.

Matematikë praktike

DI Faton Piraj

Cila duhet të jetë marrëdhënia „k“ mes lartësisë „H“ dhe diametrit „D“ të konservës (k=H/D) në mënyrë që të harxhohet sa më pak llamarinë për konservën e që të arrihet sa më shumë vend (vëllim) për mishin në konservë?!

Konserva

Zgjidhja

Supozojmë që konserva është një cilindër i drejtë rrethor.

“r” është rrezja e bazës rrethore të cilindrit dhe

hështë lartësia e cilindrit (në foto e kam shënuar me „H„)

Atëherë vëllimi është:

Syprina e sipërfaqes së cilindrit llogaritet kështu (mbështjellësi + 2 bazat)

Nëse e nxjerrim nga këtu h, kemi:

E zëvendësojmë ne formulën (1) kemi:

Ekstremumet e funksioneve gjenden përmes zerove të derivatit të parë dhe dallohen përmes derivatit të dytë.

Derivati i parë është:

Për t’i gjetur ekstremumet duhet që derivatin e parë ta barazojmë me zero, pra V'(r) = 0

nga ku nxjerrim:

A = 6 π r² pra:

Neve nuk na interesojnë zgjedhjet e mundshme negative, sepse rrezja është pozitive.

Gjejmë derivatin e dytë:

pasi që r > 0 del derivati i dytë negativ, pra do të thotë kemi maksimum të funksionit.

Prej (3) nxjerrim h:

Kjo është zgjidhja. Për të qenë në gjendje të interpretojmë më mirë rezultatin, më tej nga V’(r) = 0, pasi zëvendësojmë nga shprehja (2) sipërfaqen A, gjejmë:

1/2A – 3 π r² = ½ (2 π rh + 2 πr²) – 3 πr² = 0

π r h + π r² – 3 πr² = 0

π r h – 2 πr² = 0 /: π r

h – 2r = 0

h = 2r pasi se 2r=D kemi

H = D

e cila është ajo që po e kërkojmë.

Pra konserva duhet ta ketë diametrin aq sa është lartësia e saj që të harxhohet minimum llamarinë e të fitohet maksimum vëllim për mish (lëng, parfum, … .)

D = H

H/D = 1

F.P.

Llogaritja e vëllimit të vesë

VEJA

Për t’a llogaritur vëllimin e vesë sa më saktë, duhet ta ndajmë atë në dy gjysmësferoidë (gjysmëelipsoidë) me rreze a dhe me lartësi h1 dhe h2.

(Kur a = h1 = h2 i kemi 2 gjysmësfera, pra 1 sferë).

h1 + h2 = h (lartësia e vesë)

Vëllimi i sferoidit llogaritet:

V = 4/3 • π • a² • h, pra

V = 4/3 Ao • h (Ku Ao është sipërfaqja tërthore e mesit të vesë).

Gjysma e vëllimit të sferoidit është:

V/2 = 4/6 • π • a² • h = 2/3π• a² • h

Këtu i kemi 2 gjysmësferoida me vëllime V1 dhe V2:

V1 = 2/3 • π • a² • h1

V2 = 2/3 • π • a² • h2

Vëllimi i tërë:

V = V1 + V2 = 2/3 • π a² (h1 + h2)

Kemi formulën përfundimtare për vëllimin:

F.P.

E vërteta le të dhemb!

Sot „Llajkashat“ i kam në cev. Edhe „Llajkash“ edhe burrë i mirë veç nëse janë 2 persona, se përndryshe pikëpyetje. Shikoni, madje edhe Llajkat (Like) vërshojnë ku ka kafe hazër, ose ku ta qesin një cigaretë pa pare… 😜

Kush janë „Llajkashat“?

