„E keni dhjerë punën“

(Rahmet për së gjalli ambasadores Tracey Ann Jacobson. Me një fjali e pat shkruar krejt historinë e pasluftës në Kosovë)

Qeveria (teveqelja) e Kosovës, më shkurt kryeministri Hoti (Koti) nënshkroi si i vetëm një dokument, i cili përfshinte disa zotime të tija kundrejt Serbisë.

Për çdo mendje të shëndoshë, ky teatër mbi „marrëveshjen historike“ është kulmi i injorancës institucionale shtetërore.
Duke shikuar një nga një pikat e kësaj “marrëveshjeje” fitohet përshtypja se qeveria (teveqelja) e Kosovës përfaqëson Serbinë.

Qysh në fillim të tekstit thuhet që duhet implementuar marrëveshjet e nënshkruara në shkurt të 2014, që kanë të bëjnë me lidhjen mes Beogradit dhe Prishtinës (siç thuhet, e jo Kosovës e Serbisë) përmes autostradave, në mënyrë që Serbisë ti mundësohet dalja në Adriatik. Pra nënkuptohet që kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, i ka nënshkruar këto marrëveshje. Për daljen e Serbisë në Adriatik, për të cilën ajo i shkaktoi disa luftëra, meritor është Avdullah Hoti po aq sa edhe Hashim Thaçi.

Rastisi që “Demarkacionin” me Malin e Zi ta implementojë Isa Mustafa, kurse “Daljen në Adriatik” të Serbisë Avdullah Hoti? Nuk besoj që kjo është rastësi. LDK dhe PDK janë bërë bashkë gjithnjë për të keqen e Kosovës. Andaj thirrjet e shumë “analistëve” për bashkim të forcave politike nuk kanë kurrfarë kuptimi, sidomos kur i drejtohen Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk mund të bëhet edhe kjo parti tash bashkë me ta për të keqen e Kosovës, të cilën rrugë AAK dhe Nisma po e ndjekin që nga fillimi, pa pardon.

Më tutje bie në sy, që vetëm “Merdarja” përmendet si kufi, ku duhet të implementohet marrëveshja mbi pikat e përbashkëta kufitare. Kjo nënkupton që pikat tjera kufitare mund të ndryshojnë edhe pozitën edhe formatin, gjë që na bën të dyshojmë se shkëmbimi i territoreve, si ide e qëllim, akoma ekziston.

Çështja e “Liqenit të Ujmanit” që është futur në zotimet e Avdullah Hotit (që po keqemërtohet si “marrëveshje”) sigurisht që është një vepër antikombëtare që mund të hyjë në rangun e tradhtisë kombëtare, sipas Kushtetutës së Kosovës. “Liqeni i Ujmanit” den baba den ka qenë në Kosovë. Aty nuk ka çfarë kërkon Serbia. Ajo mund edhe ta uzurpojë me forcë, por ti njihet administrimi i saj mbi këtë liqe me zotim (marrëveshje), kjo kurrsesi nuk do të duhej të ndodhë.

Në këtë “marrëveshje” janë futur po ashtu religjionet, duke vënë theksin te kishat ortodokse dhe eksterritorialiteti i tyre, që sërish përbën një dështim të delegacionit të Kosovës, ngaqë anashkalohet feja e shumicës në Kosove. Vetëm kisha ortodokse dhe tempujt hebrenj po u dashka të mbrohen? Po xhamitë e shkatërruara gjatë luftës a nuk u dashka të mbrohen?! Shteti laik duhet të ketë qasje të njëjtë ndaj religjioneve dhe besimit si e drejtë e pakontestueshme elementare e njeriut.

Pika tjetër e futur pa nevojë, ajo mbi dekriminalizimin e homoseksualitetit, tregon po ashtu qasjen shumë primitive që ka Grenell ndaj Kosovës. Kosova nuk i ka penguar paradat e gaj-ve. Serbia ka qenë ajo, që i ka ndaluar, madje i kanë përgjakur pjesëmarrësit aty. Të barazohet Kosova dhe Serbia këtu është e padrejtë dhe qëllimkeqe. Pyetni udhëheqësit tanë, që morën pjesë në këto parada, a ua çmoi Grenell këtë “kontribut”?!

