Ma hiqni politikën qafe!

E di, që me siguri dikush nga ju pyet se ç’e shtynë një inxhinier të makinerisë, që jetën e ka relativisht pa probleme, që ka një familje të shëndoshë dhe jeton në një ndër shtetet më të sigurta në botë, ku problemet e tilla, si në Kosovë, as në ëndërr nuk i sheh, të merret me politikë…

Me qenë se edhe mua (pa dëshirën time, dhe jo vetëm mua), inxhinierin, po më detyron politika (e pakrye) që të merrem me të, me punët e pushtetarëve shkatërrues të shtetit për gjynah të Kosovës, në çdo aspekt, atëherë si rrjedhë logjike del se Kosova është në krizë shumë të thellë, mu pse mua dhe shumë të tjerëve, politika po na imponohet. Pse të merremi ne me të, e jo me profesionet tona, duke qenë se kemi politikanë, që duhet të merren me politikë, e jo ne?! Pse…pse…

Ja pse.

Dobësimi, apo mos e bëftë Zoti, shuarja e shtetit të Kosovës, që tashmë është PLATFORMË E SHKRUAR AKADEMIKE e shtetit të Serbisë, nuk është më fare politikë. Kjo është luftë për ekzistencë, për mbijetesë. Brengat, që po na shtohen nga pushteti ynë i paditur dhe arrogant kundrejt popullit të vet, kurse tepër i butë kundrejt Serbisë (deri në nivel shërbëtori), nuk janë më si një veprim i thjesht i mendjes. Çështja ka arritur te instinkti (i gjallërimit sikur që edhe kafshët e kanë) mbrojtës kundër shfarosjes kolektive. Shumë veta me fanatizëm po e mbrojnë këtë pushtet me pëlqime e shkrime, madje me fyerje të rënda të një gjuhe të shkaut, nga frika se po i humbin privilegjet (e mjera, se nuk është privilegj një rrogë që nuk ta mbulon muajin), por e kanë SHUMË gabim.
„Ruaje atë që e ke“ është një MASHTRIM I MADH. Pse të mos jetë „KËRKO MIRË E MË MIRË“? Pse të jesh vetëm ti i punësuar, kur mund të kesh gjithë familjen e punësuar?! A nuk e do këtë?! A do të kishe pastaj problem me pushimin në Atlanta? Nuk besoj. E për ta pasur një motoçikletë të tipit „Dukati“ me 130 Kuaj fuqi (PS), a do të kishe problem? Hiç pra.

Sidoqoftë, nëse sot nuk reagojmë, nesër është sigurisht vonë. Do të na vijë çështja, që në vend të „Atlantës“ do ta vizitojmë „Gjallicën“ e në vend të „Dukatit“ do ti hypim traktorëve drejt kufijve.

Mos ndodhtë KURRË! Por…

F.P.