Llajkasha janë ata që flasin qyfyr si më poshtë, qe kështu:

  • Ngutu profesorit t’ia bëj llajk, sepse ndoshta më kalon në provim, ma fal një notë kaluese.
  • Tash mjekut t’ia bëj llajk dhe t’ia shkruaj Dr. përpara se ai ka qejf ta quaj Dr. por edhe kur t’shkoj në vizitë më këqyr më mirë dhe nuk më merr shumë para, madje hyj pa rend si Car (Latin).
  • Edhe auto shkollës duhet llajk, sepse më ndihmon ta jap provimin e vozitjes, nesër t’ia shkeli kah 200…

Kështu njësoj reshin llajkat për kryetarin e partisë, deputetin, politikanin, drejtorin etj.etj.

Mandej pikërisht „Llajkashat“ më së shumti ankohen për procese gjyqësore katastrofale, për hajna në pushtet, për arsim të keq, për rroga të vogla dhe për gratë që po ndahen (s’jetohet pa pare o shoki, me llajka nuk jetohet)

Llajkashat s’meritojnë ndryshe.

T’ia rrahë shpinën më të aftit, më të diturit ose më të mençurit… Llajkashi??? Haj Zoti na ruajttë!

Prandaj kemi shoqëri gilipterësh nëpër pozita. Kemi shtet sallamadi, vidh kush mbërrin, bëhemi lypsa e fukarenj, se fukara të bën rradakja e Llajkashit së pari, pastaj xhepi zbrazët.

Dëgjo ore Llajko (emër ma cool ky), më mirë është të vozitësh një VW „Golf“ nëpër rrugë të rrafshëta sesa një Mercedes „Benc“ nëpër rrugë me gropa. E kotë nëse ti e ke një Benc kurse rrethi yt është krejt gropa, ku shpejt Benci të bjerë në bandasha, ose truri të difuzon nga dridhjet. Ti me Benc e rrethi yt pa rrugë? Golfin as nuk po ua zë në gojë, për gjynah.

E ti mendjen bigë kur po të lusin t’i dërgosh diku me Bencin tënd? Që t’ia çosh dikujt nusen të lind, apo dikë ta çosh te dentisti, ngase e mbyti dhëmbi 😜.

Jeta vazhdon, me llajka ose pa llajka. Me rëndësi që pastërtia është gjysma e shëndetit kurse gjysma tjetër papastërtia.

Po ashtu me rëndësi është që ti t’ia shkelësh 200, që kur të ndeshesh të mos mbetesh sakat, e as atë tjetrin të mos e lësh sakat. 😜

Kjo është filozofia jote e jetës „Jam sa jam, kur s’jam, askush të mos jetë, s’më bëhet vonë. Ama veç profesorin e mjekun mos mi gjettë gjë, se kujt ia bëj pastaj Ljajk unë a?!

Si jetohet pa bërë llajka, hajt më tregoni…?“

F.P.

Dhuna

(vetëm disa aspekte)

Kuvendi i Republikës, Netflixi, Big Brother etj. janë frymëzime, por burimi është familja.

Ne e kemi vërejtur nga përvoja, që kur dikush është i dhunshëm, thuajse krejt familja është e dhunshme. Nga ana tjetër, kur dikush është paqësor, thuajse krejt familja është paqësore. Tek-tuk ka ndonjë përjashtim, por zakonisht është kështu.

Diçka, që sjell dhunë, është edhe mosrespektimi dhe nënçmimi i ndërsjellë.

Çdo njeri ka të drejtë të vendosë për veten, përderisa nuk të përfshin ty drejtpërdrejt në atë vendim. Ti nuk përpiqesh assesi të ndikosh në vendimin i tij.

Ky është RESPEKTI (pjesa më delikate e tij, ngase kemi edhe pjesën e respektit ndaj autoritetit, siç është ndaj prindit, mësuesit, drejtorit etj… si autoritet ligjor mbi ty).

4 RASTE më EKSTREME, do të mundohem ti sqaroj:

1. Çka nëse fëmija im vendos të pijë duhan? Duhet ta respektoj edhe këtu?