Më tej, moratoriumi për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare i Kosovës të barasvleftësohet me moratoriumin e Serbisë për çnjohjet, është po ashtu një e padrejtë. Serbia ishte agresori, lufta jonë ishte për liri dhe mbrojtëse. Vendimi i “Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë” na ka pranuar pavarësinë si të ligjshme. Ne kemi të drejtë ta afirmojmë pavarësinë. Serbia pra vepron kundërligjshëm kur cyt çnjohjet.

Dhe në fund, mbi njohjen nga Izraeli. Kjo njohje, megjithëse e mirëseardhur, i ka “dreqësitë” e saja mbrapa. E para, vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, i cili nga shumë shtete arabe njihet si i okupuar, mund të na bëjë dëm të madh në Ligën Arabe (madje ndoshta në BE), nga ku mund të vijnë çnjohjet pas angazhimit të Serbisë.
E dyta, unë nuk besoj që Izraeli na ka njohur pa çmim. Mendoj se Trepça është gjahu i tyre dhe madje besoj që u është premtuar. Megjithëse kjo mbetet një spekulim, them se, duke i njohur Izraelitët, nuk është larg mendësh.

Dëmi nga anëtarësimi në „Minishengen“ është më tepër se i qartë. „Minishengeni“ është në fakt RFJ-2….

Përfundim:
“Marrëveshja” pra zotimi i qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë, nën ndërmjetësimin e SHBA-ve, është e papranueshme, ngase në asnjë pikë nuk ka diçka të mirë për Kosovën dhe shqiptarët, përveç një njohjeje mjaftë problematike dhe njohjes së diplomave (që nuk ka efekt, ngase Serbia nuk i punëson ashtu edhe ashtu shqiptarët).
Apeloj në Kuvendin e Kosovës, deputetë të ndërgjegjshëm, të mos ushqehen gabimisht me fjalën “Amerika” e në të vërtetë të vihen në shërbim të Serbisë. Kjo “marrëveshje” ASSESI nuk duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Përndryshe “Demarkacioni-2” do të përsëritet. Asgjë nuk do të fitojë Kosova, kurse Serbia do ti bie kryq e tërthor Kosovës e Shqipërisë pa e pyetur askënd dhe pa pasur kurrfarë ngarkesash financiare. Kamionët dhe trenat e Serbisë të kalojnë kështu mbi tokën që me shekuj e përgjakën, kështu edhe Zoti do të na mallkojë, se lëre më gjaku i dëshmorëve dhe viktimave të pafajshme të masakruara nga pikërisht Serbia e udhëhequr mu nga njerëzit e njëjtë, të cilët e udhëhoqën edhe gjatë luftës.

F.P.

Protesta

Protesta është INSTITUCION I DEMOKRACISË

Ta ndryshojmë mentalitetin e ngelur nga ish sistemi socialist-komunist drejt mentalitetit demokratik. Ju lutem!

  1. Protesta është INSTITUCION i demokracisë.
  2. Policia nuk e ka detyrë shpërndarjen apo pengimin e protestës, por E KA DETYRE sigurimin e këtij institucioni dhe mbrojtjen e protestuesve si pjesëtare të këtij institucioni demokratik.
  3. Aktet e policisë sonë, që i shohim ne, fatkeqësisht janë përcjellë më tej nga reagimet e policisë së ish sistemit social-komunist, që DETYRË e kishte pengimin dhe shpërndarjen e protestave „kundërrevolucionare, iridentiste, nacionaliste, separatiste…“ e çka nuk…
  4. Policia, nëse e shperndan protestën, ajo faktikisht e sulmon institucionin demokratik. E në demokraci sulmi kundër institucioneve të saj është i papranueshëm.
  5. Kundërreagimi i Institucionit Demokratik të Protestës (protestuesve) sidoqoftë në këso raste, është krejt i natyrshem dhe i paalternativë, ngase është reagim vetëmbrojtës.

F.P.

P.S.
Këto gjera kështu kuptohen.
Që 3 decenie po e shoh në Austri se si funksionon demokracia.

Vetëm të tjerët kanë faj

Eeehhh kjo Gjuha e jonë Shqipe sa më dhimbset.

Koha e Tashme e saj „(po) punojmë, (po) punësojmë, (po) investojmë“ është duke pësuar debakël. Sidomos tek „Udhë-heqësit“. Ata po e tenderojnë Kohën e Ardhshme „do të punojmë, do të punësojmë, do të investojmë“ NESËR. E kjo „NESËR“ mbetet vetëm nesër, „SOT“ nuk bëhet dot.

