Recitimi, shkurt e qart

Arsimtarë të „Gjuhë dhe letërsi Shqipe“, ju lutem ushtroni nxënësit mirë, para se publikisht të recitojnë! Ju lutem, shumë ju lutem!

Të recitosh nuk do të thotë të bërtasësh sa më shumë, e as të „këndosh“ me rimë.

I ndjeri, aktori Kristë Berisha, gjatë përzgjedhjes, nuk thoshte „Recito!“, por:

Më trego! Më shiko dhe më trego„.

Çfarë këshille e mirë, që s’harrohet, 3-4 sekonda fjalë dhe e kupton ç’është në të vërtetë recitimi.

Këtu është sekreti i RECITIMIT TË MIRË, pra T’I TREGOSH PUBLIKUT atë që thotë poezia (e që publiku as idenë nuk e ka për atë poezi e as për domethënien e saj).

Pra vërtetë të bisedosh me publikun, të komunikosh përmes recitimit, që ai ta ketë të qartë dhe ta kuptojë drejt çështjen, që shtron poezia.

Për këtë duhet ushtrime e ushtrime, e çdo fjalie veç e veç, se si ta thuash, që të jetë e kuptueshme dhe që të jetë vërtetë komunikuese dhe treguese, sikur ajo fjali të dilte nga një situatë e vërtetë, ta ndiesh sikur të ishte përjetimi yt dhe ashtu ta transmetosh.

Edhe një dua t’ju them, që lëvizja me duar mundësisht të eliminohet krejt, ose shumë rrallë të përdoret. Në garat e recitatorëve kjo na ishte ndaluar.

F.P.

Haga

Nuk ka bërë kurrfarë krimesh

Nuk e kuptoj se përse të akuzuarit tanë në Hagë po mbrohen me deklarata politike ose shprehje emocionale…

Nuk i jep gjykatësi ose prokurori i Hagës pesë pare për politikë, nuk u intereson hiç se kush kënd e përfaqëson, por as në „gjynah“ s’mund t’i shtiesh. Prokurori e ka detyrë dhe e konsideron si sukses, nëse arrin të të burgosë, andaj për këtë punon „si i sëmurë“.

Të akuzuarit tanë duhet t’i lënë deklaratat elektorale për qytetarët në Kosovë dhe duhet t’i ofrojnë provat e dëshmitë e besueshme, juridikisht e profesionalisht, në mënyrë, që të mbrohet lufta çlirimtare dhe UÇK-ja!

Shembull e mora këtë dialog, që tregon moskuptimin e mjaftueshëm të GJUHËS (fjalive) GJYKUESE nga i akuzuari:

Gjykatësi: Z. Selimi a jeni fajtor?

R. Selimi: Unë nuk ndihem fajtor.

Gjykatësi: Unë nuk ju pyeta a ndiheni, por a jeni?

Të mos ndihesh dhe të mos jesh, ka dallim. Ti nuk ndihesh, por gjykata „ndihet“ ndoshta ndryshe.

Përgjigjja do të duhej të ishte:

R. Selimi: Unë nuk jam fajtor! (jo nuk ndihem)

Disa herë kam shkruar se ne, shumë shpesh, i përdorim fjalët ku nuk e kanë vendin.

Të akuzuarit tanë në Hagë po duket që nuk kanë fare njohuri se si funksionon një gjykim profesional dhe po flasin kot. Po emocionohen pa kurrfarë nevoje. Mjaft keq. Emocionet, politika, mirësjellja, besa e njerëzia nuk kane vend në gjykatë. Aty vetëm dëshmitë dhe provat vlejnë.

F. Piraj 25.03.2021

Diferencimi ideopolitik modern

Pas Luftës së Dytë Botërore kishim dëgjuar shumë histori nga prindërit e gjyshërit tanë se si janë zhvilluar ngjarjet pas rënies së nazizmit e fashizmit. Poashtu nëpër shumë libra të ndryshëm hasim në të tilla histori, shpjegime, analiza etj. mbi ato ngjarje.

Çfarë më bën përshtypje është se në zgjedhjet e para pas Luftës së Dytë Botërore kanë pasur synim të garonin disa parti politike, pra jo vetëm komunistët, por edhe demokratët, ballistët etj.

Zgjedhjet parlamentare në Jugosllavi mbahen më 11 nëntor të vitit 1945. Ato në literaturë hasen si “Zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese të Jugosllavisë Federale Demokratike”.