PO, duhet t’ia respektosh vendimin e tij, nëse autoriteti ligjor i yti si prind nuk është më i aplikueshëm (deri fëmija të bëhet 18 vjeç) dhe nëse vetë e fiton paranë për duhan, përndryshe mund t’ia ndalosh nën 18 vjeçarit (pas shumë bisedave sqaruese), ose të mos ia paguash mbi 18 vjeçarit.

Kujdes të madh këtu, ngase ndalesa mund të shkaktoje probleme tjera, si p.sh. pirja tinëz, që bëhet nëpër vende të fshehura ku mund të shkaktohet edhe ndonjë zjarr vënie.

Ndalesa e dhunshme nuk duhet bërë kurrsesi. Duhet bërë përpjekje maksimale, që fëmija të bindet për dëmet që duhani shkakton, me shembuj konkret nga rrethi (nëse ka).

2. Çka, nëse fëmija im vendos që të marrë drogë? Duhet t’ia respektoj vendimin?

PO, sikur te duhani. Meqë drogën nuk e merr një njeri normal i vetëdijshëm, këtu duhet ndërmarrë masa, duhet kërkuar ndihmën profesionale të psikologëve specialistë, që merren me raste të tilla. Sa më herët, aq më mirë. Rasti të fshihet nuk bën kurrsesi, as nga policia jo. Në fillim pasojat janë gjithsesi shumë më të vogla.

Gjithkush mund të mashtrohet ose të gabojë.

3. Çka nëse gruaja ime (burri im) vendos të ndahet, sepse nuk po i pëlqej më? Duhet ta respektoj (t’ia pranoj vendimin)?

PO, gjithesi duhet ta respektosh dhe të ndaheni miqësisht, në mënyrë që sidomos te fëmijët të mos shkaktoni trauma.

Dashuria dhe bashkëjetesa nuk shkojnë me zor.

4. A bën ti them dikujt „Po të isha unë ti, do të veproja ndryshe, gjithsesi më mirë se ti.“

JO, kurrsesi. Secili di më mirë për vetveten sesa që dikush tjetër di për atë. Vendimi i tij është i tij. Ai ty, me atë vendim, nuk të ka përfshirë drejtpërdrejt, nuk ty hyn pra në punë fare dhe gjithsesi veprimi yt nuk është e thënë të jetë më i mirë, ngase nuk i ke të gjitha informacionet që i kishte ai mbi rastin konkret. Andaj respektoje!

Pra këto gjëra i mungojnë SHUMË shoqërisë sonë, prandaj edhe ka dhunë.

STOP DHUNËS!!!

F.P.

Mos iu nënshtro askujt

(Një ndodhi interesante)

Meqë unë mendoja si student se titulli shkencor para emrit nuk përfaqëson ndonjë dëshmi të zotësisë, apo ndonjë dëshmi të njerëzisë, vendosa që emrave të profesorëve të mos ua shënoj titujt, por vetëm emrat (rinia çmenduria 😅).
Kur shkova ta marr nënshkrimin te Prof. Dr. Bajrush Bytyçi, i cili e ligjëronte „Saldimin“, të cilit për dreq edhe mbiemrin me “Q” ia kisha shkruar, e ai e kishte me “Ç”, atij i ra kjo menjëherë në sy dhe më pyeti me sarkazëm:
„Po sikur të të humbte ky Indeks, ata do ta gjenin, a nuk do të pyesnin se kush i ka dhënë këtij studenti ligjërata, ishin ata profesorë apo loparë? Ndërsa ky „Q“ te mbiemri më ka dërguar në Angli në burg, duke menduar se isha njëfarë krimineli me këtë emër të shkruar me Q“.
Me gjithë habinë për këtë reagim, unë iu përgjigja:
„Profesor, në fund të fundit më me rëndësi është se kush del ky student, ngase ky është qëllimi, e jo kush i ka ligjëruar, ndërsa mbiemrin e paskam ditur gabimisht“ (dhe ia përmirësova “Q” me “Ç” por edhe titullin ia vura, edhe pse mezi dukej 😊).
Ai ma mori Indeksin dhe ma hodhi nënshkrimin me një PIKË përpara dhe një PIKË prapa. Pikat e kishin pasur kuptimin „NUK KALON KURRË“ (mora vesh rastësisht nga një student më i vjetër)