Edhe një fjalë e pëlqejnë tepër Rrugë-Hequrit (më tepër se Encën, apo BMW-X6-shin), e ajo fjalë e dashur është „DUHET“. Ata investojnë në „DUHET“, çfarë profiti!!!
Ndonjë „fshatar“ i varfër do të shprehej „DUHEM“ apo „DUHESH“…, bukur kjo, se do të dihej KUSH DUHET. Por a votohet kjo see? I kanë numrat dhe të mbysin.

Këtyre „qytetarëve“ milionerë të PAHEQUR e PAPREKUR, nuk po ju dihet, po thonë DUHET. E kush duhet??? ASKUSH.

Hej, e di ore se „gjuhëtarët ju kanë faj“ madje edhe për VOTIMIN E GJYKATËS SPECIALE.

Ju infektoheni, kurse tjetërkush paska faj, edhe pse ai tjetri nuk është infektuar fare.

Populli paska faj, pse ju nuk dini të menaxhoni. Populli paska faj për çdo gjë?! Ndoshta synoni ta ndërroni popullin tonë me japonezë apo skandinavë, që do ti sillni pasi ti përzeni të gjithë shqiptarët? Edhe këtu ju nuk do të kishit faj…. apo?!

Po pra, vetëm të tjerët kanë FAJ. Kurrë JU.

F.P.

Aktakuza e (pa)pritur

(Për shumëkënd ky shkrim do të duket i çuditshëm, por për shumëkënd jo. Por për ta thënë një të vertetë duhet guxim intelektual dhe sakrificë, për këtë jam i vetëdijshëm)

Unë mendoj që amerikanët e kishin në plan, duke i bërë Thaçit shantazh tinëz, të shkëmbejnë territore. Prandaj edhe Haga (BE-ja) e bëri publike aktakuzën kundër Thaçit dhe Veselit.

Gazeta „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ shkruan titullin:
„Amnestie? Niemals.“

Pse amnisti? Kujt amnisti?

Përgjigjja logjike do të ishte: Amnisti Thaçit pasi t’ua kryente amerikanëve punët rreth shkëmbimit.
Por tash doli në publik… s’mund ta fshehin më.

Këtë mes rreshtash po e thotë gazeta „Frankfurter Allgemeine Zeitung“.

Shkëmbimi i territoreve po kam frikë se mund të ndodh shkaku i marrëdhënieve të ngushta të Trump me Putinin. Putini ndihmoi zgjedhjen e tij president, e ky do t’ia bënte një favor atij.

Shantazhi Thaçit po i bëhet përmes prokurorit amerikan (të cilit edhe Serbia po i ndihmon, e qartë), prandaj BE-ja(Haga) na tregoi ç’po ndodh, duke e publikuar aktakuzën, ku qenka „punuar që 20 vjet“ (Ambasada Amerikane e tha këtë).

Është shumë e qartë pra pse është mbajtur fshehur kjo aktakuzë: Krejt, që Thaçi ua ka nënshkruar të huajve, prej demarkacionit e deri te Zajednica, i paska bërë, deshi s’deshi, me zor ose me shpresë që nuk do të dalë në gjyq.

Pra krejt ky informim po na bëhet, ngase Gjermania (BE-ja) është strikt kundër shkëmbimit territorial mes Kosovës e Serbisë.

Shumë mirë që po dihet tash, sepse diçka që ekziston për shantazh, më mire është të dihet. Prokurori qenka i Grenellit (Trumpit) dhe që 20 vjet qenka punuar për këtë aktakuzë, merreni me mend.

E vërteta duket kështu:

Publikimi i aktakuzës e ka qëllimin e pengimit të shkëmbimit të territoreve, që me gjasë do ta bënte një „Palestinë“ të re në Ballkan dhe këtë Gjermania assesi nuk e lejon.
Administrata e Trumpit (e SHBA) u tregua tejet e papërgjegjshme kundrejt BE-së duke e anashkaluar nga procesi i filluar i një dialogu të përbashkët. Për problemet që do të mund të shfaqeshin zinxhir në Europë , natyrisht që Gjermania do ta kishte barrën më të madhe, prandaj nuk lejon.

Thaçit i mbetet vetëm mundësia e dorëheqjes nga pozita e presidentit, nëse nuk dëshiron ta dëmtojë shtetin e Kosovës. Ç’të bësh, llogaritë nuk i dolën të sakta.

