Përpasimi ynë shpirtëror

Kur njeriu e (shpiku dhe e) zhvilloi gjuhën, nga principi i „Minimumit të energjisë së materies“ (përtacia e materies) aty ngeci zhvillimi i tij i vërtetë (e kam thënë para 30 e tepër vjetësh). Njeriu filloi të flasë nga përtacia, ngase më e lehtë ishte kjo rrugë e komunikimit, por gjithsesi jo me e mira.

Gjuha pra nuk ishte përparim (siç teoria e evolucionit e thotë) por përpasim (prapambetje, ngecje).

Ne sot nuk kuptohemi me ligjerata të tëra më shumë sesa dikur me një britmë „Aaa“. Madje shpesh gjuha është burim polemikash të qëllimta denigruese (duke e keqinterpretuar qëllimisht një mendim të shprehur), shpesh burim hidhërimesh e ngatërresash.

Ne kishim (dhe kemi) aftësi më të mëdha, shumë më të mëdha se të folurit.

Që kur filluam të flasim, ne iu nënshtruam materi(al)es dhe e harruam zhvillimin shpirtëror. Ne i bartëm studimet te materia kurse shpirtin nuk e studjuam fare, e as nuk e zhvilluam… Aftësitë, që ka shpirti ynë, që do të mund t’i zhvillonim, i bartëm te materia (radio, TV, Celularët, Antenat satelitore….)

Pra nuk është habi pse ne i nënshtrohemi parasë dhe pasurisë. Ngase jemi nënshtruar materiales (trupit tonë) duke e lënë krejt pasdore shpirtin. Kështu jemi bërë të pashpirtë.

Sa të kalojë koha, gjithnjë e më tepër ne do të futemi thellë në lajthitje, duke thelluar krizën morale gjithandej nëpër botë.

Besoj që shpirti ynë ka filluar të hakmerret, duke përhapur shumë sëmundje të çuditshme trupore, identitare dhe mentale, apo edhe sëmundje autoimunitare (vetëshkatërruese të organizmit) … etj…

Që shpirti ynë është shumë i aftë tregon edhe kjo thënie:
„Shpirti ynë është libri, ndërsa faqet e tija janë universi“ (Muhamedi a.s.)

Bëhu me shpirt, me ndërgjegje!

F.P.

Kommentar verfassen