Fronti Popullor, pas të cilit qëndronin komunistët, ishte e vetmja parti që praktikisht mori pjesë në ato zgjedhje. Siç ndodh zakonisht në zgjedhjet e organizuara nga partitë ekstremiste (Partia Komuniste ishte padyshim ekstremiste), zgjedhjet nuk ishin të drejta, por ishin në të vërtetë një shprehje e dhunës së organizuar politike ndaj qytetarëve (popullit).

Ballistët, Demokratët etj. nuk lejoheshin të organizohen, as të bëjnë fushatë parazgjedhore, as të paraqiten publikisht. Pra anëtarët e opozitës ishin të ekspozuar ndaj kërcënimeve, të cilat patën intensitetin më të lartë në muajt pak para zgjedhjeve. Pati edhe masakrime të njerëzve të papërshtatshëm politikisht dhe ato u kryen praktikisht në çdo vend të ish Jugosllavisë pas „çlirimit“, pra edhe në Kosovë. Shkalla e terrorit nga komunistët “çlirimtarë”, që zgjati gjatë periudhës së zgjedhjeve mund të gjendet në shembullin e raporteve të Komiteteve të Qarkut të Partive Komuniste të cilat i informuan Komitetet Rajonale mbi likuidimin të disa personave pa gjyq nga OZNa (shqip: Njësia për Mbrojtjen e Popullit, sllavisht: Odeljenje za Zaštitu Naroda). Komunistët shqiptarë nuk i shqetësonte fakti që OZNa famëkeqe po vriste civilë shqiptarë pa gjyq…. Kjo histori ngjashëm vazhdoi diku 55 vjet.

Pse e përmblodha këtë histori?

Ngjashmëria me kohën e pas qershorit të vitit 1999, kur praktikisht Ushtria e Serbisë largohet nga Kosova dhe në skenë na paraqiten ca dukuri copy-paste nga koha e pas “çlirimit” antifashist, është evidente.

Na dalin “çlirimtarë” me të drejta të veçanta për veten e tyre, familjet dhe miqtë e tyre, të cilët filluan uzurpimin e shumë objekteve, banesave, trojeve etj… ku as likuidimi i njerëzve pa gjyq nuk mungoi e sidomos i rivalëve politikë, por edhe i ish ushtarëve të UÇK-së.

Partitë “jo çlirimtare” pengoheshin në aktivitetet e tyre. Filluan të bëheshin akuza të llojit “Ku ishe ti kur unë luftova?” dhe të ngjashme, që fatkeqësisht vazhdon edhe sot në stil të ngjashëm (sikur dikur partizanët “çlirimtarë”)

Futja e paragjykimeve në popull për çdokënd, që nuk ishte “çlirimtar” ose “i burgosur politik” bëhej në mënyrë të organizuar dhe vazhdon edhe sot intenzivisht.

Pra, vlerë ka vetëm ai që luftoi ose ai që u burgos, e jo ai tjetri, që në mënyrën e tij e bëri rezistencën, p.sh. duke e mbajtur arsimin gjallë me decenie ose duke mbledhur fakte mbi dhunën e ushtruar të Serbisë në Kosovë. Të gjithë këta u vendosen në pozitën e qytetarit të rendit të dytë. Qytetari i thjeshtë as që konsiderohej si i gjallë, edhe pse pjesëtar i shtetit të ri me të gjitha të drejtat dhe detyrimet.

Por kush po i bën këto kualifikime?

Shumë nga kualifikuesit e tillë ishin dhe janë me të kaluar të dyshimtë, të cilët shpesh dalin se burgosjet e tyre nuk ishin për shkak të aktivitetit politik, por për shkak të krimit ordiner. Ka nga ta madje edhe psikopatë, të njohur në rrethin ku jetojnë. Hajna të dëshmuar, të njohur, madje të provuar nëpër procese gjyqësore, që e veshën uniformën pasi u çlirua Kosova, ose disa ditë më parë, krejt me qëllim të marrjes së meritave të paqena dhe keqpërdorimit të tyre. Dhe nuk janë pak. Vetëm “veteranë” janë rreth 40.000, sipas disa vlerësimeve të vetë përgjegjësve të UÇK-së.