Më 24.04.2020 qenka ngritur aktakuza, të nesërmen më 25.04.2020 Baton Haxhiu flet mbi amnistinë pas 20 vitesh në marrëveshjen që po përgatitej (kujtuam se mendoi veç në amnistimin e serbëve, por tash po shihet çka ka menduar). Pra Thaçi që atëherë paska ditur për aktakuzën dhe shkaku i kësaj duket se edhe u prish me BE-në. Por përse e mbajti për kaq kohë fshehur?!

Për fund:
Ne nuk do të kemi rahati, deri Serbisë t’ia „tregojmë dhëmbët“. Duke qenë se pushtetarët e derisotëm e përmendin vazhdimisht dialogun (thuaja se nuk kanë me çfarë të merren) në vend se ta bllokojnë Serbinë 100% me reciprocitet, i bëjnë oferta favorizuese, atëherë ne kurrë nuk do të jemi rahat prej tyre. Serbia vetëm gjuhën e forcës e kupton, e jo duke i ofruar diçka të dobishme sikur „Asociacioni i komunave me shumicë serbe“ p.sh. ngase në qoftë se Serbisë ia jep gishtin, ta kërkon dorën, në mos edhe krahun.

F.P

P.S.
Unë jam pro amerikan, pak më shumë pro shqiptar, por më së shumti jam pro së vërtetës.

Pa reciprocitet e me 700 të këqija

Tani, kur qeveria e kontrabanduar „Hoti“ e hoqi reciprocitetin kundrejt Serbisë, na shtyn të mendojmë për forma alternative të reciprocitetit, se paku në industrinë ushqimore, që tani do të vërshojë Kosovën dhe vetëm Zoti i di pasojat.

Është e sigurt dhe të gjithë pajtohemi, që biznesi me Serbinë po na sjell shumë dëm, jo vetëm strategjik dhe financiar, por po na atakon drejtpërdrejt shëndetin kombëtar:

Material ndërtimor radioaktiv (kanceri në shtëpi).
Ka indicie se Çernobili afër Prypjatit (Ukrainë) pastron pluhurin radioaktiv me pagesë. Ndërmarrjet ndërtimore serbe fitojnë dyfish: E para, ngase e pastrojnë Çernobilin dhe atë material e përdorin për prodhimin e materialit ndërtimor për ta eliminuar, dhe e dyta atë material na e shesin neve në Kosovë, por edhe tjetërkund.

Kështu Çernobil po bëhet Kosova.

Shikoni statistikat e lindjeve, kancerit, sindromit down, autizmit dhe sëmundjeve të tjera.

Ushqim i skaduar me etiketa të falsifikuara, radioaktiv dhe helmues. P.sh. gruri për kafshë u importua për njerëz.

Barëra të skaduar me etiketa poashtu të falsifikuara dhe me indicie se shumica e tyre manifestojnë efekte te rënda anësore, një pjesë e tyre e dedikuar enkas për shqiptarët.

Mëlmesat e ushqimit, që vijnë nga Serbia, ka indikacione se kanë materie, që e shkaktojnë sterilitetin dhe prodhohen enkas për eksport drejt Kosovës.

Më e keqja është se biznesmenët, partnerë të Serbisë „den baba den“, tash po depërtojnë edhe në Shqipëri.

Vaj halli.

Për fund:
AUSTRIA KA SHUMË PAK MARRËDHËNIE ME INDUSTRINË USHQIMORE TË LINDJES.
Çfarë ne shohim, janë prodhime vendore dhe të BE-se, diku 80%, nga Spanja nja 10%, nja 5% nga Greqia dhe të tjera 5%.

Ushqimet depërtojnë gjithkah, por me rëndësi të dihet se Austria më së keqi çfarë bën është importi ushqimor nga Greqia.

Maqedonia ka provuar të plasoje mish nga Ukraina ne BE, por e kane zbuluar. Mishi ka qenë me shumë Cezium radioaktiv, pra kancerogjen.

Te ne nuk ka kontroll shtetëror fare, ose është një kontroll rutinor, por jo shkencor.

KUJDES!!!

F.P.