Meqë gjatë studimeve isha anëtar i kolegjiumit të gazetës studentore „Bota e Re“ (në vitet e saja më të ndritura) duhej të merrja pjesë nëpër mbledhje, të cilat shumë profesorë nuk i mirëkuptonin, nuk e di përse. Njëri nga ta sërish Prof. Dr. Bajrush Bytyçi. Kur i kërkova leje nga ligjërata, sepse kisha mbledhje, ai më kishte mbajtur në mend për të keq dhe më tha: „Nuk po të lejoj, ti mund të shkosh pa më pyetur, por ti tek unë kurrë „Saldimin“ nuk do ta kalosh, lëre fakultetin që sot!“
Për mua gati se u shemb salla (viti i 4 i studimeve ishte), por barabartë me këtë i thash:
„Unë, profesor, lëre që do të kaloj, por do t’jua marr 10-të“.
Një koleg student, Mumin Bajrami, më tha duke pëshpëritur:
„Faton, mos se i humbe studimet“.
Unë ia ktheva:
„Mbaje mend se ç’thash sot!“
pastaj dola duke e injoruar moslejen e profesorit dhe shkova në mbledhje. Ishte koha e ndryshimeve të mëdha (1989).

Më duhet ta pranoj se „Saldimi“ është lënda që e kam përgatitur më se shumti në jetën time. Është një lënde e ekuacioneve diferenciale të termodinamikës, që vërtet sot në karrierë më ka ndihmuar shumë.
Kur erdhi provimi shumë shokë studentë u habitën me pamjen time, sa thanë që mezi se më njohën, por kjo pamje kishte qëllim të mos më njohë profesori. Ashtu edhe ndodhi.
Në provimin me shkrim i arrita pikët maksimale 100% ndërsa me gojë, me kërkesën e profesorit “a dëshiron dikush si vullnetar të përgjigjet”, u paraqita unë. Thënë thjesht e shtanga profesorin, e lash gojëhapur dhe syhapur me dijen që tregova.
„Kurrë në karrierën time si profesor“ tha ai „nuk kam hasur në një student kaq të përgatitur, ma jep indeksin, dhe le të dihet“ tha duke e shkruar (10) dhjetë. E hodhi edhe në fletëparaqitje dhe ma dha që ta dërgoj në sekretariat.
E kisha tash fletëparaqitjen dhe nuk kishte ai çfarë të më bënte më, andaj vendosa ti tregoj se kush jam. I thash:
„Profesor, ju nuk e shikuat nënshkrimin në indeks“
„Pse a nuk e ke marrë? Nuk i ke kryer punimet?“
„Jo“ i thash „diçka tjetër është në pyetje.”
E mori indeksin, e hapi dhe e pa…… u step.
Pas pak u çua në këmbë dhe për çudi ma zgjati dorën duke më thënë:
„BRAVO, qenke burrë i fjalës. Nga je…..”… dhe pyetje të tjera jo të rëndësishme.
„Faleminderit profesor, e vertetë që jam i fjalës“ i thash unë me mburrje, Mumin Bajramit ia bëra me sy, dhe ika për në sfidat e reja.

F.P.
Fotografia dëshmon.

Gratë muslimane e bartin shaminë

(jo vetëm një veshje)

Debati për shaminë është një çështje e gjatë dhe herë më shumë, herë më pak, në fokus të interesit publik.

Pyetja, të cilës do të mundohemi që ti përgjigjemi është:

Pse gratë muslimane e bartin shaminë?