Këtu pashmangshëm imponohet një hetim gjithëpërfshirës institucional, në mënyrë që këta keqbërës të identifikohen dhe merren në përgjegjësi sipas ligjit. (“Ligji mbi konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme” duhet sa më parë të aprovohet nga Qeveria Kurti)

Një trend tjetër shqetësues është edhe lokalizmi primitiv.

Disa njerëz, të vetëquajtur “intelektualë” ose “veprimtarë”, kanë bërë publikime, madje kanë botuar edhe libra historiko-politikë, ku qart shihet lokalizmi i tyre primitiv, paragjykimet e tyre të “odave e kafeneve”, pa argumente të dokumentuara, të dëshmuara ose të provuara. Lëçitja e shumë intelektualëve të vërtetë është mjaft e dukshme në këto botime e publikime. Favorizime të njerëzve që kanë qenë të burgosur politikë, ama pa asnjë kontribut të thjeshtë praktik, mbizotëron mendësinë e këtyre “intelektualëve” e “veprimtarëve”. Aty na dalin persona, që vetëm pse janë rrahur nga ish regjimi jugosllav, paraqiten si heronj, kurse tjetri, që me pushkë në krah i luftoi serbo-sllavët qysh nga Kongresi i Berlinit e këndej, ose ishte veprimtar në Lidhjen e Prizrenit, pjesëmarrës aty p.sh., nuk përmendet, ose përmendet kalimthi, pa u spikatur si i tillë, por ndoshta vetëm si një viktimë e rastit.

Hiç më larg, kur shikon historikun e aktiviteteve kulturore, qëllimisht nuk përmenden as pjesëmarrësit se lëre më organizatorët, nëse nuk i përgjigjen paragjykimeve të autorëve të tillë.

“Jarania” u bë kontribut, patriotizëm e histori.

Në kontekst lëçitës, por nga ana tjetër, është edhe miti “Rugova i pa konkurrencë si veprimtar”.

Mite të tilla na kanë kushtuar shumë, por këto të sotmet e kanë të vetmin qëllim: mbylljen e gojës së të papërshtatshmëve dhe kundërshtarëve politikë.

Përfundim

Sot mbizotërojnë dy linja të diferencimit ideopolitik modern, që për bazë diferencuese i kanë dy postulate:

  1. Luftëtari i UÇK-së ose familjari i dëshmorit dhe miqtë.
  2. Rugovisti dhe miqtë.

Të gjithë të tjerët, sipas ithtarëve të këtij diferencimi, do të duhej të ishin në shërbim të këtyre.

Por dy vitet e fundit u pa një zgjim popullor, që këto postulate mitike i hodhi poshtë. Njerëzit filluan të kuptojnë se vlerat e rrejshme, që na u imponuan këto 21 vjet, nuk qenkan vlera të vërteta, por improvizime qëllimkëqija, që në të vërtetë janë antivlera. U ngjall një shpresë, por mbetet të shihet se Qeveria e re Kurti, e zgjedhur në mënyrë plebishitare (>50%), sa do të arrijë të bëjë punë për rirregullimin e sistemit shoqëror, ku vlerat e njëmendta do ta kenë respektin e merituar. I uroj suksese!

Dipl.-Ing. Faton Piraj

Protestoj pa shpresë

Protestoj pa shpresuar në ndonjë zgjidhje

Asnjë sistemi shoqëror nuk na ka faj, ASNJË.

Mos e fajësoni demokracinë, vjedhjen e votave, kryet na ka faj.

Mos e fajësoni ish socializmin komunist, kryet na kishte faj edhe atëherë.

Logjiko sot, mendo!

Kot që përpiqesh për të vërtetën. Njerëzit besojnë çfarë ua ka ëndja. Nuk na futet e vërteta në krye kurrsesi hiç. Ne shqiptarëve a? Kurrë jo..

Hidhe një gënjeshtër, shumë nga ne do ti besonim dhe madje do ta përhapnim .Shiko portalet sesa gënjejnë dhe shiko sa u besojnë…

I kot mundi.

Hajde dje politikanët nuk i kemi njohur, e kuptoj dhe nuk akuzoj askënd. Por sot që veç kur ti kujtosh tri gjëra „Vizat hiqen për 15 muaj“, „Do ti hapim 200.000 vende pune“ dhe „Fondi i punësimit 1 miliard“ (krejt gënjeshtra të qarta) tërë simpatia do të duhej të shndërrohej në mosbesim.