Tradhtia e Shokut

E marrë nga „Kujtimet e mia“
(për mësuesit histori me vlerë)

Që nga klasa e 6-të e shkollës fillore merrja pjesë në garat e historianëve, ngase i nderuari mësuesi Mestan Krasniqi më mori në ekipin e garuesve edhe pse aty bënin pjesë nxënës të klasës së 8-të por kishte edhe ndonjë nga klasët e 7-ta.(Kam shumë „diploma“ dhe „mirënjohje“ nga ato gara)

Në klasën e 8-të mora sërish pjesë (Drejtor ishte Rasim Krasniqi).
Atë vit me mua (ndonëse kurrë më parë) mori pjesë edhe një Shok i klasës. Meqenëse vëllimi i revistës „Kekec“, nga ku dilnin pyetjet e garave, ishte tepër i madh dhe koha ishte mjaft e shkurtër, ne nuk arritëm të përgatitemi mirë, por vetëm në një masë të konsiderueshme.

Ne të dy ia dinim njohuritë dhe dobësitë njëri-tjetrit mjaft mirë.

Nga përvoja që kisha, ditën kur ishte gara, propozova, që nëse do të duhej, ne do të ndihmoheshim mes vete, sidomos në pjesët ku ishim më të fortë, ti ndihmojmë shoqi-shoqit, u morëm vesh për këtë, ngaqë do të uleshim sa më afër njëri tjetrit.

Ashtu edhe ndodhi. Shoku i klasës u ul jo shumë larg meje, dhe gara filloi.
Unë e plotësova testin në pjesët ku isha më i fortë. Duhej pra vetëm të kryqëzohen katrorët e përgjigjeve të sakta. Ishte numri i pyetjes p.sh. 1. dhe tri ose katër variante a), b), c), d).

Për fatin tim, shumica e pyetjeve ishin nga ajo pjesa ku unë isha më mirë i përgatitur.
Sipas marrëveshjes unë menjëherë ia pëshpërita Shokut të gjitha përgjigjet e mia shkurt: 1…a, 2…c, e kështu me radhë.
Pjesën, ku Shoku ishte më i përgatitur, unë nuk e plotësova, sepse pritja që të mi pëshpëriste njëlloj sikur unë përgjigjet e sakta.
Ishte diku 30% e testit nga pjesa ku ai ishte më i përgatitur.

AI KËTË NUK E BËRI.

Unë duke i thënë disa herë: „Shok, mi trego, si u morëm vesh?!“

AI MË DEGJONTE MIRË, por PËRKUNDËR KËSAJ NUK MË NDIHMOI.

E kishte planifikuar pra këtë dredhi.

Atëherë kah fundi, sipas asaj që dija, unë i plotësova.

Pra SHOKU, që i besova, MË MASHTROI.

Ai e zuri vendin e 1-rë apo të 2-të, e unë të 4-tin. Ai u kualifikua për në garat e Zagrebit, ME DIJEN TIME, kurse unë jo.

Këtë histori nuk mund ta harroj.

Një libër i shkruar nga një mësues i nderuar, e ka pra një gjë jo të sqaruar mirë në përmbajtjen e tij.

Keqpërdorime të tilla kam pasur shumë gjatë shkollimit, që prej kopjimit të detyrave të shtëpisë, dhënia e detyrave të provimit, pëshpëritja kur përgjigjeshin për notë, e deri te dalja bashkë vullnetarë, që unë të jem afër tyre, e tu bëhem sufler. Dhe u ndihmoja, pa sherr.
Mirëpo, e habitshme është, që edhe përkundër kësaj, në shoqëri nuk më ftonin, dilnin pa mua. Xhelozia nuk i lente. Xhelozia që unë nuk e kam kuptuar asnjëherë.
Kjo xhelozi ekzistoka edhe sot. E vërtetova këto ditë.
Ama kurrë nuk e kam kuptuar se përse.

F.P.

P.S.

Ne edhe si shoqëri jemi parazitë dhe bukëshkelës…

Ndryshe nga turma

„Teoria e Relativitetit“ e Albert Ajnshtajnit (Albert Einstein) është një teori, që do të thotë se akoma nuk është vërtetuar, por gjithashtu akoma nuk është hedhë posht. Vetë fjala „Teori“ e ka këtë kuptim.

Po të vërtetohej do të bëhej një ligj, po të hidhej posht, do të mbetej një hipotezë.

Unë personalisht mendoj se kjo teori është e pavërtetë.

Përse?

Çdo gjë është relative, sipas Ajnshtajnit, por ama Shpejtësia e Dritës C~300,000km/s (shenjën „~“ e përdora në vend të „përafërsisht“) është absolute, pra për çdo sistem e njëjtë dhe e pandryshuar, pavarësisht gjendjes së tij kinematike.