Obligimi islam për shaminë për gratë gjendet në dy vende në Kuran:

Së pari në suren Nûr, ku Allahu thotë:

“Dhe thuaju besimtareve të ulin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre dhe të mos e shfaqin atraktivitetin (bukurinë trupore) përveç asaj që është e dukshme, dhe që ato duhet të hedhin mbulesën e tyre mbi kraharorin e tyre dhe t’i tregojnë hijeshitë e tyre vetëm bashkëshorteve të tyre (…) Dhe ato nuk duhet të tundin këmbët e tyre në atë mënyrë që të tërheqin vëmendjen ndaj stolive të tyre të fshehura. Dhe drejtohuni përfundimisht tek Allahu, o besimtarë, që të kaloni (t’ju shkojë jeta) mirë.”[1]

Në Ajetin tjetër Allahu thotë: “O Pejgamber! Thuaju grave tuaja, vajzave tuaja dhe grave të besimtarëve që t’i hedhin mbulesat e tyre mbi trupat e tyre. Në këtë mënyrë ato kanë më shumë gjasa të njihen dhe (për rrjedhojë) të mos shqetësohen (ngacmohen). Allahu është Falës, Mëshirëplotë.”[2]

Kodi i veshjes gjithashtu mund të rrjedh nga një Hadith i cili është transmetuar në koleksionin e Ebu Davudit:

„Aishja transmeton: Asma bint Ebi Bekri u shfaq para Pejgamberit me rroba të zbuluara. Ai u largua prej saj dhe tha: ‚O Asma (Esma)! Kur gruaja të ketë arritur pubertetin, asaj nuk duhet t’i duket asgjë përveç kësaj!” Dhe ai tregoi me gisht fytyrën dhe duart e tij.”[3]

Sfondi i ajeteve Kuranore

Sipas shumicës së dijetarëve, Ajeti në suren Nûr ka zbritur në lidhje me të ashtuquajturën „Çështja e gjerdanit“. Ja historia e shkurtër e saj:

Gjersa pushonte në pushimore, Aishja, gruaja e Pejgamberit, largohet nga karvani pak para se ai të nisej. Gjatë rrugës së kthimit për te karvani, ajo vëren se e kishte humbur gjerdanin dhe kthehet prapa. Ndërkohë, karvani niset, pasiqë mendohej se Aishja ishte në karrigen (në karrocen) e deveve. Duke shpresuar se do ta marrin së shpejti, Aishja pret në fushën ku ishin ndalur për pushim. Aty ajo e takoi (e vërejti) Safvan ibn Muattalin, i cili i përkiste rojeve të prapme të ushtrisë. Kur e pa, Ai e mori Aishen mbi deven e tij dhe, më në fund, në agim ia dolën të dy ta arrijnë ushtrinë, e cila ishte ndalur e po pushonte sërish.

Shpejt u përhapën thashethemet që e akuzonin Aishen për tradhti bashkëshortore. Situata ishte e rëndë, të gjithë të përfshirët ishin nën presion. Më në fund, vetë Pejgamberi i kërkon Aishes të deklarohet apo të marrë një qëndrim lidhur me akuzat….

Në shtëpinë e babait të Aishes, i cili më vonë u bë kalifi i parë, Ebu Bekri, Pejgamberit iu shpallën Ajetet e shumëpritura, të cilat vërtetonin pafajësinë e Aishes: Surja Nûr, ajeti 15-17.[4]

Kjo shpallje është e përfshirë në një sërë Ajetesh të tjera të sures Nûr që kanë të bëjnë me temën e tradhtisë bashkëshortore dhe shpifjes kundrejt grave të pafajshme, gjegjësisht mbrojtjes së grave.

Një prej tyre është obligimi për shami.[5] Prandaj, ky obligim (për shami) mund t’i dedikohet fazës së dytë të shpalljes (në Medine).

Megjithatë, në bazë të thënieve të Pejgamberit, disa udhëzime të veshjes mund të lidhen me periudhën e hershme islame në Mekë.

