Aktori Spin.Dr. Gëzim Kelmendi

Shumë e qartë për mua, që Spin.Dr. Gëzim Kelmendi është një RRENACAK dhe SHPIFËS. Asnjë nga ato, që ky i shkruan mbi z. Albin Kurtin, nuk qëndrojnë.

1. Z.Albin Kurti publikisht ka thënë që beson në Zot, publikisht ka bërë dova në varrim, pa kompleks, etj… Por nuk do të thotë se gjithkush, që beson, patjetër të besojë sikur Spin.Dr. Gëzimi apo ai tjetri, ose të praktikojë besimin sikur Spin.Dr. Gëzimi. Në fund të fundit kushtetuta e Kosovës e garanton lirinë e besimit (madje edhe të mosbesimit)

2. Z. Albin Kurti publikisht ka thënë se kufizimi i shkollimit, duke marrë shkas shaminë, do të hiqet dhe ky do ta heqë nëse bëhet kryeministër. Është vetëm një udhëzim administrativ, pa mbështetje ligjore. Punë e thjeshtë.

3. Imami z. Hoxhë Irfan Salihu e ka marrë shumë shpesh “rolin e Zotit” dhe normale është që të kritikohet, sikur edhe Spin.Dr.Gëzimi që shpesh po e merr atë rol i prirë nga injoranca e vetëmbiçmimit.

4. Z. Albin Kurti ka qenë GJITHMONË kundër bisedimeve me Serbinë PA KUSHTE dhe për çështjet e brendshme dhe rregullimin e brendshëm të Kosovës.

5. Z. Albin Kurti dhe Levizja „Vetëvendosje“ kanë qenë kundër „shtetit“ të Kosovës, por kundër këtij shteti kurrfarë: pa sovranitet mbi komunat me shumicë serbe, me mbikëqyrje të ambasadorëve, në shërbim të oligarkëve vendorë e ndërkombëtarë, me simbole të imponuara pa histori apo krenari kombëtare, pa ushtri, me fusnotë dhe pa karrige në OKB. Pra kundër shtetit farsë ka qenë L.VV, jo kundër shtetit të vërtetë të Kosovës që mendon ta realizojë nëse i jepet e drejta dhe mundësia për të qeverisur.

6. „Ligji mbi zhurmat“ nuk është e vërtetë qe e ndalon Ezanin. Kur truri i Spin.Dr. Gëzimit e keqkupton dhe e zbaton edhe për Ezanin, kjo i ngelet injorancës së tij. Kush e klasifikoi Ezanin si zhurmë, përveç pushtetit ku Spin.Dr. Gëzimi kishte hise?! Ezani nuk është zhurmë, por ai është një thirrje për namaz, që bëhet përmes një melodie, e cila i ka fascinuar shumë muzikantë, madje edhe nga ata perëndimorë.

7. Kundër islamofobisë vërtet do të luftojë Albini, pra edhe kundër islamofobisë së Spin.Dr. Gëzimit do të luftojë. Mirë e lexuat: kundër Islamofobisë së Spin.Dr. Gëzimit. Ngase Spin.Dr. Gëzimi ka fobi të theksuar nga të praktikuarit paksa ndryshe të Islamit. Ky vetëm meshkuj me mjekra dhe me pantolla të shkurtra sheh (natyrisht edhe kjo e drejtë ekziston, ama jo si imponim).

8. Dr. Ramabaja ka bërë një deklaratë publike, që e kam kritikuar edhe unë, por ai ishte një mendim personal, e jo qëndrim i L.VV. Individët nuk e bëjnë partinë, sikur që Islami nuk është individi Spin.Dr. Gëzim Kelmendi, e as ai gjithologu “Hoxhë” Drilon(Darvini).

9. Isa Mustafa mbetet ai që është, por në dorë e ka nënshkrimin e marrëveshjes për koalicionin. Nuk anashkalohet pra kurrsesi. As Vjosa nuk po mundet ta anashkalojë. Ndoshta Spin.Dr. Gëzimi do të duhej ta kritikonte Vjosën për këtë çështje.

10. Taksa 100% do të zëvendësohet me reciprocitetin e plotë, e që është ndëshkim MË I FUQISHËM për Serbinë, e që Spin.Dr. Gëzim Kelmendi këtë nuk e kupton s’kemi se ç‘bëjmë.

Për fund ca porosi për Spin.Dr. Gëzim Kelmendin:
Beso në Zot me zemër e mos aktro, sepse besimtari i vërtetë nuk shtrembëron, nuk shpif dhe nuk rren me qëllim. E këto veti të gjitha i ke ti Spin.Dr. Gëzim Kelmendi i vetëçnderuar.

Mos e akuzo L.VV në lidhje me vendimet e pushtetit, me të cilët ti dhe partia jote patët lidhur koalicion dhe patët bashkëqeverisur. Pra ti në qeverisje e L.VV fajin?! Kjo është veti e jobesimtarëve, Spin.Dr. Gëzim.

Sidoqoftë kuptoje se ne kuptojmë, kot insinuatat e shtremberimet.

Bjer në “istigfar” Spin.Dr.Gëzim!

Dipl.-Ing. Faton Piraj