Kjo thjesht do të thotë që Shpejtësia e Dritës është absolute (jorelative).

Kjo rrodhi kështu, sepse Ajnshtajni pohonte që e vërteta e të ndodhurit është ajo që ne e shohim apo mund ta dëshmojmë dhe këtë na mundëson vetëm Drita, apo edhe ndonjë valë, apo rreze që lëviz përafërsisht shpejt sa Drita.

Andaj, kjo veti absolute, qe Ajnshtajni ia dha Dritës padrejtësisht, bëri që fizikisht të relativizohen të gjitha madhësitë fizike, ngase u relativizuan koha dhe hapësira.

Mirëpo!!!

Nuk është e vërtetë se Shpejtësia e Dritës „C“ është absolute, dhe për çdo sistem e njëjtë C~300.000km/s. Shpejtësia e Dritës nuk mund të jetë C~300,000km/s krahasuar me një sistem që lëviz me një shpejtësi sa edhe vet Drita V=C~300,000km/s, por është C-V=0 (zero), drita në krahasim me te nuk do të lëvizte pra fare. Por, për të mbetur Shpejtësia e Dritës ndaj tij 300.000km/s, po duhet rrjedhimisht që, ose hapësira (rruga qe po kalon Drita) të bëhet ~zerro, ose sekonda po duhet të zgjatet në pakufi. (Ajnshtajni thoshte që, për trupin që lëviz me shpejtësi të Dritës koha pushon, pra ai trup nuk plaket, sekonda pra zgjatet në pakufi, kurrë nuk kalon ajo sekondë)

Këtu është sekreti i së pavërtetës së tij. Mashtrim shekullor në botën e Fizikantëve.

Një shpjegim tjetër më të thjeshtë për ata që nuk e njohin Fizikën:

Ajnshtajni bie në kundërshtim me vetveten, sepse ai vet pra e dëshmon, që çdo gjë nuk qenka relative, sepse mu nga Teoria e tij rrjedh që Shpejtësia e Dritës „C“ është absolute. Shumë e thjeshtë kjo për tu kuptuar.

Ajnshtajni nuk do të ishte kurrë ky që është, po të mos kishte pas shpine lobe të fuqishme ndërkombëtare nëpër shtete poashtu të fuqishme.

Tash, të dalë një shqiptar e ta hedh posht Ajnshtajnin nuk e ka asnjë shansë, anise shqiptari i tillë do të kishte të drejtë.

Prandaj ne po kërkojmë patjetër Bashkimin Kombëtar. Vetëm si Komb i Bashkuar i fuqishëm mund ti mbrojmë „Ajnshtajnat“ tanë, e që nuk janë pak.

F.P.

Përpasimi ynë shpirtëror

Kur njeriu e (shpiku dhe e) zhvilloi gjuhën, nga principi i „Minimumit të energjisë së materies“ (përtacia e materies) aty ngeci zhvillimi i tij i vërtetë (e kam thënë para 30 e tepër vjetësh). Njeriu filloi të flasë nga përtacia, ngase më e lehtë ishte kjo rrugë e komunikimit, por gjithsesi jo me e mira.

Gjuha pra nuk ishte përparim (siç teoria e evolucionit e thotë) por përpasim (prapambetje, ngecje).

Ne sot nuk kuptohemi me ligjerata të tëra më shumë sesa dikur me një britmë „Aaa“. Madje shpesh gjuha është burim polemikash të qëllimta denigruese (duke e keqinterpretuar qëllimisht një mendim të shprehur), shpesh burim hidhërimesh e ngatërresash.

Ne kishim (dhe kemi) aftësi më të mëdha, shumë më të mëdha se të folurit.

Që kur filluam të flasim, ne iu nënshtruam materi(al)es dhe e harruam zhvillimin shpirtëror. Ne i bartëm studimet te materia kurse shpirtin nuk e studjuam fare, e as nuk e zhvilluam… Aftësitë, që ka shpirti ynë, që do të mund t’i zhvillonim, i bartëm te materia (radio, TV, Celularët, Antenat satelitore….)

Pra nuk është habi pse ne i nënshtrohemi parasë dhe pasurisë. Ngase jemi nënshtruar materiales (trupit tonë) duke e lënë krejt pasdore shpirtin. Kështu jemi bërë të pashpirtë.

Sa të kalojë koha, gjithnjë e më tepër ne do të futemi thellë në lajthitje, duke thelluar krizën morale gjithandej nëpër botë.