Sipas një transmetimi nga shoku i Pejgamberit, Harsi al-Gamidi, Pejgamberi një herë u sulmua dhe u lëndua nga një turmë, të cilën ai po e ftonte në Islam. Pasi turma u shpërnda, një grua nxitoi drejt tij me një enë me ujë. Ajo qau aq shumë sa qafa e saj u zhvesh (zbulua). Pasi Pejgamberi kishte pirë ujë dhe kishte pastruar veten, e këshilloi atë grua që më së miri është që të mbulojë qafën me shaminë e saj. Sipas njohurive dhe hulumtimeve, kjo grua ishte Zejnebja, e bija e Pejgamberit.[6]

Diskutimet e brendshme islame

Është një debat në botën islame nëse termat „himar“ dhe „xhilbab“, që shfaqen në dy Ajetet e përmendura më sipër, i referohen një pëlhure që mbulon kokën, apo thjesht një mbulese që mbulon qafën dhe gjoksin.

Kundërshtarët e shamisë argumentojnë se fjala „kokë“ nuk figuron në asnjë ajet dhe se pjesa e trupit që duhet mbuluar nuk nënkupton as në terma shaminë.

Ka dy rryma kundërshtuese për këtë:

1.Fjalët si: këpucë, kapele, unazë etj., nuk tregojnë në vetvete pjesët e trupit për të cilat janë të destinuara. Megjithatë, ekziston një kuptim përgjithësisht i detyrueshëm për përdorimin e këtyre objekteve. Udhëzimet specifike në Kuran nuk duhen veçuar nga mjedisi gjuhësor dhe shoqëror i Gadishullit Arabik në shekullin e VII. Nëse supozohet se dy Ajetet në Kuran e bënë të detyrueshme vetëm mbajtjen e një mbulese të qafës ose gjoksit, kjo nuk do të thotë asgjë tjetër përveç se këto pjesë të trupit ishin të zbuluara në kohët para islamike.

2.Megjithatë, ky supozim nuk mbështetet nga burimet historike. Për shembull, dijetari i njohur i Hadithit Buhari thotë: “Para shpalljes së këtyre Ajeteve, gratë në Arabi mbulonin kokat e tyre, por linin disa zona të qafës ose gjoksit të hapura”.[7] Në kohën e Pejgamberit, gratë e bartnin shaminë, fundin e së cilës e lëshonin mbi shpinë, si një lloj stolie.[8]

Pra, Kurani nuk kishte përse të përcaktonte një kod veshjeje krejtësisht të ri. Përkundrazi, format ekzistuese të veshjeve u rafinuan dhe u përshtatën me kërkesat e rendit fetar Islam. Aishja citohet të ketë thënë: “Allahu duhet t’i mëshirojë gratë e mërgimtarëve, sepse ato menjëherë pas urdhrit “të hedhin shamitë e tyre mbi gjoks…” prenë pjesë të fustaneve të tyre dhe i bënë shamitë.”[9]

Më shumë se vetëm rroba

Meqenëse Allahu e krijoi njeriun dhe, sipas pikëpamjes islame, e njeh atë dhe anët e forta dhe të dobëta të tij më mirë se vetë njeriu, muslimanët besojnë me bindje të plotë se vetëm Ai ka të drejtën dhe autorizimin për të bërë një përkufizime të tilla.

Sipas Kuranit, sfera intime e burrave dhe grave është e përcaktuar veçanërisht për tu mbrojtur.[10] Marrëdhënia mes gjinive duhet të bazohet në respektin e ndërsjellë. Ky respekt shprehet edhe në veshje, por veç nga kjo respekti nuk mund të garantohet. Për këtë arsye, rregullat e veshjeve të Kuranit janë të përfshira në një kontekst udhëzimesh etike[11], të cilat theksohen veçanërisht fuqishëm në fazën mekase të shpalljes. Kjo përfshin, ndër të tjera, zhvillimin e një karakteri të mirë, qëndrimi i përgjegjshëm ndaj botës dhe adhurimi për Allahun si kërkesë bazë për veprim të përgjegjshëm.

