Rima

Ka shumë njerëz (shkrimtarë apo edhe të tjerë….) që poezinë „moderne“ e shohin pa rimë. Atëherë shtrohet pyetja, përse ajo quhet poezi? Një prozë me fjali të ndara në rreshta, në formë strofe, pa metafora, pa alegori, pa mesazh, pa emocione për recitim e pa rimë çka i thuhet kësaj? Poezi jo, ore!

Një profesor i nderuar, para ca muajsh, ndër të tjera më tha kështu: “Ata po shkruajnë me rimë sikur nxënësit e shkollës fillore”. Deri në atë çast unë mendoja se ai merr vesh nga poezia, madje shumë …. por ….

Gjurmoni poetët e vërtetë, por edhe modernë, p.sh. Dritëro Agollin ose Ali Podrimën, të cilit pa rimë thuajse asnjë poezi nuk e kanë. Lexojeni Migjenin, Ali Asllanin, Nolin, Naimin ose Kadarenë. Thuajse nuk kanë poezi pa rimë.

Rima është zotësi.

Rima është një pengesë mjaft e madhe për ta shfaqur mendimin tënd në poezi, ashtu siç vërtet dëshiron.

Por mu aty ndërtohet poeti.

Poeti i vërtetë arrin, që përkundër rimës, të shfaq mendimin e vet 100% ashtu siç dëshiron. Ky quhet poet. Nëse nuk je ky, lëre shkrimin e poezive, ose së paku mos lejo të quhesh poet.

E kam recituar “bisht mbas gardhin” nëpër gara recitatorësh dhe me vetdëshirë. E kam kuptuar dhe përjetuar, që poezia pa fare rimë nuk ka emocion, e thatë e e mërzitshme, ose fare pak rimë saqë nuk të jep vullnet ta recitosh. Recituesi i aftë, në të vërtetë e reciton poezinë duke ia bërë rimën të padukshme, por ka të tillë, që rimën e poezisë e fusin në shpirtin e publikut.

Do ta vendosi recitimin e Mirush Kabashit dhe të Reshat Arbanës nën llupën e kritikës.

Mirushit nuk i duket rima, përpos kur e ngulit atë si emocion në zemrën e dëgjuesit.

Reshat Arbana është fund e krye rimë dhe nuk ka emocion ngulitës gjatë recitimit, përpos zërit të tij kumbues dhe „burrash“. Kush kupton nga recitimi, sigurisht që do të pajtohet që Mirushi është recitator i jashtëzakonshëm, kurse Reshati diku mbi mesataren.

Por ama asnjëri pa rimën nuk do të ishte ai, që është sot.

Prandaj unë jam pro poezisë me rimë, madje pro asaj me rimë ciklike, së paku çdo i dyti rresht.

Kështu poezia mund të recitohet me shumë emocion. Nuk e di se përse ekzistojnë poezitë, nëse ato nuk i reciton kush. Përndryshe shkruani prozë, që thjesht lexohet, ose prozë poetike, që pak a shumë mund të recitohet, por mos e quani poezi.

1.Poezia duhet të ketë shumë emocion, shumë vrull, ndonjëherë qetësi, apo edhe protestë ose mallkim, urim etj.

2.Poezia duhet të ketë një mesazh aktual, që është i duhur dhe nevojitet.

3.Poezia duhet të ketë RIMË.

F.P.

P.S. Kritika ndaj poezisë është shumë më e lehtë sesa të shkruarit e saj. 😁😉

Kommentar verfassen