Por ja që ne jemi të papërmirësueshëm. Nuk na hyn në krye diçka e re, kurrqysh hiç. Sado të jetë ajo nga përjetimet tua, e parë nga sytë e tu. S’është punë të kuptojë kush.

Intelektualë falsë sa të duash. Më sillen rrotull për turp të Zotit, goja s’u çilet dhe qëndrojnë në anën e shkatërruesve te vendit.

S’ia vlen të rrezikosh për askënd.

Një pjesë e konsiderueshme e popullit e pa logjike… Më vjen keq, por s’ka përfundim tjetër të arsyeshëm.

F. P.

Matematika e thjeshtë praktike

Dikur vëllezërit kur janë ndarë, e kanë ndarë truallin parcela-parcela duke e lidhur një tërkuzë, se nëse ajo lidhet, atëherë sipërfaqet që i kufizon besohej se janë të barabarta.

A është kështu? JO, NUK ËSHTË.

Vëllai që ka qenë më “dreq” i ka zgjedhur parcelat që kanë pasur vija të jashtme të lakuara. Pse? Sepse nëse gjatësia e tërkuzës kufizuese (perimetri) nuk ndryshon (se është lidhur) sipërfaqen më të madhe të mundshme e kufizon forma rrethore e saj. Ta vërtetojmë? OK po.

Po e marrim një tërkuzë të lidhur si në figurën Fig.1 dhe po ia japim formën e rrethit me rreze “r” dhe pastaj formën e një katrori me brinje “a”.

Fig.1.

Gjatësia e tërkuzës te katrori është sa 4 brinja a, pra:

P = 4 • a

kurse gjatësia e tërkuzës te rrethi është

P = Pi • diametri = Pi • 2r

Meqenëse tërkuza është e njëjta, gjatësia te katrori dhe te rrethi janë të barabarta. Atëherë:

4 • a = Pi • d = Pi • 2r sepse d = 2r (diametri është sa 2 rreze)

Nga këtu kemi:

4 • a = Pi • 2r => (4 • a)/Pi = 2r =>

r = (4 • a)/(2Pi)

Sipërfaqja që e kufizon Rrethi është

S1 = Pi • r2  kurse e katrorit  S2 = a2

E zëvendësojmë rrezen “r” te formula e sipërfaqes së rrethit dhe kemi

S1 = Pi • [(4 • a)/(2Pi)]2 =>

S1 = Pi • (16 • a2)4Pi2 = (16 • a2)/4Pi

S1 = 4/Pi • a2. Pasi se S2 = a2 kemi

S1 =4/Pi • S2

S1 = 1.273 • S2

Pra Syprina e sipërfaqes rrethore po del për 1.273 më e madhe se e asaj katrore, dhe në përqindje i bie 27.3%, gati 1/3, më shumë. Nëse trualli do të shitej 1000 Euro nga ai që e mori katrorin, ky “dreqi” që e mori rrethin e shet 1273 Euro, pra 273 Euro më shumë.

F. P.

Zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021-ës

Për krejt që guxojnë drejt

Z.Lutfi Haziri, i ngarkuari me detyrë nga PDK+LDK, ministër për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës (nga dhjetori 2004) ishte kreatori dhe zbatuesi i urdhrave për decentralizimin njëetnik (duke filluar nga 22.09.2005), që tash po rrezikon të bëhet „Zajednicë“, e cila përfshin diku 17% të territorit të Kosovës, e dedikuar për 2% qytetarë të kombësisë serbe, merreni me mend (?!) Janë gjithsej diku 171.000 hektarë. 8.200 hektarët e dhuruar Malit të Zi janë tallje në krahasim me hektarët „Zajednicës“, që janë 21 herë më shumë.

Dhe diçka, që po heshtet tinëzisht e qëllimisht është se „Zajednica“ quhet „Asociacioni i Komunave Serbe“ e jo „me shumicë serbe“, që shkurt i bie „të Serbisë“ edhepse në disa komuna të saj shqiptarët janë shumicë si p.sh. në Novobërdë (52.4% shqiptarë, Kllokot (56.3% shqiptarë) dhe Shtërpcë (52.8% shqiptarë). Si ka mundur të ndodhë kjo?!