Besoj që shpirti ynë ka filluar të hakmerret, duke përhapur shumë sëmundje të çuditshme trupore, identitare dhe mentale, apo edhe sëmundje autoimunitare (vetëshkatërruese të organizmit) … etj…

Që shpirti ynë është shumë i aftë tregon edhe kjo thënie:
„Shpirti ynë është libri, ndërsa faqet e tija janë universi“ (Muhamedi a.s.)

Bëhu me shpirt, me ndërgjegje!

F.P.

Historia po përsëritet

Si absolvent i fakultetit të Makinerisë më kujtohet kur u mbajt tubimi në Fakultetin e Makinerisë në lidhje me „Diskutimin publik për ndryshimet kushtetuese të KSAK dhe RSS“. Një numër i profesorëve tanë morën fjalën dhe kritikuan ashër këto ndryshme Kushtetuese, posaçërisht amendamentin 47 që pretendonte te futej në Kushtetutën e Republikës së Serbisë, e i cili e shuante tërësisht Autonominë politiko territoriale të Kosovës. Në diskutimin që mora pjesë vetë, shpreha brengën se këto ndryshime kushtetuese po mbahen të fshehura nga opinioni dhe ne si studentë nuk ishim sakt të informuar në lidhje me to. Gjykova këtë fshehtësi, por sigurisht që amendamentin 47 e vendosa në thumb të ashpër të kritikes.

Pak kohë pas kësaj u organizua e njohura „Greva e minatorëve“ e cila ia tronditi themelet e Jugosllavisë.
Ne studentët ishim mbledhur në sallën „25 Maji“ dhe me greve urie solidarizoheshim me minatorët. Si absolvent detyra ime ishte seleksionimi i studentëve që hynin ne salle, ngaqë kishte edhe nxënës të shkollës mesme që provonim të hynin, apo edhe të tjerë, e që ne nuk mund ti lejonim.

Në sallë brenda zhvillohej greva. Vinin profesorë të ndryshëm që tentonin të na e mbushin mendjen që grevën ta ndërpresim, por ne nuk e bënim dot.
Profesorët ishin shumë të kujdesshëm kur flisnin, që të mos lëndonin emocionet tona. Por kishte edhe të tille, që na thoshin „Kosova nuk humb asgjë me këto ndryshime kushtetuese“.

Njëri nga ta ishte edhe prof. Syrja Popovci, si më i zëshmi. Atij, që nga atëherë i mbet vula e tradhtarit në ballë, pikërisht se e hodhëm jashtë me ovacionet „Tradhtar, tradhtar!,“. Ai edhe në shumë raste të tjera e pati dëshmuar epitetin e vënë nga ne.

Më pas vazhdoi tendenca që këto ndryshime kushtetuese të kontrabandoheshin.
Minatorët u mashtruan dhe e ndërprenë Grevën. Ne po ashtu.

Përkundër protestave të mëdha gjithë popullore (diku 300.000 pjesëmarrës) më 23.03.1989 ndodhi suprimimi i autonomisë.

Pra gjithë kohën na thuhej se Kosova nuk humb asgjë, por në të vërtetë e humbi autonominë e fituar në vitin 1974.

Në anën e atyre që ishin pro ndryshimeve kushtetuese ishte edhe kryetari i sotëm i LDK-se, Isa Mustafa. Për mua dhe shumë studentë apo intelektualë, që e njohin veprimtarinë e tij, ky është i njëjtë me Syrja Popovcin, madje më i keq, ngase ky pranoi pozita në institucionet pas shuarjes se autonomisë, ku merreshim vendime mbi masat e dhunshme nëpër Kosovë.

Sot i NJËJTI njeri në mënyrën e njëjtë, me njerëz të ngjashëm, vepron njësoj si asokohe.
Dallimi sot është se njerëzit e tij dalin hapur pro ndarjes së Kosovës (Lutfi Haziri), asokohe fshihej humbja.
Sot dallimi është se populli pak është i vetëdijshëm për atë që po i kanoset. Vetëm një parti politike po lufton për mbrojtjen e Kosovës „Lëvizja Vetëvendosje“.
Partitë tjera, që në të vërtetë më fort i ngjajnë familjeve të Don Vito Corleones sesa partive politike, shikojnë të shfrytëzojnë edhe COVID-19 për të përmbysur pushtetin demokratik përmes „ndryshimeve kushtetuese“ ngase Kushtetuta qart e thotë se „Askush pos partisë fituese nuk mund ta formojë qeverinë“ dhe më pas ta kryejnë detyrën e vet rreth ndarjes së Kosovës.

