Dija dhe e vërteta

Niveli i dijes, që e shoh në rrjetet sociale, me keqardhje e them, është shumë i ulët … madje tepër. Gjëja më e keqe është që përtojmë që ta lodhim trurin.
E kuptoj nevojën për humor, art, sport, debate rreth familjes, marrëdhënieve shoqërore, por, o njerëz, shkolla e dija, janë mbi të gjitha, sidomos shkencat ekzakte, nëse e synojmë zhvillimin dhe mirëqenien.

Një detyrë shumë të thjeshtë 90% e komentuesve e zgjidhin gabimisht 8÷2(2+2)=?

Një detyrë tjetër, shumë të lehtë, nga 650.000 veta ASKUSH nuk mund ta zgjidhë brenda 20 orësh. Kuptoni se kjo është një katastrofë për një shoqëri.

Ne kemi individë të aftë, por kjo nuk mjafton. Kam parë të ashtuquajturat punime „shkencore“ nga doktorë të shkencave nga fakultetet teknike dhe po ashtu nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, të botuara në revista „shkencore“. Më besoni se ato nuk janë punime shkencore, ato nuk i shërbejnë askujt, ato thjesht nuk janë asgjë. Më vjen keq ta deklaroj këtë gjë.

Ajo, që do të na duhej, do të ishte një popull i aftë kolektivisht.

Kujdes, le ta kuptojmë, se dinakëria është një aftësi, sigurisht, por vetëm e përkohshme dhe e padobishme. Aftësia e vërtetë është sinqeriteti, të thuash të vërtetën. Është më së vështiri ta thuash të vërtetën kur e gjithë bota është kundër teje.

Por është gjithashtu e vështirë të thuash vërtet të vërtetën. E vërteta fshihet nën shumë ambalazhe, maska, shpifje, shtrembërime… të cilat paraqesin sfida të jashtëzakonshme për t’u ndarë nga e vërteta. Sigurisht, intuita është e nevojshme, por sidomos dija, për të kuptuar të vërtetën.

Mediat tona, përmes rrjeteve sociale, nuk postojnë ASNJË artikull të pamanipuluar. Prandaj, të gjithë artikujt janë thjesht gënjeshtra deri në një përqindje të caktuar. Të gjitha mediat, pa dallim, gënjejnë ose manipulojnë, të paktën në titull dhe më së shumti në të gjithë çështjen, të cilin artikulli e shtjellon. Kjo ndodh për shkak të urisë financiare, qëllimit për t’u bërë i pasur, interesave politike, atyre të pushtetit, atyre puçiste, por edhe atyre kriminale që sjellin fitim të madh pa djersë.

Shumë njerëz po e përqafojnë këtë mënyrë jetese, domethënë fitimin me dinakëri, pa djersë ose kontribut shoqëror. Kjo nuk duket aq e rëndësishme në shikim të parë, por më besoni, kjo është me rëndësi parësore për një shoqëri. Nga ky mentalitet dalin tradhtarë, vrasës, hajdutë, fyes, njerëz moralisht të shthurur, gënjeshtarë etj… nga të cilët nuk kemi asnjë dobi si shoqëri.
Do të doja ta lodhnim më tepër trurin tonë dhe të mësohemi të flisnim ndershmërisht e sinqerisht dhe në atë rast të nxirrnim nga goja apo ta shkruanim vetëm të vërtetën e vërtetë.

F.P.

(18.05.2025)

Kommentar verfassen