USA (s‘)është sërish shpëtimtarja

Kërkesa publike për largimin nga skena politike në Kosovë e të gjithë atyre, që kanë probleme me ligjin, nga ana e amerikanëve, është një e drejtë dhe një nevojë që po paraqitet dukshëm, por unë mendoj se është e gabuar qasja që këtë ta bëjnë vetë amerikanët apo ndërkombëtarët.

  1. Nuk duhet harruar se BE-në e kemi këmbëkryq në të gjitha çështjet, që janë në proces, ndërsa USA ia pat lënë këtë punë asaj, që për mendimin tim ishte keq, pasi që BE ka disponim pro sllav (për çdo ditë unë e shoh dhe përjetoj këtë).
    Lëvizjet e fundit diplomatike po tregojnë një qasje tjetër amerikane në lidhje me Kosovën dhe detyrat që ajo ia ka vënë vetes përpara. Kjo gjithësesi duhet shfrytëzuar.
  2. Në të vërtetë jam paksa skeptik në ndërhyrjet nga jashtë për zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe plotësimin e këtyre kërkesave. Kjo ngase na ka ndodhur shpesh që pikërisht të huajit janë ngatërruar në vepra korruptive…
  3. Pa intelektualët dhe pa popullin, kemi pak gjasa për përmirësim. Momentalisht kemi gjendjen e një status quo-je, ku krimi i organizuar dhe shteti bashkëjetojnë në një lloj paqe të pashpallur.
  4. Por kujdes këtu, sepse në aspektin afatgjatë kjo bashkëjetesë mund te shkaktojë krizë të pariparueshme vdekjeprurëse për shtetin e Kosovës.
    Qeveria Kurti duhet mu këtu ta ketë fokusin fillestar të veprimit.

Për fund:

Pas fitores së L.VV ne zgjedhjet e 2019-ës, kjo gjendje e rëndë shoqërore kërkon intervenim gjithëpërfshirës popullor. Intelektualët, shoqëria civile, sindikatat dhe çdo organizim jashtpolitik duhet përveshur mëngët në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, nepotizmit, etj… e jo vetëm të pritet që këtë luftë ta ngadhënjejë qeveria si e vetme. Shansin më të madh se sot nuk e kemi pasur kurrë.

Përndryshe lajmet mbi pasurimin e kriminelëve dhe ato mbi talljet me popullin lidhur me integrimet euroatlantike, liberalizim të vizave etj. do të zgjasin deri sa Kosova të „dalë nga përdorimi teknik“.
Ose ajo do të futet në një „kontroll teknik të ri“ nën mbikëqyrjen e një „tekniku“ tjetër, që në këtë rast „tekniku“ Serbi mezi po pret.
F.P.