
Të nderuar kandidatë për kryetarë të komunave të Kosovës dhe politikanë në përgjithësi!
U këputëm zgjedhje – zgjedhje. U këputëm bujqësi – bujqësi, krijime liqenesh e ngritje fabrikash pa numër…. turizëm pa infrastrukturë etj.etj..
Bota po ecën me hapa të shpejtë përpara, po fluturon me “raketë”, përderisa ne me “gomar” po udhëtojmë dhe po shpresojmë që një ditë ti mbërrijmë?!
„Homeoffice“ është një platformë digjitale, që dita ditës po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Pra „Puna nga shtëpia“. Nevojitet një internet i shiritit të gjerë (shumica e keni) dhe dije për një profesion të caktuar, i cili mund të zhvillohet me kompjuter.
Nga shtëpia kur punon, nuk ka rëndësi nëse je në një shtëpi në Vjenë, Prizren, Pllavë apo në kolibet e bjeshkëve të Sharrit, sepse njësoj funksionon (nëse interneti është në rregull). Jam i bindur se në Evropë (dhe botë) kjo do të jetë strategjia e punësimit në të ardhmen.
Keni menduar ju, që të përgatisni logjistikën për zbatimin e kësaj platforme?
Biznesmenit nga BE-ja nuk i intereson nga je, atij i intereson profiti. Kur ti ke dije dhe je fuqi punëtorë më e lirë, natyrisht se ai ty do të të punësojë, e jo atë të shtrenjtin, po edhe nëse e ka vëlla. Që ju, kandidatë për kryetarë të komunave, nuk e keni përmendur asnjëherë këtë gjë, e kuptoj, ngase nuk e keni as idenë e botës moderne se si funksionon dhe do të funksionojë. Pse atëherë konkurroni?! Për të premtuar shumë e për të mos bërë asgjë?!
Deri kur qytetari i pjesëve rurale gjithandej do të merret me blegtori për të mbetur gjallë?
Deri kur shqiptari i Kosovës do të pjekë qebapë, peshq e të bëjë gjyveç, thua ti se ku e di çfarë ka arritur?
Deri kur shqiptari i Kosovës do të mashtrohet me zhvillimin e turizmit rural pa infrastrukturë?!
Deri kur shqiptari i Kosovës do të jetë shumicë e punëtorëve të krahut edhe në perëndim?!
Përse të mos shfrytëzohen mundësitë moderne të komunikimit digjital, për tu futur në konkurrencë në BE? Mundësia është, por dija nuk është atje në Kosovë dhe atë nuk po e thërret askush.
F.P