Çfarë duhet bërë?

Njësoj si më 1989, populli duhet gjithsesi të organizohet në mbrojtje të shtetit dhe sidomos territorit të tij, i cili është i cenuar, kjo është shumë e qartë.
Përmes protestave e demonstratave paqësore duhet të mblidhet në Prishtinë ta mbrojë qeverinë legjitime dhe legale. (Më 1989-en populli edhe prej komunave më të largëta ka arritur këmbe në Prishtinë) qindra mijëra protestues që të pengohet marrja e pushtetit PA VOTË legjitimuese. Assesi nuk bën të ketë kthim prapa.
Shkaku i mbrojtjes nga Corona, në protesta të mbahen maska dhe largësia prej 1m të respektohet, që kur ke maskë mjafton për të mos u infektuar. Duart të mos kapen gjatë përshëndetjeve.

Përfundim:

Mësimet nga ngjarjet e vitit 1989 tregojnë, që thëniet „nuk ka ndarje“ nuk duhet besuar. Aq më pak kur kjo veçse u konfirmua nga njerëz në pozita të larta të LDK-së, e cila po synon formimin e një qeverie PUÇ-iste.
Populli duhet të veprojë tash. Mbështetësit e Albinit dhe Vjosës posaçërisht.
Përndryshe shteti i Kosovës do të shuhet, ose se paku do të bëhet jofunksional.

F.P.

Dallimi mes Ofendimit (Fyerjes) dhe Nënçmimit

Çka është OFENDIMI (fyerja) e çka është NËNÇMIMI (ndryshe nga fjalori Shqip-Shqip)

  1. OFENDIMI (fyerja) është:

a) Një veti që i mvishet dikuj, e që e tjetërson nga qenia e tij e vërtetë. P.sh. nëse i thuhet njeriut „lopë“, ky është ofendim, sepse njeriu është njeri e jo lopë. Po i tjetërsohet pra qenia. Shembuj të tjerë: gomar, bërllog, fëlliqësirë, majmun, kali, qen, etj… Fyerje konsiderohet edhe ndryshimi i qëllimshëm i emrit të dikuj, p.sh. nëse Faton-it i thua Fatjon, ose Muhamedit i thua Muhamet, serbit i thua shka, shqiptarit i thua shiftar (apo shiptar)….
b) Përmendja e anëtarëve të familjes së dikuj, shokëve apo njerëzve të tij të vlefshëm, në kontest negativ është poashtu ofendim. P.sh. nëse i thuhet dikuj „nëna (babai yt) jote ka qenë (është) …..“ diçka e keqe, ky quhet poashtu OFENDIM (fyerje).

2. NËNÇMIMI është:

a) Një veti që i mvishet dikuj, që NUK ia tjetërson qenien, por e nënvleftëson. P.sh. nëse dikuj i thuhet „budalla“, ky është NËNÇMIM e JO OFENDIM, pasi që nuk po ia tjetërson qenien atij personi, ai prapë po mbetet njeri, ama budalla, pra me inteligjencë te ulët (po nënçmohet)

b) Një veti që ia ndryshon dikuj profesionin, p.sh.nëse akademikut i thua „murator“ (gogë), ose shkrimtarit i thua „çoban“, apo „tregtar me libra“, por edhe nëse muratorit i thua „doktor“, për t’ia përkujtuar profesionin e vërtetë që e ka, prapë është nënçmim…etj..etj…

Shpresoj të kem ndihmuar në kuptimin e drejt të dallimit të këtyre dy fjalëve përmes shpjegimeve të tjera nga ato që hasen në FJALORIN SHQIP-SHQIP.

P.S
„Ti Inxhinieri nuk e di ore historinë“ e thënë nga një historian nuk është nënçmim e as ofendim.
„Ti biologu nuk e njeh bre matematikën“ e thënë nga një matematikan apo edhe inxhinier, nuk paraqet as ofendim e as nënçmim.
Edhe nëse dikujt i thuhet „pëllumb“, nuk është ofendim, por as „autoparlant i Putinit“ nuk është ofendim, ngase është përdorur figurativisht, pë të treguar „mbështetjen e pakrye të Putinit“

Posht ofendimet dhe nënçmimet!!!

F.P.