Po ashtu po heshtet tinëzisht dhe qëllimisht se „Zajednica“ i merr diku 80-90% të resurseve zhvillimore të Kosovës, e në marrëveshjen e nënshkruar nga ish kryeministri Hashim Thaçi, më 19 prill të vitit 2013, e më vonë nga Isa Mustafa në të 2015-ën në paragrafin 4) pika 2 shkruan: “Asociacioni ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale” e jo Kosova pra (?!)

Me fjalë të tjera i bie që “Serbët hanë mish, shqiptarët dhe të tjerët lakra, kurse Hashimi, Isa dhe Ramushi po na e shesin si Sarmë”. Por së paku lakrat t’i hanim, ama as lëng nuk po na mbetet.

Akoma me e rrezikshme është ideja për „korrigjim kufijsh“ që pas vetes fsheh ndarjen e Kosovës („ç’na duhen komunat, dhuratë e Rankoviqit“ ju kujtohet?). “Republika Serbe” e Kosovës shumë lehtë do të mund të shpallej nga „Kuvendi i Zajednicës“, i cili parashihet në marrëveshjen e nënshkruar dhe tash s’ka kush e pengon më bashkimin e saj me Serbinë.

Kush është i gatshëm TË HAJË LËNG SARME në të ardhmen, ai nuk e voton LVV.

O vëllezër, ju betohem në Zot, që as për politikë e as për parti, nuk më intereson, por jam duke folur nga njohuritë profesionale mbi resurset ekonomiko zhvillimore të Kosovës, që i kam studiuar brenda lëndës „Sistemet Teknologjike“.

Mos e votoni askënd përveç LVV, ngase do të na bëhet Kosova vend i pajetueshëm, PA MUNDËSI PËR TË SIGURUAR USHQIM për familjen.

„PA USHQIM NE SHEKULLIN 21“. Ah çfarë shkretëtire !!!

I kam shikuar me shumë vëmendje programet. Çfarë thotë Albin Kurti, Enver Hoxhaj, ose dikush tjetër, FARE NUK MË BËN PËRSHTYPJE, ngase unë vendos nga shikimi dhe gjurmimi vetjak i programeve të tyre.

Por më duhet pashmangshëm të cek se programi i partisë „Lëvizja Vetëvendosje“ vërtet është më premtuesi nga të gjithë të tjerët, të cilët faktikisht nuk kanë program, por disa gënjeshtra e përralla mashtruese për votuesin.

E kemi rastin, e papërsëritshëm do të kisha thënë, të fillojmë e të punojmë pa frikë për vendin tonë. Pikërisht 14 shkurti është momenti vendimtar.

Dipl.-Ing. Faton Piraj

(Autori jeton dhe vepron në Vjenë, Austri)

F. P.

Fjala e mërgimtarit

Prej politikës varet kualiteti i jetës së të gjithëve, i cili për 21 vjet në Kosovë përparoi shumë pak. Mua bashkë me qindra e mijëra të tjerë na lanë në Austri mu ata, që kanë qenë në pushtet deri sot.

Që 20 vjet kam shpresuar të kthehem atje. Çdo ditë ëndërroj se si jam duke jetuar në vendin e lindjes. Të përshëndes shqip, t’i përqafoj të afërmit e mi, familjarët e mi, t’i takoj shokët e mi, të pimë kafe bashkë…

Ku të kthehem?

As arsim, as punë, as ligj, as rrymë, as shëndetësi …. ASGJË. Po „Eja edhe kështu, jeto sikur ne!“ do të thoshit ju. Po, do të vija edhe kështu, por po më duhet një vëllait fukara t’ia zë vendin e punës. E kujt t’ia bësh këtë mëkat, më thoni?

Unë luftoj që të kthehem në Kosovë pa e dëmtuar askënd, pa i hyrë kujt në hak, prandaj jam i detyruar të flas, ti kundërshtoj këta, që ma mbyllën derën për në Kosovë, e të vijnë këta të tjerët, se ndoshta me ta do të kthehem, dhashtë Zoti!

Nuk jam i sigurt që Albini e Vjosa ma mundësojnë kthimin, por ama jam shumë i sigurt se, me këta që ishin deri sot, S’KA KTHIM.

Votoj L.VV sepse te ta shpresoj

F.P.

Mirëqenia po troket

(O sot i kurrë)

Lëvizja Vetëvendosje e ka përnjëmend ore!

Jo për populizëm, as për pushtet. E ka për këtë popull sigurisht, për mua, për ty, për fëmijët tanë dhe mua po më gëzon, që kjo parti do ta marrë pushtetin.