Ajetet e shpallura në Mekë përmbajnë kryesisht shembuj, përshkrime të parajsës dhe ferrit në formë pikturimi, pra e ahiretit në përgjithësi dhe parime themelore etike që duhen respektuar në kuadër të ruajtjes së nderit dhe dinjitetit të qenieve njerëzore, ngritjes së standardit moral në shoqëri dhe cilësisë së marrëdhënieve ndërnjerëzore.

Surja e 23-të e Kuranit, Mu’minûn, për shembull, përshkruan karakteristikat e besimtarëve duke trajtuar gjithashtu marrëdhëniet midis burrit dhe gruas: „Kalojnë mirë besimtarët që përulen në namazin e tyre, që largohen nga të folurit e pamenduar dhe paguajnë Zekatin dhe ruajnë pjesët e turpshme te tyre.”[12]

Ruajtja e pjesëve të turpshme përbën bazën e përgjithshme etike mbi të cilën janë ndërtuar rregulloret e veshjeve në vijim. Kjo do të thotë: Rregullat në Islam në përgjithësi dhe rregullat e veshjes në veçanti janë bazë për një proces zhvillimi të pjekurisë individuale dhe shoqërore.

Në çdo rast, është e rëndësishme të ceket, që nderi i një personi nuk përcaktohet vetëm nga veshja e tij. Sipas kuptimit islam, faktori vendimtar është shkalla e Takva-së (droja ndaj Allahut), e cila nga ana tjetër mund të matet dhe gjykohet vetëm nga Allahu.

Allahu është i vetmi, që e ka të drejtën dhe autorizimin, që të përcaktojë ndershmërinë (devotshmërinë) e çdokujt dhe gjithçkahit.

F.P.

[1] Surja Nûr, 24:31

[2] Sure Ahzâb, 33:59

[3] Ebu Davud, Sunen, Libâs, 34

[4] Ibn Hisham, Sîra, II, fq 298

[5] Lings, Martin, Muhamed – Jeta e tij sipas burimeve më të hershme, f. 337

[6] Izzaddîn ibn el-Asîr, Usd el-Gaba, I, fq 203

[7] Buhârî, Istizan, 2; „Interpretimi i sures Nûr“, 12

[8] Kurtubî, Tefsîr, XII/230

[9] Buhâri, Sahih, interpretimi i ajetit të 31-të të sures Nûr

[10] Shih suren Arâf, 7:25

[11] Shih p.sh. B. Sure Arâf, 7:26; Surja Nahl, 16:81

[12] Sure Mu’minûn, 23:1-5

Vetëasimilimi i qetë naiv

Nga emrat e fëmijëve, nipave e mbesave të shqiptarëve po lexoj shumë emra të huaj, që ua kanë vendosur fëmijëve të ndikuar nga seritë televizive (edhe ti i nderuar lexues), apo filma të ndryshëm.

Të mos keqkuptohemi, nuk jam kundër emrave me bazë fetare, megjithëse i preferoj emrat shqip.

Por jam tepër shumë kundër emrave të kombeve të huaja.

Ky është një asimilim i qetë i kombit tonë, o vëllezër.

Gjithë ata emra shqip, ku po shkoni ore, e po i gjeni ata emra të huaj pa kurrfarë vlere?!

“Dashuria për kombin fillon te emërimi shqip i fëmijës tim. Emëroni shqip fëmijët!”

Gjethi, Guri, Shkëmbi, Trungu, Elbi, Thekra, Gruri, Kumbulla, Molla, Dardha, Bardha, Flladi, Jeta, Rrënja, Qarri, Besa, Dija, Lumturia, Bukuria, Vjollca, Vjosa, Shkumbini, Albini, Teuta, Agroni, Sharri, Tomori, Bjeshka, Jehona, Elba, Era, Puhia, Nektari e shumë të tjerë…

Madje edhe “Balta” është emër më i mirë se “Xhemile, “Xhylfidane”, „Eduarda“ apo „Edmond“.

Më i mirë është emri “Përroi” sesa “Hashim” ose “Begjet”. Emri „Gardhi“ është më i mirë se „Edmond“ ose „Paul“.

Emri nuk ka të bëjë asgjë me karakterin e njeriut, të mirëkuptohemi. Ata që i kanë këta emra nuk d.m.th., që nuk janë njerëz të mirë, por emri e dëshmon autoktonësinë, përkatësinë kombëtare për shekuj të tërë.

Nuk është e rastësishme që çdo pushtues së pari i ndryshon emrat e vendbanimeve, dhe më pas të  njerëzve. Ngase ai synon të thotë këtu nuk është pushtues, sepse këtu jetojnë bashkëkombësit e tij, toponimet janë në gjuhën e tij. Pra edhe toponimet e vendbanimet duhet të shqipërohen (për këtë një herë tjetër)

Pas 50 ose 100 vjetësh nuk dihet se si do të jenë forcat botërore. Nuk dihet se kush, ku do të jetojë, a do të ketë sundues. Andaj mendoj që një ditë, për të mos na mallkuar gjeneratat e ardhshme, të veprojmë me mend, ta sigurojmë që sot një dëshmi për ardhmërinë.

TA EMËROJMË SHQIP FËMIJËN, NIPIN OSE MBESËN.

F.P.

Për futboll-dashësit

Në „stadiumin“ e Pllavës

Pse topi merr rrugën harkore të fluturimit kur shutohet me efé?!

Sqarim i thjeshtë (me shumë pak matematikë).

Kur topi rrotullohet në një fluid, në rastin tonë në ajër, pjesë të ndryshme të topit kanë shpejtësi të ndryshme ndaj ajrit që i rrethon. Në shikim të parë duket sikur pjesa e jashtme e topit gjatë rrugës harkore (banane) e ka shpejtësinë më të madhe, por nuk është ashtu. Turbulencat, që krijohen në atë anë shkaku i fërkimit më të madh të topit me ajrin, e ndihmojnë ajrin të ndahet më herët nga topi. Shih figurën:

Kur ndahet më herët nga topi, atëherë pra kalon rrugë më të shkurtër nga kjo anë. E nga ana tjetër kalon rrugë më të gjatë. Krejt kjo ndodh për kohën e njëjtë, që rrjedhimisht rruga më a gjatë kërkon shpejtësi më të madhe për tu kaluar për kohën e njëjtë. Në figurë kjo është ana me vija të shpeshta të rrjedhës së ajrit.

Ligji i Bernulit (Daniel Bernoulli) thotë që energjia në çdo pikë të fluidit mbetet konstante. Meqë në fluide kemi 3 energji fizike, atëherë shuma e energjisë së presionit (shtypjes), energjisë kinetike (të lëvizjes ose shpejtësisë) dhe Energjisë potenciale (të pozitës ose lartësisë) është konstante. Matematikisht:

Ep + Ek + Epo = const.

Ne rastin tonë (figura e dytë lartë)  kemi anën A dhe anën B

Në të dy anët shuma e energjive duhet të jetë e njëjtë

EpA + EkA + EpoA = EpB + EkB + EpoB

Energjia potenciale (e pozitës, e lartësisë) është e njëjtë në të dy anët, ngase niveli është i njëjtë.

Meqë në anën B Energjia kinetike (e lëvizjes ose shpejtësisë) është më e madhe, siç e sqaruam më lart (VB > VA) për tu barazuar energjia e tërë, në anën A rritet Energjia e presionit (shtypjes) dhe e shtyn topin kah ana B, kështu krijohet rruga „banane“ apo „parabola“ siç komentatorët e quajnë në zhargonin ditor.

F.P. (02.07.2022)