Unë askund me ligjin nuk bie në konflikt. Unë kurrë nuk kam vjedhë, as kam mashtruar kënd, nuk jam punësuar me të njohshëm, as e kam blerë diplomën me lekë.

E juve, që nuk jeni si unë, mirë ua bën nëse ju merr në përgjegjësi, nëse ju hedh në gjyq dhe nëse ju dënon për fajin e dëshmuar e provuar përmes proceseve gjyqësore të pandikuara politikisht dhe pa porosi të nëntokës.

Ama disa nga ju, që jeni sikur unë, fare nuk ju kuptoj, përse nuk e mbështetni këtë parti. Pse, a nuk doni të jetoni në stabilitet, nuk doni të keni arsim, punë, shëndetësi?! L.VV në pushtet është edhe e mira juaj.

Vend të zhvilluar duam, nuk po e shikojmë kush çfarë bossi është, sa trim e sa muskuloz është, se çfarë gardërobe ose çfarë ore të shtrenjtë mban.

Shtet stabil duam, me drejtësi, pa korrupsion, pa nepotizëm, pa vjedhje thesarësh e dhomash sigurie, pa polici partiake, pa vdekje nëpër burgje, pa vetëvrasje të dyshimta.

Shtet sovran duam, që nuk fal troje, që nuk bëhet jofunksional duke u çarë nga brenda, që edhe në veri të vendit “kollitet” si zot shtëpie, që e ndihmon qytetarin e nevojshëm, e jo që ia tregon rrugën e mërgimit, apo që ia tregon të sëmurit spitalet e huaja.

Neve po na duhet si udhëheqës SHQIPTARI I DITUR, I MENÇUR, I NDERSHEM e BESNIK, po edhe nëse është i leckosur, nuk prish punë.

Edhe ju e dini se kush mund të jetë ky, kush mund të jenë këta, ani se dikush nga ju mundohet të fusë dyshime, e di edhe ai që unë kam të drejtë, por interesi i ngushtë dhe paaftësia për të parë më larg, ndoshta xhelozia ose inati, e pengon të ndryshojë mendje, ta ndalojë propagandën e kotë kundër tij e kundër tyre.

Lëvizja Vetëvendosje buron nga zemra e popullit, jo nga pazaret e nëntokës, ose të atyre me armiqtë e kombit, për shkatërrimin tonë shkaku i interesit vetjak meskin, të ngushtë, familjar ose partiak.

Lëvizja Vetëvendosje është trashëgimtarja e vijës historike të Rilindësve të cilët e përshpejtuan dukshëm krijimin e Kombit Shqiptar.

Andaj e meriton besimin tonë gjithsesi.

Dipl.-Ing. Faton Piraj

Grada vs Profesioni

Me shkas.

Lexoj:

„Filani i ka dy profesione, njërin magjistër e tjetrin mjek (shofer, kamerier…).

Kjo fjali është me një gabim logjik.

Do të duhej:

„Filani e ka gradën arsimore të magjistrit ndërsa profesionin e mjekut (shoferit, kamerierit…)

Profesioni NUK ËSHTË ARSIMIMI.

Pra Dr. Shkence, Inxhinier i Diplomuar, Mastër i Ekonomisë apo Magjistër i Judikaturës NUK MUND TË JENË PROFESIONE.

Këto janë grada (shkallë) të arsimimit.

Profesion quhet veprimtaria që personi e ushtron, apo që e zhvillon në punë.

„Cili është profesioni yt?“ d.m.th. „Çka punon?“.

Përgjigjja:

„Punoj profesor, mjek, murator, kasap….“

Nuk mund të punosh Dr. Shkence apo Magjistër…etj…sepse nuk ka punë që quhet: Dr. Shkence, Magjistër, Inxhinier i Diplomuar apo Master.

Por ka punë (profesion) që quhet: Profesor Universiteti, Asistent i Profesorit të Universitetit, Konstruktor, Arsimtar, Druvar, Zdrukthëtar…

Për ti ushtruar këto profesione nevojitet gradë adekuate arsimore, por ndonjëherë edhe jo.

P.sh. Prof. Jagxhiu (nga Pz) ka pasur përgatitje fakultative arsimore (veç fakultetin), ndërsa ka punuar (e ka pasur profesionin) si Profesor Universiteti.

F.P.